Në Bistricë të Leposaviqit u hap Qendra e Kulturës “Jakup Ceraja”

Në fshatin Bistricë të Leposaviqit është hapur Qendra e Kulturës “Jakup Ceraja” e cila do të shërbejë si qendër për kulturë për fshatrat e këtij rajoni.

Kjo qendër, siç u tha nga organizatorët, ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se është në një nga fshatrat veriore të Kosovës. Në hapjen e kësaj qendre me emrin “Dashni në Veri të Veriut” morën pjesë familjarë të Jakup Cerajës, përfaqësues nga Komuna e Leposaviqit, donatorë të huaj, skulptorë, poetë e dashamirë të artit e kulturës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, hapjen e kësaj qendre në emër të familjes e përshëndeti bija e Jakup Cerajës, Brikena Ceraja-Beka.

“Sot në zemrën e Mitrovicës në Bistricë, u hap Qendra e Kulturës “Jakup Ceraja”. Data 1 Tetori është datë e rëndësishme për popullin shqiptar. Po në këtë datë sot u përurua Qendra e Kulturës, e cila u pagëzua me emrin e poetit të Kreshbardhës”, shkroi Ceraja-Beka.

Sipas saj, kjo Qendër e Kulturës u pagëzua me emrin e poetit, me propozimin e Skënder Sadikut, bashkë më dëshirën e banorëve të Bistricës.

Në fund të këtij organizimi u shfaq edhe një dokumentar i shkrimtarit Jakup Ceraja.

ObserverKult


Lexo edhe:

JOSIF PAPAGJONI: PAK FJALË PËR POEZINË E BRIKENË CERAJA- BEKA