Në thellësinë e natës, të ramet e forta të derës së shtëpisë , ma nxorën gjumin, hapa sytë e mbeta i çuditun… Të tanë ishin të çuem e në lëvizje; mbas pak, baba Pjerin iu afrue derës së jashtme e, me za të fortë, pyeti: -Kush jeni e çka doni në kët orë të vonë?-Nji za u ndigjue prej jashtë: – Hape derën, jemi Sigurimi i Shtetit, kemi ardhur për kontroll ….Hijet e natës erdhën, morën me vete baben e u zhdukën në errsinë…
Nga: Filip Pjeter Guraziu
Prologu
Në shkurt të vitit 1951, në moshën shtatëvjeçare frekuentojsha klasën e dytë fillore në shkollën “Ali Demi”, Tiranë që ishte vetem 100 m. larg shtëpisë ku banojsha.
Duket se faktori moshë nuk më pati lejue ose nuk më pati mundësue ndërgjegjësimin e përjetimin real t’asaj situate ” të pandigjueme e të papame” që po kalonte shoqnia shqiptare me instalimin e diktaturës komuniste: Dhuna s’kishte mbarim; arrestime në rrethin familjar, pushkatime në rrethin miqësor, internime familjesh, shpronësime, nxjerrje me urdhën prej shtëpive, mungesa e fjalës së lirë etj., sepse kujtimet e mia lidhen kryesisht me mjedisin e dashun familjar, me gëzimin e entuziazmin që më krijonte njohja me shokët e ri të shkollës ( ndër të cilët kujtoj Hajredin Fratarin) si edhe me lojnat sportive, sidomos atë të futbollit me top pecash e porta të kufizueme me gurë, pa harrue “gjuetinë” me lastik…
Ndryshe prej të mëdhajve, jeta ime rrjedhte e qetë; më kujtohet që baba Pjerin ( Pjeter), n’atë kohë në moshën 44 vjeçare, ishte jashtëzakonisht i ngarkuem në detyrën e tij si shef finance në ministri , sepse kthehej shumë vonë prej punës, vetem të dieleve ishte pranë familjes, paraditja e së cilës kalonte me pjesëmarrjen ( familjarisht) në meshën e Kishës Françeskane e vizita të shkurta në familjet e miqve. Kur Lana kishte ujë pak, ndiqshim rrugën ma të shkurtë për me shkue te Kisha tue kalue mbi disa gurë të mdhaj të pozicionuem mbi shtratin e vijës ujore.
Tingujt e pianofortes në shtëpi ishin të përditshëm, muzika më krijonte nji ndjesi të veçantë. Notat muzikore i pata nxanë përpara shkrimit në shkollë sepse axha, pianisti Tonin Guraziu, pati përdorë “figura vizatimore” si ndihmë për me kuptue notat ( nji “rreth” donte me thanë nota “re” etj). Ndigjojshe që axha i thonte të tjerëve se Filipi ka talent për piano, suksesi i im i parë ( dhe i fundit) pati qenë nji koncert në radio Tirana në moshën 6 vjeçare.
Rrfeja në natën me yje
Në thellësinë e natës së 22 Shkurtit, të ramet e forta të derës së shtëpisë , ma nxorën gjumin, hapa sytë e mbeta i çuditun… Të tanë ishin të çuem e në lëvizje; mbas pak, baba Pjerin iu afrue derës së jashtme e, me za të fortë, pyeti: -Kush jeni e çka doni në kët orë të vonë ? Nji za u ndigjue prej jashtë: – Hape derën, jemi Sigurimi i Shtetit, kemi ardhur për kontroll! Baba vazhdoi: – A asht me ju përfaqësuesi i Këshillit të Lagjes, filani….? – Pa praninë e tij, nuk ju hap derën !
NJi za prej jashtë, urdhnoi njerëzit e tij: Urgjent sillni këtu përfaqësuesin e Këshillit të Lagjes…. Ra heshtje…, baba erdhi me shpejtësi në oden e gjumit dhe lëvizi sintoninë e radios, veprimin e kuptova…( sintonia duhej me qenë te Radio Tirana…!)
