Ndjeshmëria poetike në “As qeni te porta nuk më njohu” të Arben Prendit

Nga Fatbardhë Hasi

Cikli poetik i Arben Prendit, i përmbledhur nën titullin As qeni te porta nuk më njohu, përbën një odise poetike që përfshin më shumë se njëzet e pesë vite krijimtarie. Këto poezi janë krijuar në periudha të ndryshme kohore, dhe bashkohen nga disa motive dhe karakteristika të përbashkëta, siç janë: mungesa, vetmia, ikja, malli, dhimbja, zhgënjimi, dhe herë pas here, edhe ndjesi të zbehta dashurie. Ato reflektojnë një gjendje të thellë emocionale dhe ekzistenciale, e cila lidhet ngushtë me përvojat personale të autorit.

Në aspektin tematik, poezitë trajtojnë përballjen me humbjen brenda një ambienti që të ngufatë dhe ndjenjën e izolimit, çka e shtyn subjektin lirik drejt një kërkimi të vazhdueshëm për identitet të ri dhe për lidhje emocionale. Poezia e parë dhe ajo e fundit të vëllimit lidhen ngushtë me njëra-tjetrën, duke ndërtuar narrativën e një udhëtimi të vazhdueshëm të poetit, i cili ndihet si një Odise i humbur që nuk arrin të gjejë vendin e tij, pavarësisht se ku e hedh fati.

Në poezinë e parë, subjekti lirik kthehet në shtëpi pas një rrugëtimi të lodhshëm dhe shpirtërisht rraskapitës, i ngarkuar me përvoja që kanë lënë gjurmë të thella. Kthimi në shtëpi, me shpresën për të gjetur paqen dhe qetësinë, rezulton në një zhgënjim të dyfishtë: jo vetëm që nuk gjen atë që ka lënë pas, por tashmë asgjë nuk është më si më parë. Autori e përmbys mitin homerik të kthimit të Odisesë, duke e paraqitur subjektin e tij si të huaj në shtëpinë e vet, madje deri në atë pikë sa nuk njihet as nga qeni besnik.

Itinerari që përshkruhet në poezitë e tjera të ciklit ndikon thellësisht në formimin e subjektit lirik, duke e ballafaquar me kriza të brendshme që çojnë në një transformim të plotë të identitetit të tij. Në fund, ai nuk është më në gjendje të njohë as vetveten, duke reflektuar një gjendje të rëndë emocionale gjë që rezulton të mos përshtatet më as me mendimet e veta.

Trokas në portë,
S’më njohin mendimet e mia kush jam
e zanë e më lehin me skërmitje,
si robit të huej... (Prendi, 2024)

Tashmë, lufta e brendshme intensifikohet, duke e vënë subjektin lirik përballë mendimeve të veta. Ky konfrontim paraqet një gjendje të rëndë psikologjike, pasi përplasja dhe mospajtimi nuk vijnë më nga jashtë, por krijohen në vetëdijen e individit si pasojë e ndikimeve të mëdha të realitetit të jashtëm.

Një pjesë e konsiderueshme e poezive në këtë cikël ndërtohet mbi motivin e udhëtimit, ikjes dhe lëvizjes, qoftë në kuptimin fizik, qoftë në atë shpirtëror, psikologjik apo imagjinar. Këto lëvizje shërbejnë si metaforë për gjetjen e një vendi, krijimin e një kuptimi ose një rikthimi tek vetja. Disa prej poezive që e përqafojnë këtë tematikë janë: Për më mbërrite te ti; Motër mos u ban qyqe balade; Ik prej këndej; Vetëm shi bije; Nuk due me kthye.

Baladë e sandaleve të prishura
Të dashurat e mia lëkuror
si më braktisët papritur kështu?
Rripat, mbërtheckat fine,
u këputën, humbën, ku?

Asnjë këpucëtar, nuk pranon fytyrëngrysur,
të merret me ju, t’ju lidhë plagët.
Eh, ç’kohë e artë kur të pagrisura
i përqeshnim këpucëtarët!

Për braktisjen, pabesinë mizore,
në plehra do t’ju flak,
botës t’i bie rrotull zbathur,
si endacak.

Në poezinë e mësipërme, autori i kushton një elegji sandaleve, objekte që në dukje janë të thjeshta, por që për poetin bartin një vlerë të thellë emocionale dhe simbolike. Subjekti nuk i sheh ato vetëm si mbathje të zakonshme, por si mike të një udhëtimi të gjatë e të përbashkët. Kërkimi i tij për t’i riparuar, edhe pse rezulton i pamundur, shpreh dëshirën për të ruajtur lidhjen me to dhe për të shmangur ndarjen përfundimtare.

Refuzimi i këpucëtarëve për t’i riparuar simbolizon refuzimin e shoqërisë për të ndihmuar ose për të ruajtur atë që është e vjetër, tradicionale, por ende e dashur për individin. Në këtë situatë pa rrugëdalje, ndarja bëhet e detyrueshme, dhe subjekti e pranon fundin, duke i flakur sandalet në kosh mbeturinash, por njëkohësisht duke ruajtur nostalgjinë dhe kujtimin e kohëve të përbashkëta. Poezia përfundon me një imazh të fortë të subjektit që, i zhveshur nga ajo çka ka qenë, vazhdon udhëtimin si një endacak, zbathur dhe i vetmuar.

Përmes përdorimit të personifikimit, autori u jep objekteve të pajetë tipare njerëzore, duke i dhënë poezisë një thellësi emocionale të veçantë. Sandalet, në këtë kontekst, përfaqësojnë më shumë sesa një send, ato janë metaforë e marrëdhënieve, kujtimeve, por edhe e humbjeve që njeriu përjeton në jetën e tij. Poezia prek gjithashtu një aspekt social, duke reflektuar mbi vështirësinë e zëvendësimit, mungesën e përkujdesjes dhe pamundësinë për t’u përshtatur me një palë të reja.

Shumë prej poezive të këtij vëllimi paraqesin një ndjenjë të theksuar malli dhe nostalgjie për të shkuaren. Kjo ndjenjë shprehet edhe përmes përfytyrimeve të së kaluarës që rishfaqet papritur në të tashmen, me një farë dëshire për të rifilluar atë që ka mbetur përgjysmë, siç ndodh në poezinë e më poshtme:

Ishte po aq e bukur sa ç’kish qenë
kur iku hareshëm pas një koke tjetër,
e braktisur më ftoi t’i shkoja përsëri pas,
por e përshëndeta lehtë në muzg:
Lamtumirë, ëndërr e vjetër!

Këtu paraqitet një kthesë e rëndësishme: ndonëse e kaluara ofron mundësinë e një rikthimi të asaj që ka mbetur në gjysmë, subjekti nuk e pranon më. Në vend të ndjekjes të së njëjtës ëndërr, ai zgjedh t’i japë fund iluzionit, me një paraqitje të qetë por përfundimtare. Këtu dëshmohet një akt pjekurie emocionale dhe reflektimi i thellë mbi kohën, ku ndarja dhe pranimin i realitetit të ri është i domosdoshëm.

Disa nga poezitë në ciklin e Arben Prendit janë ndërtuar mbi logjikën e marrëdhënies shkak–pasojë. Gjithmonë ekziston një arsye që na detyron të kujtojmë apo të kuptojmë tjetrin. E të kuptosh tjetrin bëhet e mundur vetëm kur vetë i ke rënë asaj rruge, ashtu siç e thotë edhe fjala e urtë popullore: “Të vijën të më shohin, vetëm ata që kanë rënë nga dardha.” Poezia Për çadrat dhe dashuritë ndërtohet mbi këto parime. Për çadrat kujtohemi vetëm kur bie shi, domethënë vetëm kur na nevoiten. Më pas, në të njëjtën frymë, konstatohet se hallin e atij që është ende në rrugëtim mund ta kuptojmë vetëm pasi vetë kemi përfunduar udhëtimin tonë të gjatë. Poezia përmbyllet me një reflektim të fortë mbi natyrën njerëzore, e cila jo rrallë arrin të vlerësojë atë që ka, për aq kohë sa e posedon. Vlera e gjërave, qofshin ato ndjenja, njerëz apo përvoja jetësore, shpesh bëhet e dukshme vetëm pasi i kemi humbur. Siç shprehet në vargun përmbyllës: Dashuritë i kuptojmë, vetëm kur i humbim…

