Ndihem përherë më e përkryer, kur asgjë nuk kuptoj…

Nga Clarice Lispector

Të mos kuptosh, është diçka fort më e gjerë, përtej çdo botëkuptimi të mirëfilltë.
Ngase të kuptuarit, gjithmonë është diçka tejet e kufizuar, kurse të mos kuptosh, me gjasë është krejt e pakufishme.
Ndihem përherë më e përkryer, kur asgjë nuk kuptoj.
Të mos kuptosh, në mënyrën sikundër e kam shtjelluar, është mirëfilli një dhuratë e vyer.
Të mos kuptosh kurrsesi, ndonëse, nuk bëhet fjalë për ndonjë padije mendjelehtë.
Ngaqë gjëja më e mbrothët është të jesh i mençur, e sërish të mos kuptosh.
Ky është njëfarë bekimi tepër i çuditshëm, sikurse dikush është mbase i çmendur, pa vuajtur aspak nga marrëzia.
Është fjala për një shpërfillje të butë, njëfarë mefshtësie të ëmbël.
Veçse ndonjëherë shqetësohem ndopak: sepse dëshiroj të kuptoj sadopak.
Jo me tepri, gjithsesi: të paktën të kuptoj që asgjë nuk kam kuptuar.

Përktheu nga portugalishtja: Elvi Sidheri

ObserverKult


Lexo edhe:

UMBERTO ECO: GJUHA E PËRKRYER E DANTES