Profesori dhe studiuesi i shquar, Aleks Luarasi, profesor i Historisë së Shtetit dhe të së Drejtës në Shqipëri u nda sot nga jeta në moshën 80-vjeçare.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të profesorit dhe studiuesit të shquar Aleks Luarasi.
Prof. dr. Aleks Luarasi u lind në fshatin Luaras të Kolonjës, më 22 mars 1941. Arsimin parauniversitar e kreu në Korçë dhe studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të UT (1963).
Nga viti 1972 – 2002, ai punoi për 30 vjet në Fakultetin e Drejtësisë të UT. Si pedagog i lëndëve Filozofia e së drejtës dhe Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri.
Gjatë kësaj periudhe ka qenë përgjegjës departamenti dhe zv.dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
Ai është autor i monografive “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut” (1998); “Studime për të drejtën zakonore shqiptare – Marrëdhëniet familjare” (2001). Autor i teksteve universitare “Akte juridike për historinë e shtetit dhe të së drejtës në Shqipëri (2014). “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri” (2018), si dhe i një vargu artikujsh dhe referatesh.
Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave (1991). Dhe anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Europës (1992 – 1998).
Ai është themelues i Shtëpisë Botuese “Luarasi University Press” (1998) dhe i Universitetit “Luarasi” (2003).
Në vitin 2018, u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin “Pionier i Arsimit”, për kontributin e tij në formimin dhe konsolidimin e sistemit modern universitar në vendin tonë./ATSH
LEXO EDHE: NDAHET NGA JETA ARTISTJA E NJOHUR, HUEYDA EL SAIED