Ndoc Papleka: Rrëfimi i erës për vrasjen e poetit

Unë sot jam dhimbje,
Kam prekur trupin e Jusuf Gërvallës.
Nuk e njihja për së pari,
Atë e kisha mik të vjetër.
E kam parë para një mijë vjetësh,
Me tirq të bardhë dhe me kapuç të bardhë
Si shpatë e larë në gjak mbante qiellin që të mos rrëzohej
E në shpinë mbante plagën e tokës kosovare.

Të vranë natën he i qëlloftë nata,
Ata njerëz më të zi se nata,

Kur të mori plumbi i parë – u dogj një pishë në majë të Sharrit.
Kur të mori plumbi i dytë – doli nga varra një tufë pëllumbash
Dhe u nis fluturim për Dukagjin.
Kur të mori plumbi i tretë – gjaku yt kuqloi mbi botë.

Mbrëmë, vranë Jusuf Gërvallën!

Kur të dalin gjethet e reja
Qyqja do të ulet mbi degë të ullirit por, s’do të thotë kurrë ku–ku Jusuf.
Ti nuk je djalë i pa djalë,
As vëlla i pa vëlla,
Sot je vëlla me ata që s’vdesin
Je vëlla me brezat që vijnë
Se gjakun tënd ia fale diellit.

Të vranë natën, he i qëlloftë nata, pa i puthur edhe njëherë fëmijët,
Pa e mbaruar vjershën e re,
Pa i mbushur edhe njëherë sytë me re e zogj që vijnë nga jugu,
Pa e kafshuar edhe një mollë Peje…

Unë sot jam dhimbje
Kam prekur trupin e Jusuf Gërvallës,
Nuk e njihja për së pari,
Atë e kisha mik të vjetër.

E kam parë para një mijë vjetësh,
Në tirq të bardhë dhe me kapuç të bardhë
Si shpatë e larë në gjak mbante qiellin që të mos rrëzohej
E në shpinë mbante plagën e tokës kosovare.