“Në internim na gjuanin me baltë dhe na quanin vrasës”, vajza e Vilson Blloshmit: Dorëshkrimet e babit i varrosëm në oborr

Vilson Blloshmi

Gjatë rrëfimit, kohë më parë, në emisionin “Pas Mesnate”, vajza e poetit Vilson Blloshmi, Enerjeta Blloshmi, ka zbuluar se dorëshkrimet e të atit i varrosën në oborr për t’i ruajtur nga Sigurimi i Shtetit.

Ajo ka zbuluar se ishte gjyshi dhe xhaxhai që e morën këtë vendim, prandaj ato janë të ruajtuar ende në ditët e sotme.

“Dorëshkrimet i kemi varosur dhe i kemi hapur për herë të parë pas ’91. I kemi varrosur në oborret e shtëpisë me vetëdije të plotë për t’i ruajtur. E ka bërë gjyshi im dhe xhaxhai im, Selmani për të ruajtur dorëshkrimet.

Janë pak të dëmtuara, por shumica kanë shpëtuar. Ne e bëm me qëllim që sigurimi mos t’i gjej dhe ne mos t’i humbasnim.

I varrosëm të tëra dhe ka ardhur dita që të shpalosen. Poezi të pabotuara nuk ka, ka disa përkthime të pabotuara dhe disa letra të shkëmbyera me Lumin, të tjerat janë pothuajse të gjitha në internet.

Janë botuar dhe disa gjëra të vogla kanë ngelur akoma pa u botuar”, u shpreh Enerjeta.

Sa i përket internimit, ajo e ka përshkruar si një periudhë shumë të errët, pasi kur i dërguan në një fshat të Librazhdit, të gjithë i shanin, i gjuanin me baltë dhe i konsideronin njerëz të këqinj.

“Internimi ka qenë një periudhë shumë e vështirë, unë kam qenë shumë e vogël, por mamaja ime e ka përjetuar shumë keq.

Ne na internuan në 23 korrik të ’77 të gjithëve, 5 ditë pas pushkatimit. Na kanë internuar në një fshat të rrethit të Librazhdit, Polis. Na kanë pritur shumë keq, na kishin përshkruar si armiq, njerëz të këqinj, vrasës, hajdutër.

Ata na kanë pritur duke duartrokitur dhe duke bërtitur ‘armikja’, na gjuanin me baltë. Kaloj kohë, ata u mësuan me ne, e panë se çfarë njerëzish ishim dhe pas disa muajsh na pranuan.

Për t’i shpëtuar internimit, gjyshi dhe xhaxhai im i bën disa kërkesa autoriteteve që mamaja ime të kthehej në Tiranë dhe ata së bashku me mua të vazhdonin jetesën aty.

Kjo gjë u pranua pas 3 vite e gjysmë”, rrëfeu Blloshmi./abcnews.al

ObserverKult


Lexo edhe:

VILSON BLLOSHMI, POETI QË NUK E VRAU VETMIA, POR PARTIA

7 korriku është një ditë e trishtë. Një nga ato ditë që hesht. Nga ato që përhumbesh poezive dhe kupton që një poet nuk e pushkaton dot. Sepse nuk ka plumb që mund të vdesë një varg!

Sot bëhen 40 vjet nga vdekja e detyruar e Vilson Blloshmit. Ai nuk ishte vetëm. Së bashku më të dhe intelektuali, poeti tjetër, Genc Leka, që nuk u nda kurrë prej tij. Por pse u ekzekutua Blloshmi? Çfarë e trembte Partinë, më shumë sesa përndjekja qysh prej bankës së shkollës për shkak të familjes të shpallur armike e popullit? E trembte fjala e tij? Bubullimat e mendimeve krijuese të një shpirti heroik? Për të shpallur në fund një vdekje aq tragjike?

Profesor Sadik Bejko i ka kushtuar kësaj figure historike të tij një vëmendje nga ato që do të takohet kohërave të ndryshme, nëpërmjet tri veprave, duke na pajisur me shumëçka. Shënime, përkthime dhe letra të Blloshmit, duke ruajtur kështu vazhdimësinë e ideologjisë dhe qytetërimit të një miti.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult