“Godo nuk vjen” poezi nga Ndue Ukaj
Është natë. Rruga nga Irlanda është e gjatë
dhe deti s’kalohet me hapa të vegjël netëve me shi
kur vetmia të përpinë si toka e plasaritur nga tërmeti,
kur dhimbja s’ka kohë as deshifrime shkencore.
Godo nuk vjen.
Është vonë dhe pritja e ka molepsë.
Në gjumë të rehatshëm i përkund ëndrrat e mia dhe ëndrrat tua.
Ai s’vjen as nën Pemën e Jetës, as në teatrin e çudirave.
Bën gjumin e pritjes që s’e kupton koha jote
as koha jonë.
Ti pret – si nusja në shtratin e braktisur
ëndërron krahëhapur thesin e mbështjellë me ëndrra ku i fut duart butësisht,
pushon si nëpër flokët e dashura
dhe kërkon ëndrrën tënde,
ëndrrën tënde që ngatërrohet nëpër gishtërinjtë e gjatë.
Një pickim ta shtang trupin,
dora jote fluturon nga thesi.
Ti fshin ballin dhe kupton:
Godo nuk vjen e as shikimi i tij enigmatik.
Prapëseprapë s’ bindesh se ëndrra jote mbeti në thes, nyje e përjetshme si ardhja e Godosë.
Atëherë si vetëtima kalon përtej lumit të fjalëve.
Dhe dëgjon hapat e tu nëpër ëndrra plot çudira,
ku janë rojet e kohës
që bëjnë zhurmën e jetës në ëndrrën e pritjes.
Është natë, furtunë.
Ti shpreson se Godo do të vjen.
Jo. Godo nuk vjen.
Ti qan,
qan furishëm sa lotët të çelin një përrua
mes mollëzave tua dhe rrjedhës së tyre pa cak,
ku tiktaket e zemrës ndjehen si hapat e të panjohurit
në natën e zezë si futa kur troket hidhërimi
në të cilën edhe Godo do të merrte në thua dhe do të përplasej keq.
….
Godo vjen
Është natë dhe bubullimat s’kanë të ndalur.
Ty të dridhet trupi i lagur nga shiu i rrëmbyeshëm
nën pemën e jetës duke pritë Godonë.
Pritja t’ ka shndërruar në statujë moderne
ku folenë e jetës kanë korbat e natës
dhe zogjtë vetmitarë.
Është natë dhe prej reve të trazuara dëgjohet një e shkundullimë e furishme.
Por ti s’ dëgjon-
veshët t’ janë mbyllë me krimba që ngjiten në trupit tënd- si krimbat në trupin plakut që priste para Portës së Ligjit në tregimin e Franz Kafkës.
Ti do të hysh në misterin e Ligjit,
oh jo – të Godosë desha të them.
Oh Zot- Godo erdhi,
me shikimin e mërrolur dhe thesin e shkyer.
Me dëshira të humbura gjatë rrugës së gjatë të kthimit
nën pemën e jetës ku ti e prite pafundësisht.
Por ti s’e njohe.
Sepse ai erdhi
me trajtat e një fytyre që s’e kishe imagjinuar kurrë,
me zërin e lodhur që s’e kishe dëgjuar kurrë,
me shikimin e trazuar që s’e kishe parë kurrë.
Trishtimi ta shtang trupin
e krimbat përplasën tokës
prej trupit tënd të shndërruar në pritje.
Llahtarshëm kape kokën e trazuar
dhe u përplase pas thesit të tij
ku kërkove dëshirat tua të thara si gjethe vjeshte.
Atëherë lotët vërshuan faqeve tua
dhe qafës tënde.
Dhe u hodhe në krahët e dëshpërimit
e me duart e dridhura u përpëlite
në shtratin të braktisur duke ëndërrua krahëhapur
thesin mbështjellë me ëndrra
ku një ditë duart e tua butësisht
do të preknin ëndrrën e bukur.
Po.
Godo erdhi me shikimin e mërrolur dhe thesin e shkyer.
Me dëshira të humbura gjatë rrugës së gjatë të kthimit.
Ti e trishtuar fshive ballin dhe kuptove:
Godo erdhi, por pritja jote mbeti pritje.
ObserverKult
Lexo edhe: