“Në ka ndonjë ndjesi të përhershme që ndjek punën e përkthyesit, ai është dyshimi, e sidomos kur vjen çështja te një poet si Giuseppe Ungaretti, themeluesi i rrymës së hermetizmit, i dhënë as zbulimit dhe përdorimit të fjalës si një entitet me valencë të mëvetësishme, ky dyshim të gërryen jo vetëm gjatë përkthimit, por edhe shumë më pas”.
Ky është shqetësimi që ka shoqëruar përkthyesen Aida Baro gjatë gjithë procesit të përkthimit në gjuhën shqipe të vëllimit poetik “Ndjenja e kohës”, e poetit italian Giuseppe Ungaretti, i cili tashmë është në duart e lexuesit nga shtëpia botuese “Pegi”. Përballë një autori si Ungaretti, që tenton të hulumtojë në honet më të thella të shpirtit njerëzor, dhe një vepre të shkruar thuajse një shekull më parë, çdo përkthyes do të ndihej i turbulluar, deri diku i stepur, por për Baron sjellja në shqip e tij ishte një sfidë, ku pas çdo vështirësie zbulohej kënaqësia e zbulimit. “E rëndë i është barra e jetës/Si për atë milingonën atje në dhe/Që branë heq flatrën e bletës së vdekur”, shkruan Ungaretti në poezinë “Lutja”.
“…Për mua nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë njohja nga afër me poetin, sepse gjuha e tij e lartë, simbolika dhe zbulimi i saj, e shndritshmja që del në pah, duke rrëmuar në të errëtën e tij, është si puna që duhet bërë për të pastruar e gdhendur faqet e diamantit”, shprehet Baro në parathënien e vëllimit poetik, në qendër të të cilit është njeriu me dilemat e tij të mëdha, me zgjedhjet që në kohën e Abelit dhe Kainit, mes dashurisë dhe urrejtjes, mes jetës dhe vdekjes.
O bari ujqish/Me dhëmbët dritë vetëtimtare/që shkon tej për tej ditët tona”, shkruan poeti te “Kaini”, teksa na paralajmëron se mallkimi mbi Kainin, që vrau të vëllanë, na ndjek të gjithëve në rrjedhën e kohëve.
“Njeriu i dhembjes, Ungaretti, tashmë është Njeriu (me Nj të madhe), poezia synon t’u japë zë konflikteve të brendshme, pikëpyetjeve dramatike – kërkimin e sigurive dhe limaneve; misterin: të ndierit e kohës, efemeren në raport me të përjetshmen, do të thotë poeti, – tensionit ekzistencial, rrugëtimit të dhembshëm për të kapërcyer të qenit tokësor”, shprehet për vëllimin “Ndjenja e kohës” Salvatore Guglielmino, kritik letrar, hartues antologjish letrare. Ndërsa për kritikun letrar, shkrimtarin dhe politikanin Romano Luperini, “Themelet e poetikës ungaretiane që pohohen në përmbledhjen e re janë mbi të gjitha dy: gjuha e çmuar dhe e lartë, thuajse hyjnore, që sjell kërkimin e një stërhollimi të lloji petrarkist, të orientuar drejt një poezie të vyer dhe sublime; si dhe liria analogjike”.
E sa më thellë futej në këtë botë “hermetike” ungaretiane, aq më tepër përkthyesja pyeste veten nëse do t’ia dilte. “Më shumë se një herë kam ndier druajtjen e natyrshme në do të mundem ta shpie deri në fund këtë projekt të madh dhe me peshë të jashtëzakonshme, por tashmë më duhet ta mbyll këtë dorë të artë, do ta quaja, me shpresën për t’iu rikthyer, ashtu si dhe Ungaretti rishkrimit të poezive, në një moment më të pjekur profesionalisht”, përfundon Baro.
VEPRA
“Ndjenja e kohës”, vëllimi i dytë me poezi i Giuseppe Ungaretti-t, botuar për herë të parë në vitin 1933 dhe më pas i pasuruar e ribotuar më 1936 dhe 1942, është një ndër arritjet më të larta të tij, ku pjekuria intelektuale dhe poetike do ta shpjerë të ndryshojë kryekëput nga “Allegria”, jo vetëm në temat e trajtuara, por edhe në metrikën e përdorur. Tashmë, i dashuruar pas Canto-s italiane, i pasionuar në zbulimin e poezisë së Giacomo Leopardi-t dhe Francesco Petrarca-s, ai i kthehet metrikës tradicionale, vargut njëmbëdhjetërrokësh, nëntërrokësh dhe shtatërrokësh, por duke mos humbur në asnjë çast esencialitetin, valencën, domethënien dhe përmbajtjen e thellë që duhet të ketë fjala në vetvete. Në këtë vëllim, Ungaretti i rikthehet neoklasicizmit dhe barokut, të cilin e ka zbuluar udhëve dhe peizazheve të Romës e përmes veprës së mahnitshme të Michelangelo-s. Kjo përmbledhje cek distancën e perceptuar mes së tashmes dhe së shkuarës, një distancë që kthehet në një humnerë thuajse të pamundur për t’u kapërcyer, qoftë si akt vullneti, qoftë si akti hiri nga lart. Ungaretti është i vendosur të përjetojë skajet e ndërgjegjes së tij, një “ndërgjegje e tmerrshme”, në mënyrë që të perceptojë boshllëkun. Paradoksalisht, pikërisht kjo i jep mundësinë të shërohet nga frika e këtyre kufijve. Me forcën dhe saktësinë e intuitës së tij medituese, arrin të kapërcejë atë çka në një poet më të zakontë do të kthehej në një inventar dhembjesh dhe frikërash personale: poezitë e tij na duken objekte përtej vetvetes për arsyen se ai kurrë s’e trajton veten e tij si shembull të të gjithë individëve. Ungaretti ngrihet mbi perceptimet dhe ndjenjat personale dhe na dhuron kështu gjithë “ndjenjën e kohës”.
AUTORI
Giuseppe Ungaretti është një prej poetëve më të mëdhenj italianë të shekullit XX. Ai njihet gjerësisht si njeriu që hodhi themelet e hermetizmit, një rrymë letrare që solli një tjetër frymë dhe formë në mënyrën e të krijuarit poezi. Përmes një pune të gjatë hulumtuese dhe eksperimentale, por edhe të refuzimit të modeleve stilistike tradicionale, Ungaretti kërkoi t’i kthente fjalës virgjërinë dhe risinë, duke e sjellë në një përmasë më thelbësore, të zhveshur e ndonjëherë qëllimisht të errët. Ai është fitues i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, një ndër të cilët çmimi ndërkombëtar për letërsinë “Neustadt”, më 1970./panorama.com.al