Në nekropolin shkretinor Sakkara në Gizën egjiptiane, arkeologët kanë gjetur 27 sarkofagë, të cilët llogaritet të jenë 2 mijë e 500 vjetër të vjetër. Njoftimin për këto gjetje e kanë dhënë autoritetet për turizëm e trashëgimi kulturore të Egjiptit.
Zyrtarët ministrorë kanë përkujtuar se edhe para një jave janë gjetur 13 sarkofagë në gjendje të shkëlqyeshme, e pas kësaj gjetjeje kanë njoftuar se të premten e kaluar kanë rënë edhe në gjurmë të 14 sarkofagëve të tjerë, në lokalitetin në jug të Kajros. Vlerësohet se bëhet fjalë për gjetjet më me peshë të këtij lloji, sarkofagë të kyçur, të cilët s’janë hapur qysh prej se janë gropuar. Janë gjetur në tri vende të ndara në thellësi deri në 11 metra, transmeton ‘koha.net’.
Në fotografitë e publikuara, vërehet qartë se janë në gjendje të mirë, përderisa në disa prej tyre shihet se është ruajtur edhe ngjyra origjinale e drurit, me lara të kafenjta e të kaltra sikurse edhe hieroglifët.
Pos sarkofagëve janë gjetur edhe gjësende të tjera të cilat japin të dhëna për statusin e të varrosurve në to, e që do të zbardhin edhe ndikimin e tyre në shoqëri, përderisa ende mbetet i panjohur identiteti i tyre. Besohet se Sakkara ka qenë nekropol i kryeqendrës së Egjiptit të lashtë, Memfisit.
Egjiptianët për nja 3 mijë vjet aty i kanë varrosur të afërmit e tyre. Nuk ishte vend prehjeje vetëm për fisnikë, por edhe për qytetarë të rendit të mesëm e të klasës punëtore.