reklamë

Në Gjakovë u organizua “Promenada Verore Poetike”, u lexuan poezi të poetëve të njohur

Nga Blerim Valla

Në qytetin e Gjakovës, leximi i poezive nga aktorët dhe artistët por edhe nga poetët vendas është një traditë e vjetër. Performanca të tilla letrare e teatrale zhvillohen shpesh në hapësira ikonike, duke përfshirë ambientet e Teatrit “Hadi Shehu”, Muzeun Etnografik të Gjakovës, Galerinë e Arteve, pastaj tek Çarshija e Jupave etj, dhe atë gjatë ngjarjeve përkujtimore dhe jo vetëm për shkrimtarë të mëdhenj si Ali Podrimja, Agim Gjakova etj.

Poezitë shpesh ndërthuren me shfaqje, performanca muzikore, apo mbrëmje të organizuara nga festivalet lokale të letërsisë e shoqatat e ndryshme të kulturës si dhe për ndonjë ngjarje me rëndësi artistike. Sikurse që ishte rasti me organizimin e Promenadës Verore Poetike, nga Teatri “Hadi Shehu”. E ku publiku i pranishëm pati rastin për të dëgjuar vargje të poetëve shqiptarë dhe atyre të huaj, interpretuar me plot pasion nga aktorët e Teatrit “Hadi Shehu”, si Edi Kastrati, Vlora Dërvishi, Edmond Hafizademi, Ylber Mehmeti, Valon Pallaska, Besfort Berberi, Arbies Komoni, Edi Gjakova, Altina Kusari etj . Pjesë e trupës së artistëve që lexuan poezi ishte edhe drejtoresha
e këtij teatri, aktorja Albulena Kryeziu Bokshi e cila edhe e bëri hapjen e kësaj ngjarjeje tejet interesante artistiko – letrare, ajo edhe vet lexoi poezi.

Pos aktorëve të sipërpërmendur kjo promenadë verore poetike u pasurua me vlera të theksuara poetike edhe më shumë, me pjesëmarrjen e disa poetëve (poeteshave) të njohur(a) dhe të afirmuar(a) gjakovarë(e) si : Migena Arllati, Mevlyde Mezini – Saraqi, Blerim Valla, pastaj Teuta Lama – Hoda, Delvina Dylazeka – Hajdari etj, si dhe të disa krjuesve gjakovarë nga diaspora. E të cilët
lexuan poezi të tyre të përzgjedhura.

Ndonëse programi i “Promenadës…” fokusohej në interpretimin e vargjeve nga vetë aktorët, fondi poetik ishte i bazuar në krijimtarinë e autorëve të mëdhenj gjakovarë por edhe të poetëve të njohur të huaj.
“Promenada Verore Poetike” kaloi me një atmosferë të shkëlqyer kulturore, duke bashkuar artdashësit gjakovarë rreth poezisë, muzikës dhe interpretimeve emocionuese nga aktorët e qytetit.

Interpretimet emocionuese të aktorëve të Teatrit “Hadi Shehu” dhe poetëve të tjerë të njohur gjakovarë i dhanë jetë poezive të përzgjedhura me mjeshtëri. Leximet u shoqëruan në sfond nga tinguj të lehtë muzikor duke përforcuar emocionin e vargjeve.
Krahas qytetarëve vendas, aktiviteti tërhoqi një numër të madh të mërgimtarëve që vizitojnë Gjakovën gjatë sezonit veror.
“Promenada Verore” e poezisë u organizua si një mbrëmje e veçantë poetike dhe muzikore e mbajtur në terracën e Pallatit të Kulturës në Gjakovë. Nën qiellin e hapur dhe me hyrje të lirë për publikun, u shndërrua në një udhëtim të fuqishëm artistik larg zhurmës së përditshmërisë.

Vargjet e përzgjedhura nga aktorët e ansamblit të teatrit sollën interpretime të fuqishme të poezive që trajtonin tematika të ndjeshme si dashuria, kujtesa për qytetin e Gjakovës, për mallin dhe shpresën. Lokacioni ku u mbajt kjo ngjarje u pëlqye shumë nga publiku. Ngjarja u mbajt qëllimisht në terracën e Pallatit të Kulturës të Gjakovës, duke shfrytëzuar natën e ngrohtë të verës dhe dritën e yjeve si një skenografi natyrore e intime. Edhe leximi i vargjeve u shoqërua gjatë gjithë kohës me performanca të lehta muzikore, duke krijuar një ndjesi harmonie të plotë midis fjalës së thënë dhe tingujve.

Sipas drejtoreshës së teatrit gjakovar Albulena Kryeziu – Bokshi, organizimi dhe mbajtja e kësaj ngjarjeje synoi të bashkonte dashamirët gjakovarë të poezisë dhe mërgimtarët e shumtë në një format ndryshe nga shfaqjet tradicionale skenike, duke e vënë theksin te komunikimi i drejtpërdrejtë shpirtëror përmes poezisë.
Ndërsa edhe publiku i pranishëm pati vlerësime shumë pozitive për këtë promenadë verore poetike.

Kështu, përzgjedhja e tarracës së hapur u komentua si një gjetje shumë e qëlluar për t’i ikur formatit klasik të sallës së mbyllur të teatrit gjatë netëve të nxehta të korrikut. Është mirëpritur veçanërisht nga bashkatdhetarët e ardhur për pushime, të cilët e kanë parë këtë mbrëmje si një mundësi të shkëlqyer për t’u çmallur me gjuhën dhe artin gjakovar. Publiku ka vlerësuar edhe pjekurinë emocionale të trupës së aktorëve por edhe paraqitjen e poetëve të njohur mysafirë që lexuan poezi me vlera të larta estetike, duke theksuar edhe atë se muzika instrumentale në sfond i dha peshë çdo vargu të lexuar nga ata.
Duhet cekur se ky manifestim artistiko – letrar përmbylli pjesën e parë të këtij viti të aktiviteteve të Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës.

Përndryshe Teatri i Poezisë është një koncept artistik dhe skenik që shkon përtej thjesht recitimit të vargjeve. Ai bashkon poezinë me elemente të tjera teatrore si skenografia, mizanskena, ndriçimi dhe muzika, për të krijuar një shfaqje multi-mediale dhe narrative.

Tek Teatri i Poezisë skena e dedikuar për të synon të promovojë letërsinë dhe të nxisë leximin dhe dëgjimin e poezisë të zgjedhur duke shërbyer si një atraksion i përhershëm për poetë dhe artdashësit.


ObserverKult


Lexo edhe: