Ndihem apo ndjehem? Ndiej apo ndjej? Si duhet të shkruhen…

mehmet elezi

Nga Mehmet Elezi

Ndiej apo ndjej? Si ndihesh apo si ndjehesh?
Të dyja janë fjalë shqipe. Bëhen joshqipe kur i hyjnë në hise njëra-tjetrës. Kanë prejardhje dhe kuptime të ndryshme.

I.
“Ndiej, me ndie”, e burimit indoeuropian të shqipes, ka dy kuptime kryesore:
– Dëgjoj. Nuk ndiej, kam dyll në veshë. E ndiem kur këndoi.
– Kam një ndjenjë. Ndiej të ftohtë. Ndiej keqardhje.
Kështu edhe trajtat pësore e vetvetore “Ndihem, me u ndie”:
– Kam një ndjenjë. Ndihet i kënaqur.
-Dëgjohem. Afroju pak, se nuk ndihesh. Nuk ndihet zhurmë.
Prej këtu emrat “ndjenjë“, “ndjesi“.
Prej këtu edhe mbiemri “i ndier” (gegnisht “i ndiem”). Sipas Fjalorit të Akademisë së Shkencave “i ndier” ka kuptimin: ”i dëgjuar, i përmendur, i njohur. Burrë i ndier”.

II.
“Ndjej, me ndje”, prej latinishtes indulgere:
– I fal një faj a gabim dikujt. Më ndjeni për shqetësimin. Më ndjeftë Zoti – më faltë Zoti.
Kështu edhe trajtat pësore e vetvetore: “ndjehem, me u ndje”: ndahem me dikë, duke e falur; më falen gabimet.
Prej këtu emri “ndjesë” = falje. Kërkoj ndjesë. Ndjesë pastë.
Prej këtu edhe mbiemri “i ndjerë” = jetëndërruar. Gjyshi i ndjerë. Edhe si emër: I ndjeri u përcoll.
Media, botimet dhe politikanët e bëjnë çorbë.
Shkruhet “…ndjehet i zhgënjyer”, “ndjehesha si në shtëpi” në vend të “ndihet i zhgënjyer”, “ndihesha si në shtëpi”.
Pyetja e parë në intervista, e gabuar: “Si ndjeheni, si u ndjetë kur”. Duhet “si ndiheni, si u ndiet kur”.
Kujdes duhet të bëjë ndonjë që rreket ma ua ba qejfin “shefave të mëdhenj“. Synon të thotë: “Është politikan i ndier i dëgjuar)”. Por në vend të “i ndier” shkruan “i ndjerë”. “Është politikan i ndjerë”!
Dhe e çon “shefin e madh“ në botën tjetër!

ObserverKult

————————————–

Lexo edhe:

MEHMET ELEZI: VITE APO VJET? SI DUHET TË SHKRUHET?

Vite apo Vjet? nga Mehmet Elezi

Shumësi i emrit “vit” del në dy trajta: “vite” dhe “vjet”. Media po e kryqëzon trajtën “vjet”. Shkruajnë:
-ka njëzet vite në punë;
-u takuan pas katër vitesh.
Duhet:
-ka njëzet vjet në punë;
-u takuan pas katër vjetësh.
Pse?

—————————————-

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU