Biblioteka Kombëtare ka ekspozuar në Teatrin e Operas, 11 vëllime e 844 gravura të veprës së “Përshkrimit të Egjiptit”. Drejtori Pirro Misha rrëfen veprën, të konsideruar nga vetë institucioni si një nga perlat e koleksionit të botimeve të rralla
“Për këtë ekspozitë patëm edhe ndihmën e Ministrisë së Kulturës, sepse vetë biblioteka nuk ka fonde investimesh. Kjo ekspozitë shërben për të kuptuar se ka ardhur koha që të gjitha ato që quhen thesare të Bibliotekës Kombëtare të bëhen publike”, thotë drejtori i Bibliotekës Piro Misha.
11 vëllime e 844 gravura të veprës “Përshkrimi i Egjiptit, ose, Koleksioni i vëzhgimeve dhe kërkimeve që u bënë në Egjipt gjatë ekspeditës së ushtrisë franceze…” (Në origjinal “Description de l’Egypte, ou, Recueil des observations et des recherches qui ont été faites en Egypte pendant l’expédition de l’armée française….”), i rrinë ngushtë hapësirave të godinës ekzistuese.
Të gjetura rishtazi gjatë rikonstruksionit të Aneksit të Bibliotekës, këto vëllime të botuara në Francë gjatë viteve 1809-1829, konsiderohen nga Biblioteka Kombëtare, si një prej perlave të koleksionit të botimeve të rralla.
“Gjatë fundit të shekullit të XVIII-të, Napoleon Bonaparti bëri ekspeditën e Egjiptit. Mori me vete 167 shkencëtarë, piktorë, dijetarë etj., të cilëve iu vu si detyrë të studionin gjithçka për Egjiptin”, rrëfen studiuesi.
Piktura, historia e natyrës, muzika, ekspedita shkencore e të tjerë, studiuesit e Bibliotekës theksojnë, se në këto vëllime dëshmohen fillimet e egjiptologjisë si shkencë, e njëherazi shpaloset edhe impakti i artit të Egjiptit të Lashtë, në botën perëndimore.
“Është një libër për të cilin u deshën 20 vjet për t’u botuar. Përfshihet gjithçka që ka lidhje me antikuarët, me Egjiptin e Lashtë por edhe Modern të Kohës, historinë e natyrës, hartat etj. Ka një vlerë shumë të madhe”, shprehet Misha.
E botuar në Francë, vepra ka disa bashkautorë ku përfshihet edhe Napoleon Bonaparti, si dhe disa institucione shkencore egjiptiane të kohës. Artisti kryesor i kartës topografike ishte Alekxandre Blondeau.
Versionet e botimeve të para kanë qenë katër, ndërsa kopjet e fundit të kësaj vepre u paraqitën kryesisht si dhurata kombëtare. Të dhënat sa i përket mënyrës se si erdhën në Shqipëri, apo kohëzgjatjen në raftet e Bibliotekës vendase mungojnë.
“Ekspozohen për herë të parë. Kanë qenë aty, nuk dimë të themi nga kanë ardhur. Biblioteka ka mbi 100 vjet, por mund të kenë ardhur para luftës”, shprehet më tej.
Sot, këtë vepër e gjen lehtësisht të digjitalizuar në disa biblioteka të huaja, ndërsa aksesi fizik në Bibliotekën tonë do të haste vështirësi, transmeton ‘shqiptarja.com’.
“Është një botim që padyshim ekziston në disa biblioteka të mëdha, në disa muze, por konsiderohet një botim mjaft i rrallë, mjaft i vyer”, rrëfen Misha.
Në ekspozitën e mbajtur në kuadër të Javës Kulturore Egjiptiane, morën pjesë edhe Ministrja e Kulturës së Egjiptit, përfaqësues të ambasadës egjiptiane në Tiranë si dhe studiues të ftuar.
Ndërkaq vizitorët, e kanë kohën e limituar për të parë ekspozitën në hapësirat e “Operas”. Në mungesë të një godine të re, apo plani të afërt për ta pasur një Bibliotekë Kombëtare dinjitoze, institucioni do të vijojë të ekspozojë në hapësira të huazuara.
Lexo edhe:
NJË NGA BIBLIOTEKAT MË TË PASURA PRIVATE NË SHQIPËRI, BIBLIOTEKA E FAMILJES VLORA
ObserverKult