Ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare pianisti i famshëm Leon Fleisher

Pianisti i famshëm amerikan Leon Fleisher ka vdekur në moshën 92-vjeçare nga kanceri, njofton BBC.

Fleisher kishte bërë famë si supertalent në vitet 1940-ta, por karriera e tij ishte penguar nga një lëndim i dorës së djathtë. Ai më vonë kanalizoi karrierën e tij duke dhënë mësime dhe duke mjeshtëruar të luajturit në piano me dorë të majtë.

Tri dekada më vonë, pas një serie të terapive, ai e rifitoi përdorimin e dorës së djathtë dhe shkëlqeu sërish në rikthimin e tij në skenë, transmeton ‘koha.net’.

Fleisher është lindur në San Francisco në vitin 1928, nga prindër që kishin emigruar në SHBA nga Evropa Lindore. Ai filloi të luante piano në moshën katërvjeçare dhe në moshën nëntëvjeçare ishte ftuar për të qenë nxënës i pianistit ikonik Artur Schnabel.

Në moshën 16-vjeçare debutoi në Orkestrën Filharmonike të New Yorkut dhe bëri famë ndërkombëtare më pas. Por, në vitin 1964 zhvilloi një problem neurologjik që ia pamundësoi të luante me dorën e tij të djathtë.

Pas dy vjetëve mungesë, ai u përqendrua në dhënie të mësimeve në Institutin Peabody në Baltimore. Dhe po ashtu në përformim me dorën e majtë.

Ai u kthye në skenën e të luajturit me dy duar në vitin 1995 dhe regjistroi dy albume të famshme. Një nga to e quajtur, Dy Duar, është po ashtu titulli i një dokumentari të nominuar për Oscar.