Lamtumirë aktorit, regjisorit dhe producentit të madh francez, Jacques Perrin, i cili u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare në Paris.
Familjarët, të cituar nga agjencia “France Presse”, njoftuan vdekjen e aktorit, që ngjall nderim në të gjithë vendin, pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit.
“Familja ndjehet e pikëlluar t’ju informojë për vdekjen e regjisorit Jacques Perrin, më 21 prill në Paris. Ai vdiq në paqe në moshën 80-vjeçare”, thuhet në komunikatën e dërguar nga djali i tij, Mathieu Simonet. Perrin ka lindur në Paris më 13 korrik 1941. Nga vitet 1950 deri më sot ai ka xhiruar në mbi 70 filma, duke përfshirë hitet kryesore si “Les Demoiselles de Rochefort” në 1967 dhe “Peau d’âne” në 1970. Ai ka pasur një lidhje të ngushtë edhe me Italinë. Shumë njerëz kujtojnë interpretimet e tij në kinemanë italiane.
Roli i të riut Lorenzo Fainardi të dashuruar marrëzisht me Claudia Cardinale në “Vajza me një valixhe” të Valerio Zurlinit (1961) ka lënë gjurmë tek të gjithë. Në vitin 1966, Perrin fitoi dy çmime si aktori më i mirë në Festivalin e Filmit në Venecia për filmin italian “Un uomo a mezzo” dhe për filmin spanjoll “La busca”.
Në vitin 1988 ai luajti rolin e Salvatores në filmin “Nuovo Cinema Paradiso” të Giuseppe Tornatores, i vlerësuar me Oscar për filmin më të mirë të huaj në 1990. Sekuenca e fundit e këtij filmi është e famshme, me puthje të censuruara ndër vite, por “të shpëtuara” nga projeksionisti (Philippe Noiret). I paharrueshëm ishte edhe interpretimi i tij në filmin “Në emër të popullit sovran” të Luigi Magni (1990), një film historik, në të cilin ai luajti rolin e priftit Ugo Bassi.
Jacques Perrin ka bashkëprodhuar gjithashtu rreth pesëmbëdhjetë filma nga vitet 1960 deri më sot, duke përfshirë Costa-Gavras ”Z” (1968), “Shkretëtira e Tartarit” (1977) nga Valerio Zurlini, në të cilin ai luajti edhe rolin e protagonistit, toger Giovanni Drogo ose “Les Choristes” (2004) të nipit të tij Christophe Barratier.
I lidhur veçanërisht me luftën në mbrojtje të natyrës, betejën e tij të përjetshme, ai bashkëprodhoi dokumentarë të shumtë me këtë temë. Më vonë, ai realizoi vetë dokumentarë, “Océans” (1999) dhe “Il popolo migratore” (2001) i cili u pa nga 2.9 milionë shikues vetëm në Francë dhe fitoi çmimin César për dokumentarin më të mirë të vitit në 2011.
Roli i tij i fundit në film ishte në Thrilleri i Frédéric Tellier-it “Goliath”, i cili u publikua në Francë marsin e kaluar dhe trajton çështjen e lobimit dhe pesticideve. Sot Franca mban zi për një nga kineastët e saj më të mëdhenj./BW
Lexo edhe:
KRIST MALOKI: SHKA DO ME THANË “POET”…
ObserverKult