Me gjithë suksesin në biznes, ai nuk mund të shkëputet nga rrënjët. Pa diskutim, njëherësh me të ka lindur edhe dashuria për të bukurën.
Biznesmeni artist, sa edhe artisti biznesmen ka ngritur pranë njëra-tjetrës, nga fabrikat e përpunimit të peshkut, te sallat e kinemasë, në zyrat e administratës e kështu me radhë,.. që u shtohet së fundmi edhe teatri!
Për këdo që e njeh Gjergjin, pasardhës i dy aktorëve me një karrierë të shkëlqyer, si Ndrekë dhe Mimika Luca, e ka të qartë tanimë, se roli si biznesmen i suksesshëm po përmbushet me përkushtimin e atij të një artisti në gen, në shpirt.
Gjergj Luca po ndjek hapat e dy prindërve që iu përkushtuan artit e madje, në mënyrë më gjithpërfshirëse. Duket se ëndrrat e mëdha, ato më të vërtetat, herët a vonë e gjejnë terrenin e tyre…
Përurimi i sallës në teatrin e ri të një qyteti brenda qytetit, siç është ”Fish City”, erdhi me premierën e dramës ”Adela”, shkruar dhe vënë në skenë nga miku i tij, regjisori i mirënjohur, Leka Bungo.
Ndërsa çelja e këtij eventi, që do të zgjerojë frymëmarrjen artistike në vend, ishte një ftesë e madhe edhe e hapur e tij, për mbarë artistët. Ai iu drejtua artistëve, miq të tij, që teatrin e ri ta konsiderojnë pronën e tyre dhe të vijnë sa herë të duan, pa trokitur.
Spektatorët e parë dhe të shumtë të teatrit të ri, që kishin mbushur sallën, ndoqën ma admirim dhe interes të veçantë interpretimin emocionues të aktorëve Arjola Basho, Astrit Hasani dhe Laert Vasili.
Për thuajse një orë e gjysmë, ata krijuan një tension artistik të veçantë dhe shumë përfshirës.
”Adela” do të vijojë rrugëtimin, në shumë teatro në vend. Pas kryeqytetit, drama do të shfaqet për spektatorët elbasanas, për të shkuar paskëtaj në Korçë, Fier etj./konica.al
Lexo edhe:
NDREK LUCA, AKTORI MALËSOR ’THEU’ MODELIN PARAPRAK TË AKTRIMIT