29 prilli i vitit 1945 shënon ndërhyrjen e forcave amerikane të cilat liruan 31.601 të burgosurit nga kampi i përqendrimit nazist në Dakau, Gjermani ku kanë vuajtur internimin edhe shtetas shqiptarë.
Arkivi Qendror Shtetëror për të përkujtuar këtë ditë publikon 3 dokumente shumë interesante.
Përmes një letre të sigluar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Dakaut që mban datën 8 korrik 1964 dhe që i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Mehmet Shehu, njoftohet shteti shqiptar se do të ngrihet një monument në kujtim të të internuarve të kampit.
“Monumenti i cili do të ngrihet me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të tyre, nuk do të jetë një vepër urrejtjeje, por respekti dhe mishërimi.
Ai ka për qëllim që të bëjë njeriun e soçëm që të rikujtojë tmerret që është në gjendje të kryejë, po qe se ndjek gjurmët e profetëve falso, të këqijat e racizmit, të fashizmit dhe të luftës”, transmeton ATSH.
Ky është një kamp ku vuajtën edhe shqiptarë ndaj edhe për ngritjen e tij, kërkohet ndihma financiare e Shqipërisë, sikurse edhe të shumë shteteve të tjera, shtetas të të cilave vuajtën në këtë kamp.
“Monumenti i ish-të internuarve do të ngrihet në bazë të një financimi ndërkombëtar i cili do të sigurohet në radhë të parë nga kuotat vullnetare të popullsive të vendeve tona të ndryshme. Por ne e pamë të udhës Z. Kryeministër për një kontribut zyrtar të Qeverisë suaj”.
Paskëtaj, Komiteti i Veteranëve të Luftës i drejton kërkesën Kryeministrit të Shqipërisë për akordimin e një shume prej 500 dollarësh nga buxheti i shtetit shqiptar për ndërtimin e këtij memoriali.
Në përgjigje të kësaj kërkese, me firmë të Zv/Kryeministrit, udhëzohet Ministria e Financave për akordimin e 500 dollarëve nga fondi i rezervave në valutë, si kontribut për ndërtimin e këtij memoriali.
I krijuar në mars të vitit 1933, kampi i përqendrimit Dakau (Dachau) ishte kampi i parë i rregullt i ngritur nga qeveria Nacional – Socialiste (naziste) gjermane për të burgosurit politikë.
Kur trupat amerikane hynë në kamp, ata gjetën më shumë se 30 vagona treni mbushur me kufoma, shumica të dekompozuara.
Numri i personave të burgosur në Dakau mes viteve 1933 dhe 1945 llogaritet të ketë qenë mbi 188,000. Numri i përgjithshëm i viktimave të cilët vdiqën në Dakau nuk dihet.