Në mes dëshmitarit dhe krijuesit

(Blerim Gashani :” Kronikë e rrënimit të Kosovës” , botoi “ Magjia e librit”, Prishtinë, 2020 )

Nga Qerim Raqi

Tashmë është e qartë si drita e diellit se Kosova është në rrezik, jo vetëm nga pandemia, por edhe nga virusi i politikës. 

Këtë fjali do të mund ta lexojmë në faqet e para të librit, përkatësisht ”  Ditarit online ” të autorit tashmë të njohur të shkrimeve publicistike – Blerim Gashanit, faqen ( datën ) e 21 prillit 2020. Duke e vënë në qendër të rrëfimit aktualitetin tonë të hidhur, të kësaj pranvere të skëterrshme, të këtij ” viti të mbrapsht” , lexuesi që në fillim mund të identifikohet lehtë  me rrëfimin  e autorit, analizën dhe përsiatjet rreth një spekti të gjërë temash.

Në këtë libër të pazakontë në strukturimin e tij, por gjithsesi interesant në përmbajtje dhe procede, autori ka përmbledhur shkrime të ndryshme analitike, kujtime të  ngjarjeve dhe situatave kryesisht dramatike nëpër te cilën ka kaluar  qenia jonë kolektive në këtë dekadën e fundit. Libri është shkruar dhe strukturuar në formën e një ditari, por këtu autori rrëfimin, ngjarjet dhe analizën e tij publicistike e fillon nga fundi për të ardhur pastaj në fillim, pra një ditar që lexuesi e lexon së prapthi, duke filluar nga kjo pranverë murgëtore, e prillit të këtij viti, dhe duke e shfletuar ( gjurmuar ) pastaj deri tek faqet e vitit 2011.

Natyrisht që ngjarjet, temat, problemet, dilemat , shqetësimet  e ditarshkruesit do të shtrihen edhe shumë më thellë në harkun  kohor, dhe  brenda shkrimeve  përkatëse autori do të bëjë digresione, rrëfime në retrospektivë, (ri)kujtime,  tregime të ngjarjeve edhe të dekadës paraprake, të viteve dramatike të luftës së fundit në Kosovë, duke dhënë kështu një pasqyrë tronditëse të fatit tonë kolektiv.  Duke qenë i strukturuar në formën e një ditari ( digjital) lexuesi do të mund ta përcjellë vëmendshëm linjën e rrëfimit, dhe ta gjejë veten në përjetimet  e autorit, që ndërlidhen me përjetimet dhe krajatat e kolektivit. Pas pjesës hyrëse në formën e intervistes, përkatësisht përgjigjeve në  “ Pyetësorin e Prustit” , si  një prelud i njohjes me të thellë  me autorin , lexuesi do të mund të  hyjë, si të thuash, direkt , in medias res ,  në atmosferën e zymtë dhe tronditëse të njeriu tonë në këto hapësira, të përditëshmërisë sonë , të përballjes  me një kolaps kolektiv , të ankthit , të rrënimit të shoqërisë, kryesisht në dy rrafshe: atë shëndetësor  dhe politik.

Në “ ditarin online” të Blerim Gashanit do të mund tē lexojmë  jo vetëm për  krajatat, brengat, shqetësimet individuale , por edhe të depërtojmë më thellë në esencën e problematikës  së trajtuar, në analizën e ngjarjeve politike dhe fenomeneve tjera të kësaj shoqërie skajshmërisht të polarizuar, të degraduar, konfliktuale, duke u njohur me analizën e mirëfilltë gazetareske të shkaqeve të këtyre fenomeve shoqërore, dhe pasojat e tyre në të gjitha sferar e jetës.

Kjo nuk është vetëm një “kronikë e facebookut” siç del në nëntitull të librit, por është, para së gjithash, një kronikë e dhembjes kolektive, e përshkruar bukur dhe e analizuar thellë, nga pikëvështrimi i një intelektuali të formuar,  të angazhuar dhe një atdhetari të përkushtuar.

Pra shkrimi publicistik dhe analiza fillon in medias res , për të depërtuar pastaj në vorbullën e problematikës që trajtohet dhe atë që është esenciale e ditëve e tona, në rrafshin sinkronik, për tu kthyer pastaj në retrospektivë, në ngjarjet dhe situatat që i kanë paraprirë të sotmes, në rrafshin diakronik. Strukturimi i shkrimeve në këtë formë, i jep mundësi autorit të aktualizojë , të analizojë dhe të argumentojë ngjarje dhe fenomene të sotme, por edhe në retrospektivë, duke bërë përqasje dhe analiza edhe për ngjarjet dhe përjetimet e kohës së luftës dhe ato të pasluftës.

Që në fillim, pra lexuesi e ka fare të lehtë të pranojë argumentin e autorit të këtyre shkrimeve. Përderisa autori dhe lexuesi janë në një interakcion, ngaqë  ndajnë të njëjtat shqetësime, qëndrimi i autorit ndaj pushtetmbajtësve apo “ parisë”,  ndërkaq, do të jetë refuzues dhe revoltues, ndaj një qeverisje të dobët dhe korruptive, rrjedhimisht një shoqërie që i  mungon rregullësia, që karakterizohet me një entropi të lartë, pra mungesë e sistemit, parregullësi në masë të gjerë.

Është ky zëri i  dhembjes dhe protestës për fatin tonë në historinë tonë më të re, i fatit kolektiv, kur edhe pas njëzet vjetësh të përfundimit të luftës dhe formimit të shtetit të pavarur, rrezikohet sovraniteti i shtetit tonë të brishtë dhe territori i Kosovës, si pasojë e ndryshimit të  konstelacioneve politike ndërkombëtare , por edhe e servilizmit, diletantizmit, shantazhimit dhe inkompetencës së  klasës politike vendore. Ky është zëri i intelektualit të shqetësuar për zhvillimet politike, zëri i ndërgjegjës, i protestës që shpesh shfaqet si revoltë e papërmbajtur duke marrë trajtën e një anateme, si një klithje e brendshme për të sfiduar të keqen, dukuritë negative të shoqërisë në të cilën jetojmë, sidomos duke e ngritur  zërin e protestës dhe pakënaqësisë ndaj pushtetarëve të sotëm , sidomos këta që shkelën idealin dhe lirinë, të “ parisë ” së pangopshme për pushtet që degradoi dhe rrënoi çdo gjë për interesat e tyre të ngushta, duke abuzuar me pushtetin dhe rrjedhimisht duke vrarë e ngulfatur shpresën dhe të ardhmen e këtij populli të përvuajtur.

Shkrimi në formë ditari plotësohet me elemente të përshkrimit të detajuar dokumentar, rrëfimit letrar, por të bazuar në ngjarjet e vërteta, të përjetuara nga vetë  autori në periudha të ndryshme të jetës. Kësisoji, shkrimit analitik publicistik dhe dokumentar i shtohet shkrimi i prozës dokumentare, që e bënë rrëfimin  jo vetëm më konkret dhe më të gjallë , por veprës ia shton vlerën ideoartistike.

Kjo dëshmon se në qendër të tematikave që trajton “ ditari “ janë problemet ekzistenciale dhe etiko-morale, ngjarjet vendimtare të aktualitetit politik dhe shqetësimi intelektual i autorit për këto ngjarje dramatike. Ndjenja e shqetësimit, refuzimit, përforcohet me  shfletimet  ( kujtimet ) e mëtutjeshme personale të autorit që nga mosha e re, në kohën e luftës në Kosovë kur ai ishte fëmijë, duke e përshkruar ( kujtuar) ngjarjen e përjetuar në formën e  një konceptimi kontrastiv edhe në rrafshin gjuhësor-stilistik: jetë-vdekje, gëzim-pikëllim   : Në Junik, së pari në jetë pata ndjerë jetën dhe vdekjen duke ecur së bashku, të përqafuara, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Dhe së fundi, por më e rëndësishmja, në Junik kam ndjerë njërin nga gëzimet e mia më të mëdha në jetë: atë momentin, kur pasi kishim trokitur dhe kërkuar me drojë, nga dera e një shtëpie tradicionale junikase, ka dalë një grua dhe na ka dhënë nga një copë bukë (sa gjysma e shuplakës) me nga një copë djathë (sa dy kokrra sheqeri).

