Lorena Resulaj
“Lamtumirë Nana e Mirditës”. Historia e rrallë e gruas nga Kurbneshi, të cilës i vdiq vajza 3 vjeç në Kampin e Tepelenës. Jetoi vetëm me idenë të rikthehej atje e të gjente eshtrat e vogëlushes… dhe e përmbushi misionin në vitin 2006.
Gjelë Gjikolaj, e njohur nga të gjithë si nënë Gjela, pas një kalvari të gjatë dhimbjesh, ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare. Lajmin e ka dhënë Dom Gjergj Meta, përmes një postimi në “Facebook” në faqen e Dioqezës së Rrëshenit. Ndarja e saj nga jeta i ka trishtuar të gjithë ata që e njohën nënë Gjelën përmes historisë së saj, që preku zemrat e të gjithëve, jo vetëm të atyre që kanë njohur mirë periudhën më të errët të Shqipërisë, atë të diktaturës.
Nënë Gjela u internua në kampin e Tepelenës për shkak se bashkëshorti i saj u shpall tradhtarë i kombit dhe aty jetoi momente të frikshme, të cilat shënjuan jetën e saj përgjithmonë. Në fjalimin e tij të mbajtur sot në funeralin e nënë Gjelës në Kurbnesh, Dom Gjergj Meta ka shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të një gruaje heroinë, që gjithë jetën e saj e ktheu në një mision, për të gjetur eshtrat e vajzës së saj, Dilës, që ndërroi jetë në moshën 3-vjeçare, në kampin e Tepelenës.
Një pjesë nga fjalimi i Dom Gjergj Metës në funeralin e Nënë Gjelës
“Në 19 vjet që jam meshtar kam përcjellë shumë njerëz në banesën e fundit, por sot kam shumë emocione e më duket se çdo fjalë që them asht pak për ty. Më lejo Nanë e dashtun sot me t’i thanë dy fjalë prej zemret. Sot nuk po përcillet vetëm nusja e Gjikolajve, as vetëm bija e Kthellës, as vetëm nanë Gjela e Selitës, por sot po përcjellim drejt dheut të vorreve pranë Kishës së vogël të Shna Ndout nanë Gjelën e Mirditës. Ti je nga ato nana të rralla që krenohet sot krejt Mirdita. Faleminderit nanë Gjela për fisnkërinë tande, për jetën tande, për gjithçka na ke thanë e na ke dhanë. Sot dheu i Selitës e ka për nder me pritë trupin tand. Atë trup që njohu dhimbjet e një kalvari të egër. Sot po më duket që edhe Gjuri Gjon asht përkulë e po të nderon. Po më duket se edhe Uraka e ka ndalë rrjedhën e don me t’i thanë dy fjalë. Sot këtu kanë ardhë burra e gra prej kahmosit për me të thanë: Lamtumirë nanë Gjela! Prej sot do të prehesh nën këto pisha të vorreve të Kurbneshit, pranë kunatës tande, pranë Dilës e pranë Ages së vogël, pranë vjerrit tand që i shërbeve derisa vdiq. E dashtuna nanë Gjelë. Këtë verë isha në Tepelenë e po të rrëfej se më shkuen lot. Ndërsa shkelja atë dhe, hera-herës më dukej se dëgjoja të qara fëmijësh e gjama nanash për foshnjat e tyne të vdekuna në atë kamp tmerri. Aty ku iu fikën ty e kunatës tande Mrikës para duarsh dy engjëj të vegjël të cilat as me ujë nuk i shujtët dot, sepse kulshedra kishte mbyllë burimet. (…)
Ndigjoje nanë Gjela zanin e Dilës së vogël në luminë e parrizit, po gzon se ti shkove te ajo e tashma nuk asht jetime. E aty në atë jetë të vërtetë me siguri ke përqafue edhe nji herë Mrikën kunatën tande më të cilën i re ferrit pash më pash, vjerrin tand e ma në fund edhe Prengën e rinisë tande. Po! Sepse në qiell ka vetëm rini, pasi aty Zoti asht gjithçka në të gjithë. E tash nanë Gjelë duhet me u nda. Por një ditë kena me u pa, se kështu na mëson feja jonë. Atë ditë ne besojmë se ti do të jesh bashkë me të gjithë shenjtnit e nanat e mira tui na pritë në dyert e qiellit. Deri atëherë, lamtumirë nanë Gjela! Ta kena borxh jetë e mot! Pushofsh në paqen e Krishtit! Amen!”
Historia e jetës së Gjelë Gjikolës
Intervistën e saj të fundit nënë Gjela e dha në vitin 2018-të për gazetaren Admirina Peçi, ku tregoi me detaje të gjithë jetën e saj, nga largimi i të shoqit, Preng Gjikola për në Jugosllavi, deri në ditën kur u kthye pas 50 vitesh në Tepelenë për të gjetur eshtrat e vajzës së saj.
Më poshtë historia e plotë e Gjelë Gjikolës nga gazetarja Admirina Peçi:
Gjelë Gjikolaj, kjo nënë vetmitare, malsore me qëndrim stoik, sot 94 vjeç, ka një histori të fortë për të rrëfyer. Jeton për të dëshmuar, pa bërtitur, pa u ankuar. Ajo ti shemb nga themelet, ti shkërmoq, gjithë bindjet apo perceptimet që mund të kesh për dhimbjen, vetminë, vdekjen, apo mbijetesën… Gjela është e sëmurë. Prej 40 vjetësh vuan nga astma. Por siç thotë vetë, Zoti ka dasht që ajo të jetojë gjatë. E takojmë Gjelë Gjikolën në spitalin e Rrëshenit, ku trajtohet prej disa ditësh për një varg shqetësimesh të moshës së shtyrë. Në jetën e saj ka një stacion të dhimbshëm që i ther në zemër sa herë e kujton. N’atë stacion do të ndalet sot.
Ajo është e gatshme të rrëfejë për të… Vitet e tmerrshme në kampin e Tepelenës i morën gjysmën e shpirtit të saj, Dilën 3 vjeç, që vdiq e uritur dhe e etur për një pikë ujë… Gjela ishte 20 vjeç kur u martua me Preng Gjikolën. Burri i saj ishte mbështetës i Muharrem Bajraktarit, Abaz Kupit, Qazim Mulletit, e shumë të tjerëve që ishin deklaruar hapur kundër regjimit të posa instaluar komunist. Dyqanin në Kurbnesh dhe 5 dyqanet e tjera në katundet përreth që i adminsitronte prej vitesh, regjimi ia kishte mbyllë e sekuestruar që në vitet e para pas Luftës. Prej atij momenti, Preng Gjikola ishte i vendosur ti dilte kundër regjimit të Enver Hoxhës. Siç tregon Gjela, burri i saj vendosi të arratiset bashkë me 60 burra të tjerë me idenë se një ditë do të kthehej e t’ia ndryshonin faqen Shqipërisë. “U prenë… i vrau Jugosllavia në at vakt. 60 burra përnjiheri… I thashë: or burrë ku ve? Jam shtatzan, ku ve? Jam tu vojt tha, nuk na le me çel dyqan, na prishi dyqanin, na mori mallin, dyqind berra, krejt mos o zot… Ata burra që shkuan në Jugosllavi nuk patën mundësi me e ba Shqipërinë për vete, veçse ju shkoi koka…”.
Gjela ndalet një çast. E kujton me dhimbje ditën që burri e la në Kurbnesh. Pikërisht atë ditë, pasi burri iku në mal, Gjela shtatzënë, lindi vajzën e tyre, Dilën, fati i të cilës ishte shenju me kohë, një fati i hidhur! As ajo se pa kurrë të atin e as ai vajzën e tij të vetme. “Kur u banë këta grup me ata qi u qujtën tradhtarë, u banë 60 burra dhe dolën, kalun në Jugosllavi. Atë ditë që dolën burrat n’mal më kishte le cuca. Kunatës i ka le cuca në rrugë me policë. “Je duke gënjy nuk je tu lind”, i thoshin rojet. Policët ishin aty. Asaj i leu cuca në rrugë…”. Ku po i çonin ata dy gra të llahtarisura? Gjela dridhet kur mendon atë ditë të frikshme, me foshnjën e saj tre ditëshe në atë kamion, që ruhej me policë të armatosun, me kunatën e saj që i kishin nisur dhimbjet e lindjes e iu lutej me shpirt ndër dhëmbë policëve. Aty n’atë kamion, rrugës për në burg një grua lehonë, një tjetër duke lindur dhe vjehrri i tyre plak mes kërcënimit të armëve do të jetonin një ditë të tmerrshme. E mbas saj muaj edhe më të vështirë.
“Katër muaj kemi nejt në Burrel, në hetuesi. Cuca e lindme atë ditë, e imja tre ditëshe. Kemi nejt katër muaj në hetuesi. Hetuesi burrash jo grash!!!” Nga hetuesia e Burrelit, Gjela ka një shenjë që nuk i shlyhet. Thotë se nuk e kanë torturuar. Por një shenjë ja kanë lënë, që ajo ta kujtonte gjithë jetën se ishte gruaja e një “armiku të popullit”. “Jo, jo, torturue, torturue… Me kanë ra këtij gishtit (tregon gishtin). Pasi kam dalë prej internimi,(pas 3 vjet e gjysëm) i kam heq duhanin, se e kam pas lidh me duhan. Pas operimit ka ardh në gjendje. Nuk rrej, pikë për pikë jam të t’thanë.. M’tha: “Vene dorën këtu”. Unë kujtova se më tha a di me shkrue. Edhe…(tregon me shenjë se si e ka goditur hetuesi). “Mos bre, i thashe, mor burri i dheut…”! “Ta ka ba burri”, me tha. Po burri s’tpyste n’atë kohë. Ku e dija unë se ç’bante burri n’atë kohë me politikë. 60 burra! Ku e çlirojshin Shqipninë, 60 burra!!Sponsored by Revcontent
Në hetuesi, me foshnjat që qanin çdo natë nga i ftohti, në birucat e errëta, Gjela, dhe kunata e saj, të dyja lehona, mendonin vetëm si të shpëtonin foshnjat. Ky izolim mori fund kur burrat që kishin kaluar në Jugosllavi i kishin vrarë. Pas kësaj dy gratë dhe foshnjet e tyre bashkë me vjehrrin plak do t’i nisnin drejt një kalvari të ri vuajtjesh në Tepelenë… “Na liroi, na liroi… Nuk na liroi Enveri, por dha urdhën për të na internu në Kampin e Tepelenës. Dhe na internun”.
Në Tepelenë, mes 6 mijë të uriturve
Gjela e kujton mirë periudhën kur u vra Bardhok Biba. Fatkeqësinë më të madhe të jetës së saj e lidh më të. Në kampin e Tepelenës çdo ditë ishte luftë për mbijetesë. Por vrasja e atij njeriu siç thotë Gjela, shenjoi jetën e 3 mijë mirditorëve që ju shtuan përnjiherë kampit që kishte pothuajse 3 mijë të internuar të tjerë….Uria që më parë kishte qenë sfilitëse, tani do të thellohej edhe më shumë. Gjela thotë se urrejtja e regjimit ndaj tyre u shtua.
“Erdhi Beqir Balluku. Bani apelin. Qemë 3 mijë vetë, u bëmë 6 mijë vetë. U internuan edhe 3 mijë vetë të tjerë. I sollën atje… Nuk e di, se si jam gjallë sot pra, merr vesht a jo! Tepelena ishte: gjethe lisi hanim, lende, hithna…I zinim e i hanim. E kemi jetue e kemi ardh ne shpi… Na jepshin vetëm dy lek buke sa me rru gjallë, si sot deri nesër në këtë vakt. Ata na jipshin vetem ndoi groshë, n’ ata fuçiat me naft qe s’hahej. Ishim popull shumë, ishim 6 mijë vetë. Pale, pale, pale…në Tepelenë! Ah Tepelena, çfarë maj mend unë! Sa njerëz kanë vdek atje, shpresë na m’zotin! E kot. Tre mijë vetë kane ardhë kot, se kanë vra Bardhok Bibën. Ishim 3 mijë vetë, u bamë 6 mijë dhe… U pre buka mrapa, u pre buka, u pre ushqimi, vetem t’u varros njerëz përditë, për ditë. Se harroj kurrë. Nji e kishte vra (Bardhok Bibën) se kishte vra gjithë Mirdita! I internuan gjithë Mirditën.Vinin makinat me të internum, pa fund. Fmijët krejt tu vdek Se mban mend historia! O sa fmi kane vdek atje… Malsija e Shkodrës u kanë vdek kalamaj shumë. Nji shkodrane quhej Tereza, tre mbesa i vdiqën prej tifos si vajzat tona: 14 vjeç, 12 vjeçë , 6 vjeç. Tre mbesat i ka lane vdek e asht liru pernjihere me mu, e s’ka pas kënd, me fut në shpi”.
Nata kur Dila, tre vjeç, dha shpirt duke lyp ujë… Atë natë, Gjelës iu shkul diçka prej shpirti. Dila, vajza e saj 3 vjeç, i dha shpirt ndër duar. Si mundet një nënë ta durojë këtë gjë? Fëmija me ethe e temperaturë, pa doktor e pa ilaçe, e uritur me buzët e thara, duke kërkuar ujë, e nëna, e mbyllur brenda një kampi me tela me gjemba, e ruajtur nga ushtarë të armatosur… s’ka t’i japë: as bukë, as ujë… Gjela thotë vetëm një fjalë që përshkruan më shumë se një roman: “….me tu prish mendja”… “Vajza më ka vdek natën. Ishim, si me qenë dhjetë vetë këtu. Ishte Xhina Miraka. I thashë: “a ke ujë”? “Kam”, tha, “po kam pak”. “Po sa një pikë më jep, se asht tue më lyp vajza ujë, se asht t’u më vdekë. Dhe ma ka dhanë nji filxhan, që e kishte marrë vetë nga shpija. I dhashë me të…
Më lypte ujë… ‘ujë, ujë, mami, m’jep ujë”. S’kisha ujë fare. Tre vjeçe ishin Kanë vdek, sikur kanë le, kanë vdek, të dyja, prej tifos. Kishin ethe, temperaturë. Ishin prish krejt, pa pi pa ngranë… E merrsha në krahë, (Gjela bën me shenjë se vajza e mbante kokën varur) S’kisha ushqim as ujë me pi. S’kisha ku me dalë, se s’na linin me dalë. S’na linin. Vetmë për ushqim na kanë vdek. Për ushqim të dy vajzat tre ditë ndërmjet ishin, fiks tre vjeçe, na kanë vdek në kampin e Tepelenës…”
“Fëmijët në Tepelenë, për Zotin, vetëm për ushqim kanë vdekë. E laja vetëm njëherë në 10 ditë, se s’kishim ujë me e la. Nuk na linin me dalë jashtë me mbush ujë. Çezma ishte në oborr jashtë rrethimit. Dilnim me leje. Dhe s’kishim enë me mbush ujë. S’kishim asnji gjë. Na i kishte marrë shteti të gjitha, ca kishim mall e gja, të gjitha na i morën…”. Gjela hesht, nji grime kohe. Shtrëngon fort shkopin që nuk e lëshon nga vetja. Ajo natë në Tepelenë ia shkretoi gjithë jetën. Burri që iu vra, me idenë se ‘do t’i ndërronte faqen Shqipnisë’ i preu krahët dhe e la pa mbështetje. Por vajza, si ëngjëll që i iku atë natë në Tepelenë i shkretoi shpirtin.
E pyes Gjelën a kishte doktorë në kamp? Pse nuk kujdesej dikush për fëmijët e sëmurë? Dhe ajo shfaq befas indinjatë e një revoltë të fshehur.
“Jo jo.. jo, jo… Mos e fol! Çfarë doktori! S’kishte doktor atje. As doktor as infermier. Tek të internumit? Jo, jo, jo absolutisht… Pa pa pa… jo! Mos e fol! U lshoshim dhè e gjethe te kret. Me t’u prish mendja me fmitë… Vetëm t’u lut Zotin… vetëm Zotin. Vetëm Zotin!
Dy varre të vegjël, rrëzë një muri… Nuk mund ti imagjinoj dy gratë e mjera në orët e asaj nate pasi vdiqën në të njëjtën kohë dy vajzat e vogla. As agimin e atij mëngjesi që e pasoi. Gjela me katër fjali e mbyll këtë kapitull…
“I varrosem cucat, i varrosëm tu u lshue dhe e gur zalli. Ka qenë nji vorr italian. Në rraz të atij muri, i morëm leje komandantit, ramë në zall, morëm ca gur të bardh si voe (vezë), e i vumë akolle (rreth) për mos me e harrue vorrin…”.
Muajt që pasojnë nuk kanë lënë asnjë shenjë në shpirtin e saj. Gjela kujton vetëm ditën e lirimit. I lëshuan nga kampi e ju thane: “Ikni në shtëpitë tuaja…”. Pas kësaj vitet që pasuan lanë në shpirtin e Gjelës vetëm shenja vetmie. Ajo nuk u martua më kurrë. Përjetë mbeti gruaja e Preng Gjikolës dhe nana e Dilës së vogël… “Jetova…..tuj qa, tuj qa me fjalë, e tu ardh ke shpia. Kemi ba 12 ditë e 12 netë rrugë, në kambë nga Tepelena deri në Milot… Kanë vdek rrugës njerëzit. Hangrën ‘kokrra mreti’ (mare) e vdiqën. Kjo, kur jemi liru prej Tepelene! Nga Tepelena 12 ditë e 12 netë… Ishte hana, ecnim natën… Po ishim njerëz shumë, Mirdita krejt! “Na liroj shteti. Erdhëm n’shpi. Edhe fara e fisi na kanë nimu. Por na, ndodhëm larg shokësh. Na (Gjela dhe e kunata) kemi jetu bashkë me vjehrrin. Jetoi ai deri 100 vjeç… Pastaj vetëm kam nejt, gjithë jetën, fillikat. Na dhanë triskat e Frontit dhe himë në punë te miniera e Kurbneshit, kur u hap miniera”.
Pas 50 vitesh, kthim në Tepelënë…
Gjysëm shekulli më vonë, Gjela kishte të njëjtën zbrazëti në shpirt. Si i kishin lënë, gjithë këto vite, vetëm, atje në atë kamp të tmerrshëm, dy vajzat e vogla, nën atë qielli që çfarë nuk kishte parë, nën shi e borë, a vapë përvëluese, nën atë marshim të pandalshëm të stinëve? Pasi regjimi ra, Gjela dhe kunata e saj tashmë të moshuara, e gjetën mënyrën për tu rikthyer atje, ku i kishin varrosur të bijat, në vendin e shenjuar me gurë zalli e me marr prej aty shenjat që kishin mbet prej tyre.
“Kur erdh demokracia i bëmë thirrje Sali Berishës si familje. Kështu, kështu na ka ndodh. A ka mundsi me na dhane leje të shkojmë të marrim dy vajzat në Tepelenë. Dha urdhën Sali Berisha, kemi marrë tre deputetë Pal Dajçi, Gjovalin Prenga e nji nga Tirana e kemi shku në Tepelenë. Me 13 qershor (2006?). Kemi vojt e i kemi qit prej vorri cucat. Pluhun krejt ishin ba. Vetëm nga nji copë e vogël e djepave prej pishe kishin mbet… Kemi mor shenjat e i kemi çu te vorrat ke kisha e Shna Noit”.
Gjela ia doli të mbijetojë. Ajo nuk e jetoi rininë, as jetën me burrin që deshi, e sidomos nuk jetoi mëmësinë. Jetoi një jetë të zbrazët me mendjen mbërthyer tek ajo natë ferri në Tepelenë. Por siç thotë Gjela, jetën se kemi ne në dorë. Zoti desh që ajo të jetojë gjatë e të na dëshmojë ne këtë ngjarje. Edhe pse po bëhen mbi 40 vjet që është e sëmurë kronike nga astma, falë kujdesit të mjekëve në Rrëshen jeton ditët e moshës së saj të vonë…
“40 vjet e smurë jam. Këtu në Rreshen jam kuru. Doktor Simon Kala është i pritshëm. Po ashtu drejtori i spitalit Pjeter Pjetri.. Spital ma t’mirë se në Rrëshen s’ke në Shqipri…40 vjet ma kanë mbajt shpirtin gjallë doktorët e Rrëshenit. Tash jam fillikat. Nuk e kam vendos se ku me vdek. Veç zoti e di!/shekulli