Në Krumë të Hasit, digjet Muzeu Etnografik, denoncon drejtori i Etnologjisë

Në këto ditë karantine, në Shqipëri, vjen një lajm i hidhur, djegja e muzeut Etnografik të Krumës, Hasit. Lajmin, apo denoncimin e ka bërë në rrjetet sociale drejtori i departamentit të Etnologjisë,  në QSA, Nebi Bardhoshi. Në postimin e tij, ai ka kërkuar rindërtimin e muzeut në një hapësirë të denjë.

Denoncimi i plotë: “Pak është të thuhet se është lajm i keq. Duke pasur parasysh situatë kur ndodh një gjë e tillë, shumëkush s’ia ka ngenë të merret me këtë çështje. Veç faktit që kërkohet zbardhja e çështjes, akoma më shumë kërkohet që ky muze të rindërtohet ose gjendet një hapësirë tjetër e denjë.

Po ashtu kërkohet të veprohet sa më shpejt për të gjithë muzetë etnografikë të mos lihen në harresë.Bashkë më “Miqtë e Bogdanit”, kishim planifikuar të nisnim punën për rivitalizmin e Muzeut Etnografik i Hasit, si pjesë e një ambicie më të madhe, që është deshira për të rikthyer në funksion të gjithë muzetë e harruar të etnografisë shqiptare. Nuk do të hiqet dorë, por s’do mend që puna është vështirësuar.”/ ObserverKult