Në moshën 90-vjeçare është ndarë nga jeta Konstandin Ropi, heroi i letrarizuar i subjektit të filmit “Partizani i vogël Velo”. Mbetur jetim që në fëmijëri Konstandin Ropi lindi në Leshnicë, Vithkuq në vitin 1930.
Prindërit iu vranë dhe ai u detyrua të dilte në mal partizan në moshën 12-vjeçare.
Është personazhi real i filmit të Kinostudios “Shqipëria e Re” që u kthye në heroin e filmit “Partizani i vogël Velo”.
Pas Çlirimit të vendit Ropi mësoi në shkollën ekonomike për kontabilitet në vitet 1947 – 1948. Më pas ka studiuar në shkollat ushtarake në Shkollën e Bashkuar.
Në Tiranë përfundoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe njëkohësisht edhe Akademinë Ushtarake. Më pas, u dërgua me shërbim në Durrës ku shërbeu për shumë vite.
Pas daljes në pension u rikthye në vendlindje në Korçë, transmeton ‘konica.al’.
Konstandin Ropi kishte në zotërim një arsenal dekoratash të marra për veprimtarinë e tij në luftë, si: medaljen e trimërisë, medaljen e flamurit, ndërsa në Moskë është dekoruar nga ish-presidenti rus Boris Jelcin me dekoratën e luftëtarit kundër Nazizmit.
Koco Ropi do të përcillet për në banesën e fundit në qytetin e Korçës në orën 14.00.