Ndrenika: Teatri i ri, do të jetë me kushte bashkëkohore si shumë teatro europianë

Aktori i madh Robert Ndrenika me anë të një deklarate ka bërë me dije se është thirrur në një zyrë arkitekture për të parë skicat e projektit për Teatrin e Ri Kombëtar.

Aktori është shprehur se sipas skicës në territorin e teatrit nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla.

RRËFIMI I PLOTË I ROBERT NDRENIKËS:

“Falënderim!

Dje më thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri, në një zyrë arkitekture dhe pashë skicat dhe projektin e ndërtimit të teatrit të ri. U kënaqa shumë. Me këtë rast dua të bëj një falënderim (për dijeni edhe të mikes sime, gazetares Fatmira Nikolli) dua të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike, sepse gjatë gjithë kohës që unë pashë këto skica si edhe projektin e teatrit të ri, pata parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë Aleanca dhe PD-ja, duke dashur që në projekt, të jenë të pasqyruara të gjitha vërejtjet e tyre për teatrin.

Të gjitha këto vërejtje i gjeta të rregulluara në projektin e teatrit të ri. Për shembull, në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla. I gjeta të pasqyruara në atë projekt të gjitha kërkesat e tyre përveç njërës ‘që teatri do bëhet, aty ku ishte, por do bëhet shumë herë më i mirë nga sa ishte’. Teatri i ri, do të jetë me kushte bashkëkohore si shumë teatro europianë.

Me respekte të ndërsjella,

Robert Ndrenika”