Një tjetër poezi që veçohet për qasjen e saj origjinale është Tirana pa statujën e diktatorit, e cila funksionon si një poezi peizazhi urban. Ajo përshkruan një ditë të zakonshme në kryeqytetin shqiptar pas rrëzimit të simboleve të diktaturës, konkretisht statujës së diktatorit. Jeta e përditshme vijon me itinerarin e vet të zakonshëm: lëvizjet e makinave dhe autobusëve, kalimtarët, kioskat e gazetave, tregu i mallrave dhe ushqimeve, gjithçka zhvillohet në një rrjedhë të zakonshme, pothuaj indiferente. Për më tepër vihet në pah edhe qetësia e policëve, si një dëshmi e ndryshimeve në përmasat e autoriteteve dhe kontrollit publik.

Ironia arrin kulmin kah fundi i poezisë, ku autori i bën një nderim të fundit diktatorit, në mënyrë simbolike dhe tejet ironike, përmes një veprimi të papërfillshëm, por shumë kuptimplotë, ku si preteks merret një fëmijë:

në podiumin e shkulun të statujës së diktatorit,
një fëmijë tre – katër vjeçar,
urinon pafajsisht.

Lëvduar qofsh, i them
je i falun kësaj here, miku im,
le të jetë për të,
i fundit nderim
në emën të popullit.

Këto vargje përmbajnë një akt të fuqishëm simbolik, ku pafajësia e një fëmije zëvendëson aktet ceremoniale të së kaluarës. Përmes këtij momenti, autori ironizon jo vetëm individin si pjesë të një shoqërie në tranzicion por edhe vet figuren mitike të diktatorit në të kaluarën, duke mos lënë anash as shoqërinë që i bën llogaritë me të kaluarën e vet. Ky nderim i fundit nuk paraqitet si një shenjë urrejtjeje, por si një akt çlirimi, një përkufizim i faktit që hija e diktaturës është zbehur dhe tashmë e ka të pamundur të ushtroj forcën dhe pushtetin e saj.

Cikli i poezive dedikim për nënën, përbën një nga pjesët më emocionale dhe më të sinqerta të vëllimit poetik të Arben Prendit, ku ndërtohet me përkushtim raporti bir – nënë. Në letërsinë shqipe, është më e zakonshme që nënat të jenë figura që u drejtohen fëmijëve përmes poezive, ndërsa më rrallë hasen krijime ku biri i drejtohet nënës me kaq ndjenjë, thellësi dhe emocion.

Nisur nga poezia Motër mos u ban qyqe balade, ku rrëfehet thyerja e një premtimi dhënë nënës, e deri te poezia Nana dhe Baba hynë në kornizë, që dëftohet vdekjen e prindërve dhe kalimi i tyre në pavdekësinë simbolike brenda një fotografie, janë pesë poezi që përbëjnë një cikël të ndërlidhur emocionalisht. Këto poezi ngërthejnë ndjenja të ndryshme dashuri, krenari, faj, dhimbje dhe mungesë, që ndërlidhen në mënyrë të natyrshme në vargje të ndjera.

Dashuria për nënën përshkon pothuajse çdo varg, ndërsa ndjenja e krenarisë shfaqet veçanërisht në poezinë Nana, ku ajo përshkruhet si një figurë stoike dhe heroike, një nënë kreshnike që nuk është ankuar kurrë, as para vështirësive më të mëdha:

nana jonë ishte nanë e fortë, nanë kreshnike,
prej sojit të nanave që nuk lejnë ma në këtë
epokë:…

Ndjenja e fajit rëndon mbi subjektin lirik te poezia Motër mos u ban qyqe balade, në lidhje me pamundësinë për të përmbushur dëshirën e nënës që të shohë të bijën. Kjo përvojë merr një dimension të thellë mitik, duke hyrë në dialog intertekstual me mitin e Kostandinit dhe Doruntinës, ku fjala e dhënë dhe mosmbajtja e saj bëhet burim dhimbjeje dhe ndjenje faji.