Mbas pak u ndie zani i përfaqësuesit të Këshillit të Lagjes e baba hapi derën: Tre njerëz të veshun me tesha ushtarake u futen mbrendë. Njeni, duket kryetari i grupit, pyeti baben; -Ti je Pjerin Guraziu? e pa marrë përgjigje, me za të naltë i tha: – ” Në emër të popullit je i arrestuar”, do vish me neve për një sqarim në Degën e Punëve të Brëndshme, bëhu gati!
Heshtje vorri në shtëpi…Nana ndihmoi baben për përzgjedhjen e teshave….Baba veshi tabaren e tij të trashë të zezë prej leshi, vuni kapelen republika ( nën vrojtimin e panderpremë të rojes) e doli në korridor ku e izoluen në nji qoshe.
Vetem mue si fëmijë më lejuen t’i afrohem. Kurrë nuk mundem me e harrue atë skenë që fatalisht paska pasë qenë e fundit! Baba kërkoi barnat që merrte kundër sëmundjes së ulçerës e pyetjës së Dadës së shtëpisë, Dilës: “Çka na bane more Pjerin, more në qafë vedin e familjen”?, iu përgjegj me za të naltë për me e ndie të tanë: – ” Mos u bani marak, rrini të qetë, jam i pafajshëm, nuk kam ba kurrgja, çdo gja ka me u skjarue e shpejt kam me u kthye në shtëpi !
Hijet e natës erdhën, morën me vete baben e u zhdukën në errsinë…
Të nesërmen u muer vesh se në Tiranë, gjatë netëve 20 deri 22 Shkurt ishin arrestue mbi 170 vetë…!
Nji ditë mbrapa erdhën lajme se shumë prej atyne që ishin arrestue, kishin fillue me u lirue., lajme që zgjuen shpresën në familje për lirimin edhe të babës, për të cilin të gjithë kishin besim të plotë se ishte i paster, sepse ai dinte: ” vetem punë e familje e vetem familje e punë. Kaluen ditë e baba nuk u kthye, por shpresa ishte e fortë, të tanë kishim besim…!
Ndër ato ditë ankthi e trishtimi, mue më çuen çdo ditë në shkollë, vazhdojsha me zor mësimin, mendjen e kisha tjeterkund…
Në datën 27 Shkurt 1951, në orën e dytë të mësimit, erdhi motra (Sisi) në klasë e më mori për në shtëpi. Gjeta shumë njerëz, përveç pjestarve të familjes sime dhe të Zef Guraziut ( axha i babës) me kujtohen; kushrini Emil Shiroka e shoku i babës Ing. Filip Geci. Të gjithë të veshun për zi! Heshtje e vajtime, vajtime e heshtje; heshtje e vajtime, vajtime e heshtje…!
Atë moment kuptova se në vend të ardhjes së babës , kishte pasë ardhë nji pusull me shkrimin :
” Pjerin Guraziu është pushkatuar si armik i popullit e i Partisë”. Rrfeja komuniste kishte mblue në zi familjen e Pjerin Guraziut e kishte përplasë përtokë, pa ndjeja, të vejen 36 vjeçare të Pjerinit, nanën Inda!
Diktatura e proletariatit kishte triumfue mbi pafajsinë…
Epilogu
Mbas 40 vjetve , në 10 Gusht të vjetit 1991, me urdhën “prej nalt”, Plenumi i Gjykatës së Naltë rishqyrtoi proçeduren ligjore të masakrës terroriste të 26 Shkurtit 1951 ku u torturuen e u pushkatuen baba Pjerin dhe 21 intelektualë të tjerë e doli me vendim: ” Prishjen e vendimit Nr.64, datë 27.02.1951 të Gykatës së Lartë Ushtarake Tiranë dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të…, tue argumentue se:
“Të 22 viktimat e 26 Shkurtit 1951 ishin të pafajshëm, nuk kishin lidhje me akuzen e ishin pushkatue pa proçes gjygjsor, por vetem me vendim terrorist të Byrosë Politike enveriste. “Gjygji i montuem” i cili ishte tentue me u organizue mbas pushkatimit të 22 intelektualëve, në realitet ishte nul, mbasi në vendimin e tij nuk figurojshin firmat e trupit gjykues”.
