Është botuar në Zagreb, libri vëllimor i profesorit të historisë, Jahja Drançolli.
“Në kërkim të Historisë Mesjetare Arbërore” (“In search of Medieval Albanian History”) mban titullin libri, i cili ofron interpretime të reja dhe mbështetet në një pjesë të arritjeve të mija të hulumtimit në arkiva e biblioteka të Italisë, Kroacisë, Turqisë dhe Austrisë. Libri ofron interpretime të reja dhe bazohet në rezultatet e hulumtimit shumëvjeçar, dhe pjesërisht, të pabotuar”, thotë autori në një njoftim të tij përmes rrjetit social Facebook duke shtuar se libri trajton periudhën mesjetare arbërore, të ai pëlqen ta quan si epoka e artë e historisë dhe shtetësisë arbërore-shqiptare, dhe është pa dyshim një periudhë në të cilën çdo njoftim nga të ndryshmet ngjall shumë emocione.
Drançolli bënë të ditur se theks i veçantë në këtë libër i vihet vazhdimësisë iliro-arbërore-shqiptare, ku sipas tij, historia jonë në kushte mesjetare përfshinte arealin shumë më të gjerë sesa konsiderohen trojet e sotme etnike shqiptare, prandaj teza se arbrit gjatë mesjetës kanë humbur pjesë të territoreve të veta, në këtë libër ka mbështetje historike.
Tema qendrore e këtij libri është formimi i identitetit arbëror mesjetar duke nënvizuar dallimet rajonale; krijimi dhe përhapja e identitetit etnik arbëror; formimi i fuqisë politike të arbërve; zhvillimi shoqëror; kultura si shtytës i marrëdhënieve shoqërore, si dhe organizimi i jetës fetare, tema këto të trajtuara në mënyrë origjinale dhe interdisiplinare të mbështetura në metodologji bashkëkohore, shpjegon Drançolli.
Ai e sheh këtë si libër që bënë përpjekje që të dekonstruktohen përfundimet e historiografisë tradicionale.
“Me gjithë lëshimet e mundshme qofshin ato profesionale ose teknike, ndryshe nga shumë libra nga historiografia jonë, të botuara në dekada të fundit te ne, libri në fjalë do të jeton ca më gjatë”, thotë Drançolli.
Libri është botuar me ndihmën financiare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë, si dhe të botuesit “Unioni i shqiptarëve në Republikën e Kroacisë” me në krye të Esad Çollaku dhe Sejfedin Prekazi. Redaktor gjuhësor i librit është Edmond Ramadani; dizajnues Faik Krasniqi; kopertinën e ka bërë Kaltrina Drançolli, ndërsa realizimin e punëve digjitalizuese Ermal Gashi.