Ndërkaq, dhimbja dhe frika shprehen në mënyrë të përmbajtur, përmes një gjuhe të thjeshtë, por thellësisht emocionale, për atë që po pritet të ndodhë si proces i pashmangshëm i jetës, është paraqitur me këto fjalë: Nana gati nuk asht ma

Kurse në poezinë që paraqet tashmë vdekjen e saj, mungesa merr trajtën e një përvoje të përditshme, ku kujtimi dhe malli për nënën shfaqet përmes ëndrrave dhe prekjes së ftohtë imagjinare që mbetet në mendjen e poetit duke krijon një relacion mistik me nënën e vdekur tashmë:

Tash që nana nuk asht ma gjallë,
na andrrojmë për nanën,
e ajo na vjen me radhë,
nëpër andrra,
– një e prekun e ftohtë nëpër flokë mbasmesnate
asht ajo.

Dy poezi të ciklit i janë dedikuar Lindës, me shumë gjasë bashkëshortes së autorit. Në poezinë e parë, poeti i drejtohet Lindës si vajzë sy bukur, duke i kërkuar të largohet nga ai vendi i sëmurë ku të dy bashkëjetojnë. Ai madje e pranon me qetësi idenë e mungesës së saj, nëse kjo do të përbënte një të ardhme më të mirë për të. Kjo sakrificë është një provë e dashurisë së madhe dhe të pakushtëzuar.

Poezia tjetër është një paraqitje më e thellë e dashurisë, ku autori e përshkruan atë përmes krahasimeve me dukuritë natyrore. Dashuria si e tillë përkufizohet si e pastër, pa fjalë dhe e stabile, që rritet natyrshëm, pa eksagjerime dhe pa kushte:

Dashunia asht,
si trendafil erëmirë,
si vena e mirë.

***

Dashunia, e jona
asht e qetëm, e ambël,
e plotë, e sigurtë,

***

Asht si lumi pranveror…

***

Si bima,
nuk ka nevojë për vazo,

***

Një gjethe e saj ndërrohet,
me një tjetër,

***

Asht pra dashuria jonë!
Nuk i njoh sa duhet të tana trajtat e dashunisë
por kjo e jona asht,
e kësojetshme.
E heshtun,
e pabujë,
e vetëmjaftueshme,
edhe pse jetojmë në një botë,
tmerrësisht të ndryshme…

Këto vargje e paraqesin dashurinë si një forcë e brendshme, që arrin të jetoj pavarësisht rrethanave të jashtme. Ajo nuk varet nga mjedisi ku frymon personi, por nga thellësia e ndjenjës dhe përkushtimi i dy njerëzve që e ushqejnë atë.

Vëllimi poetik, As qeni te porta nuk më njohu, lë pas vetes një ndjesi të hidhur mbi jetën dhe realitetin shoqëror. Poezitë e këtij cikli janë krijuar në një kohë të vështirë, kur shoqëria shqiptare kalonte një tranzicion të thella politike, sociale dhe shpirtërore. Pasojat e asaj kohe, të mbushur me dhimbje, zhgënjim dhe ndarje, janë të pashmangshme dhe të pranishme në tekstin poetik.

Poezia e Arben Prendit, në shumë aspekte, është një dëshmi e gjallë e shumë plagëve shoqërore. Ajo është e njollosur nga pasojat e realitetit të përjetuar. Pikërisht për këtë arsye, këto poezi e ruajnë fuqinë e tyre për të prekur ndjeshmërinë e lexuesit dhe për të thënë të pathënën me një gjuhë të heshtur, por të thellë.

ObserverKult


Lexo edhe:

“NËNË HALIMES”, POEZI NGA FATBARDHË HASI