Në vjetin 1993, falë përkushtimit të Z.Hysen Shehu, u zbulue ” gropa e kuqe” ku patën qenë hjedhë të gjallë e mandej pushkatue të 22 viktimat e 26 Shkurtit ( kjo e vertetueme prej faktit se eshtnat e gjetun në ” gropen e kuqe të gjakut” idhin të lidhun me tela e se në pjesën e siperme të kafkave të viktimave dalloheshin birat e plumbave). N’at gropë, përveç eshtnave, dallova e mora në dorë edhe copat e tabares së zezë të babës Pjerin, emocioni thirri kujtesen e kujtesa më solli përpara korridorin e shtëpisë, tabaren e zezë prej leshi e baben në kambë, i qetë që prej larg më lente nji porosi: Kurrë komunizëm !
Me vendim unanim të famijarëve te viktimave, të 22 intelektualët e martirizuem u vorrosën së bashku në nji vorr monumental në Tiranë.
Pjerin Guraziu së bashku me 21 “Martirët e Pafajsisë”, me vendim të Presidentit të Republikës së Shqipnisë, Z. Bamir Topi në vitin 2011 u shpall ” Nderi i Kombit”.
F.G.
( Pjesë e librit ” Dromca kujtimesh”, dergue për publikim)
- Pjeter Filip Guraziu ( sintetike )
* Leu në rrugën e Gurazezve, Gjuhadol, Shkodër, datë 30.10.1906 në familjen Gurazezve me kontribut qytetar, kulturor dhe patriotik.
* Në vjetin 1912, në moshen 6 vjeçare, transferohet me familjen në Bari-Itali, ku arsimohet. Përfundon Shkollen e mesme Tregtare e në vjetin 1929 merr doktoraturen për Ekonomi pranë Universitetit të Barit – Itali.
* Gjatë vjetëve të universitetit shperthen si talent në atletike tue u shpallë disa herë kampion i Universiadave italiane në vjetët 1924,1925 etj. Rezultati në ‘kërcim së gjati’, i kapun në vjetin 1925 në moshen 18 vjeçare prej 6.15 m. përban rekordin e parë të dokumentuem në historinë e atletikës shqiptare. Në vjetin 1930 shpallet Kampion Kombtar në atletikë për garen stafete 4x100m – Tiranë.
* Kthehet në Shqipni në vjetin 1929 dhe fillon punën si pedagog pranë Shkollës se Mesme Tregtare në Vlonë. Mbrapa punësohet si drejtor në Doganën e Tiranes. Gjatë vjetëve të okupacionit italian tërhiqet në aktivitetin privat të familjes që drejtohej prej të atit. Martohet në 1938 me Ermelinda Saraçin, zoti i fali dy femije; Elizabeten dhe Filipin.
* Në tetor 1944, ftohet me marrë pjesë në formimin e qeverisë së re demokratike në Berat konsideruem intelektual i pakomprometuem me okupatorët.
* Ishte anëtarë i Komisionit Kombtar të Atletikës për organizimin e lojnave të Ballkaniades që u zhvilluen në Tiranë, ne vjetin 1946.
* Gjatë periudhës 1945 deri 1951 sherbeu në detyra të randesishme pranë dikastereve qendrore të shtetit shqiptar ( shef finance në Ministritë e Bujqësisë, Minierave )
* Me 22 Shkurt 1951, arrestohet e mbas torturve në qeli, në naten e 26 Shkurtit 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë të lidhun me tela me gjemba e te zhytun në nji gropë plot me balte bri lumit Erzen, pushkatohet … ; ky ishte “kurbani” i servilizmit me të cilin komunistat-terroristë; Enver Hoxha, Mehmet Shehu & company, kerkojshin falje prej “babà Stalinit” për paaftësinë e tyne për me mbrojtë Legaten Sovjetike në Tiranë…
Shkoder, 11.01.2021.
kujto.al
—————-
Lexo edhe:
Si u frikësua Nexhmije Hoxha pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës?
ObserverKult