Qeveria e Italisë miratoi planin për të rindërtuar dyshemenë në Koloseumin antik të Romës, për t’u dhënë vizitorëve mundësinë për të qëndruar atje ku dikur kanë luftuar gladiatorët.
Projekti për ndërtimin e dyshemesë prej druri u shpall nga ministri i Kulturës, Dario Franceschini.
Firma italiane inxhinierike Milan Ingegneria fitoi kontratën prej 18.5 milionë eurosh për të ndërtuar dyshemenë.
Ndërtimi pritet të përfundojë në vitin 2023.
Aktualisht, monumenti 2,000-vjeçar nuk ka dysheme.
Ajo është hequr nga arkeologët në shekullin 19, për të ekspozuar rrjetin nëntokësor të tuneleve, ku mbaheshin gladiatorët dhe kafshët, përpara se të fillonin sportet e përgjakshme.
Franceschini tha se dyshemeja e re do t’u mundësojë vizitorëve “të shohin madhështinë e Koloseumit nga qendra e tij”.
Koloseumi ishte amfiteatri më i madh në Perandorinë Romake.
Luftimet me gladiatorë dhe spektakle të tjera publike mbaheshin me së paku 50,000 spektatorë.
Më 2019 – vitin e fundit pa pandeminë e koronavirusit – Koloseumi ka tërhequr rreth 7.6 milionë vizitorë.