
Nga: Blerim Valla
Dita Botërore e Teatrit – 27 Marsi, filloi te festohet më 1961 nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit (INT) pranë UNESCO-s. Ajo festohet çdo vit nga kjo qendër, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar teatror nga të pesë kontinentet. Për të festuar këtë ditë, organizohen ngjarje të ndryshme teatrore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Një nga më të rëndësishmet është qarkullimi i mesazhit të Ditës Botërore të Teatrit, përmes të cilit, me ftesë të ITI-së, një figurë e shquar në mbarë botën, reflekton mbi temën e teatrit si pjesë e kulturës së harmonisë dhe paqes botërore. Mesazhi i parë i Ditës Botërore të Teatrit është shkruar nga shkrimtari Zhan Kokto në vitin 1962. I dyti nga Artur Miller, pastaj Helen Miren, Vaclav Havel, Xhon Malkoviç, Dario Fo etj.
*
Në këtë ditë e kujtojmë aktorin, Hadi Shehu
Aktori i mirënjohur Hadi Shehu, as këtë vit nuk e ka pritur këtë ditë të shenjtë për aktorët. Ai ka ndërruar jetë para 8 vitesh në moshën 68-vjeçare. Shehu ishte një nga aktorët më të mirë te teatrit dhe filmit shqiptar. Ai ishte padyshim njëri nga aktorët i cili ka krijuar identitetin artistik të Kosovës. Një nga figurat kryesore të epokës së artë të teatrit dhe filmit kosovar të viteve ’70 – ta e ’80-ta.
Si një nga aktorët më të shquar të skenës sonë teatrore dhe filmike, aktori Hadi Shehu, për plot 40 vjet, prej vitit 1976 e këndej, me mbi 170 rolet e tij, përkatësisht me pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij skenike, identifikohet kryesisht me Teatrin e Gjakovës, ndërkohë që, me disa nga kryerolet e tij filmike, ai vlerësohet si një nga yjet e televizionit dhe të kinematografisë sonë kombëtare.
Me emrin, jetën dhe veprimtarinë e tij artistike e publike identifikohet edhe një periudhë e gjatë dhe e rëndësishme e drejtimit të Teatrit të Gjakovës të cilin ai e udhehoqi, prej vitit 1981 – 1996 dhe më pas prej vitit 1999 – 2006. Me ikjen e tij në amshim tash e 8 vite Teatri i Gjakoves e ka një aktor të papërsëritshëm më pak.

*
Në Ditën Botërove të Teatrit, Teatri i njohur i Gjakovës që me krenari mban emrin e kolosit te teatrit ”Hadi Shehu”, me shfaqjen premierë për këtë vit me titull “Vojçeku”, hap siparin për këtë vit të ri teatror. Sukseset dhe urimet për këtë ditë festive të teatrit shkojnë për premierën e parë të Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës, si dhe për Ditën Botërore të Teatrit, të gjithë aktorëve – aktoreve të tij dhe gjithë aktorëve të mbarë botës!
ObserverKult
Lexo edhe: