Nga Ndue Dedaj
(“N’kët’ Shqipni ku dejet bora”)
Mal i Zotit. Mal i Matit. Mal i Verilindjes. Mali i Formulës së Pagëzimit. Njëri nga malet që kemi për zemër. I kam shkuar dy a tri herë në rrëzë, kah Macukulli e Dukagjini, por më i bukur duket nga larg. Si një kështjellë e bardhë mitike, në një areal të pashoq malesh veriore.
Të vijë emri i tij nga dëbora? Pse jo! Një mal që nuk mund të mendohet pa borën as në verë. Bora ngrin dhe shkrin. Në lartësi të tilla alpine pa ikur bora e vjetër, vjen e reja.
Dhimitër Shuteriqi, në mbyllje të një reportazhi nga Mati, qershor 1966, sjell dhe vargun e një kënge popullore: “N’at Shqipni ku dejet bora!” Autori vijon: “Po, dëbora u dej, – u shkri qëkuri.
Pranvera erdhi…” Dej është një folje e gegnishtes, për u shkri. Mirë, Mali i Dejës, se ardhka nga shkrirja e borës, po Vau i Dejës, ku bora është një vizitore e rrallë? Mbase për këtë do të na ndihmojë Fjalori i Gjuhës Shqipe (2006), i cili shpjegon: “déj/ë, -a emër i gjinisë femërore; numri shumës; – e(t) vend ku bora ka shkrirë fare ose është ulur; / vend në lumë a në përrua, ku është pakësuar uji; cekëtinë.”
Pra, siç shihet, qenka një fjalë si për në mal, si për në fushë. Ka studiues që thonë se Vaut të Dejës i ka mbetur ky emër nga banorët e malësive të Dukagjinit, çka dhe mundet, pasi dihet që shpesh ata që kanë ikur nga një vend kanë marrë me vete toponime, antroponime, emra pajtorësh të krahinës etj.
Ndonëse në rastin e Vaut të Dejës, nëse i besojmë këtij shpjegimi, do të ishte më bindës kujtimi i vendit të të parëve, ku (s’) dejet bora, si Dukagjini, ashtu si për të vetët, Kelmendi, Munella, Gjallica etj.
Në artikullin e Emil Lafes, “E folmja Nikaj – Mërturit” (“Studime filologjike”, nr, 3, 1964), në njërën nga këngët e mbledhura prej tij, është dhe vargu rapsodik: “n’ato maje ku s’dejet bora”, përdorur në kontekstin e trimërisë dhe qendresës historike të malësorëve, mbartur dhe në këngët e pas Luftës së Dytë; varg që hyrë dhe poezinë e poetëve të trevës si: “Atje ku kurrë nuk dejet bora” etj. Po aq interesant është përdorim i foljes dejet në lirikën popullore: “Moj bardhoke, flokë kunorë, / ma ki shtatin bardhë si borë, / bardhë si bora në Shkëlzen/ herë po dejet e her po bjen.” Pra, dëbora dejet e s’dejet…
Edhe në mos ardhtë gjuhësisht emri i Dejës prej borës, ai është një mal i dëborës, më shumë se i blerimit që e rrethon gjithkah, përfshi dhe Mbasdejën që shpie drejt Lurës.
Deja është dhe një “deja vu” (dezha vy) shqiptare e natyrës dhe e kullave monomuntale të Macukullit si askund tjetër.
Kësisoj, a do të jetë dhe një mal i Turizmit?….
ObserverKult
Lexo edhe:
NDUE DEDAJ: TI SHQIPËRI MË JEP NDER
Nga Ndue Dedaj
Po bëhen 140 vjet që kur këto fjalë u shqiptuan me atdhetari e dashuri nga Naimi ynë i madh, në poemën e tij të mirënjohur “Bagëti e Bujqësi” dhe janë po aq aktuale dhe sot, pavarësisht se në tjetër kontekst, po fundja kjo është fuqia e artit të vërtetë.
Menduam t’ia kushtojmë këto radhë ditës së parë të shkollës, këtu dhe në Kosovë, paçka se në cilën datë fillon fiks mësimi, me dëshirën që edukimi me idealin e Atdheut, shqiptarisë, të ngrihet në një tjetër nivel formues gjatë këtij viti shkollor.
ÇUN LAJÇI: PËR DASHNINË E PASOSUN
T’kam dashtë t’çufurrueme me pshtjellc t’shapuem
me çorape t’bardha qëndisë me nji kërrabëz
me balluket kacavarun ballit
me këmishë pëlhure thurun n’vek me duert tua
e me shaminë e verdhë rreth qafës gastare
Kam dashtë për shtatë qejfe me t’pasë
shtatë pushkë nuk më kan tutë
me ta nxanë pritën kur t’nisesh nuse
e me t’zbritë prej kalit
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult