Fitues i Konkursit Ndërkombëtar të mbajtur 3 vite më parë, Ardian Pepa kërkon zgjidhje për shtatoren e porsitur nga Bashkia Lezhë, të mbetur në magazinë. Kjo e fundit pretendon se ende është duke kërkuar një vend të përshtatshëm dhe se pret përgjigje nga Ministria e Kulturës
“Skënderbeut” në bronz, do t’i duhet të presë ende për të shkuar në Lezhë. E ngecur për 3 vite në një magazinë në Vaqarr, për shtatoren fituese të konkursit ndërkombëtar të Beslidhjes së Lezhës (2 mars 2019), bashkia e qytetit thotë në një përgjigje për Report tv, se ende nuk ka gjetur një vend për të.
Ndërkaq një muaj e gjysmë më parë autori, Ardian Pepa, të cilit 3 vite më parë Bashkia i kërkoi të përshpejtonte ritmin për statujën, ngriti shqetësimin e tij, pasi as institucionet nuk po e marrin përsipër monumentin, e njëherazi nuk i japin aporvimin për vendosjen e tij gjetkë.
“Plani i Bashkisë Lezhë për këtë statujë monumentale vijon të jetë gjetja e një vendi sa më të përshtatshëm për vendosjen e saj.”, përgjigjet Bashkia Lezhë, në një shkresë të Drejtorisë së Turizmit dhe Kulturës të firmosur nga kryetari Pjerin Ndreu, transmeton ‘shqiptarja.com’.
Tentativa e Bashkisë për ta vendosur statujën në sheshin “Gjergj Kastrioti”, pak kohë pas realizimit dështoi. IKMT prishi në atë kohë (1 mars, 2019) bazamentin 2 m të lartë, në mungesë të një leje, duke qenë se bëhet fjalë për zonën arkeologjike “A”.
Aktualisht, Bashkia Lezhë shprehet se e konsiderojnë ende mundësinë për vendosjen e monumentit pranë kësaj hapësire.
“Plani B konsiston në vendosjen e kësaj statuje sa më afër Sheshit Gjergj Kastrioti duke mos cenuar zonën arkeologjike A”, thuhet më tej nga Bashkia Lezhë.
Për vendosjen e shtatores 3.7 metra të lartë (plus 2 metra bazamenti) në peshën 1 ton, nuk duhet gërmuar në zonë, ka shpjeguar artisti për televizionin, çka mund të kishte pasoja në zonën e mbrojtur, duke lënë të hapur mundësinë e vendosjes në një tjetër hapësirë.
Të pyetur nëse Bashkia Lezhë ka bërë përpjekje me instancat e tjera për t’i dhënë zgjidhje çështjes, përgjigjia është:
“Jemi në pritje të vendimit zyrtar nga ana e KKRT dhe IKTK pranë Ministrisë së Kulturës”.
Ndërkaq Ministria e Kulturës, ka pretenduar se nuk ka kundërshti lidhur me vendosjen e shtatores jashtë zonës arkeologjike, ndërsa sipas burimeve për televizionin, Bashkia Lezhë nuk e ndërmerr një hap të tillë në mungesë të fondeve.
Lexo edhe:
SI E HODHËN NË ERË KOMUNISTËT KISHËN “E SKËNDERBEUT E DONIKËS…”
ObserverKult