Në të shumtën autori vie në konklusione të përgjithshme të vlefshme, duke u nisur nga përvoja empirike individuale dhe duke e konceptuar rrëfimin, analizën   shpesh si një bashkëbisedim me lexuesin , duke rikujtuar ngjarje e procese ( kolektive ) në funksion të thellimit të analisës së tij, pra analiza shpesh bëhet edhe në rrafsh diakronik , por synimi gjithnjë mbetet të forcojë argumentin dhe konkluzionin ; pra duke u nisur nga një ngjarje a situatë konkrete apo nga disa modele diskursesh politike të etablisemenit, si praktika sociale dhe mjete kryesore për përvetësimin e ideologjisë,  autori B Gashani  mbështetet dhe analizon tufën e diskurseve siç  thotë  Siegfed Jäger, apo prerjet sinkronike të këtyre diskurseve.

Analizën kritike të diskurseve autori e mbështet në praktikën e tyre, përpiqet të vë në pah probleme të ndryshme sociale, politike dhe morale, sidomos keqpërdorimin  e pushtetit për të vetëdijësuar publikun. Sa më intensive dhe agresive është diskursi i liderëve politikë, i grupeve të ngushta të interesit, e deri te përpjekjet donkishotiste të “President copëtimit” ( duke aluduar gjithnjë në projektin për ndryshimi të kufijve dhe ndarje të Kosovës), aq më e mprehtë do të bëhet analiza dhe  diskursi i autorit, duke marrë trajtën e një shqetësimi dhe thirrjeje të bredshme për ndërgjegjësim dhe ndryshim të këtyre diskurseve.

Për më tepër analiza e diskurseve të B Gashanit karakterizohet nga dinamika e rrëfimit dhe interaktiviteti me lexuesin, në funksion të përçimit të mesazhit të qartë dhe ndërgjegjësimit të publikut; duke rrënuar me argumente konceptet e diskurset e  servuara të pushtetmbajtësve, ( edhe të mediave të kontrolluara nga ta )  të cilët me retorikën e tyre mundohen ta paraqesin një të vërtetë të tyre të shtrembëruar, pra duke e vrarë të vërtetën, sepse viktima e parë e luftës është e vërteta “ – thoshte senatori amerikan Hiram Jonson që në vitin  1917.

Temat, problemet që shtrohen në “ ditarin “ e autorit shpesh ngjasojnë me ato të  dy dekadave më parë, sikundër është dehumanizimi, tjetërsimi . Në faqen e 9 janarit 2016, Blerimi do t’ i  kthehet rrëfimit të përjetimeve në kohën e okupimit të Kosovës: ishte  viti 1997. Po kthehesha nga një provim. Te Stacioni i Autobusave, pa kurrfarë shkasi, një polic serb më kapi dhe më shtyu në atë mini-stacionin policor aty (mund t’ju kujtohet se edhe aty kishte stacion policor serb).
Ia filloi t’më pyeste, shante dhe klithte në fytyrë. Nuk më rrahu, por kur po më ‘tubonte’ jakat dhe kur po më fyente në mënyrën më të ultë, hetova se ai po përpiqej të më dehumanizonte (termin, do ta dëgjoja vite më vonë nga N. Chomsky), po më ulte përtokë, po më përbuzte, po më shkilte.

Nuk u gëzova aq shumë kur më lëshoi. Isha dërmuar!

Tjetërsimi i njeriut tonë ka ndodhur gradualisht edhe pas dy dakadave pas luftës, por tash në formë dhe përmbajtje tjetër, dhe lexuesi mund ta përcjellë dhe të bëjë paralelizma,  si  në shkrimin “ SOS , po shkatërrohemi” , ku pas analizës, argumentimit dhe konkluzionit që nxjerr, ndjenjën e pakënaqësisë dhe revoltës autori , vizionin e zymtë dhe apokaliptik e përforcon me paralelizmin që bënë me vizionin apokalptik të veprës së George Orwellit:

Në Bashkë me muzikën që dëgjohet në fund të romanit ‘1984’ të Orwellit, ti po e pyet veten ‘a ia vlejti?’ Ti je bërë si gjithë të tjerët……SOS, po shkatërrohemi

Tjetërsimi moderrn orwellian i shoqërisë sonë dhe i individit, shpesh i fshehur, përbën kështu një përkujtim të frikshëm mbi domethënien e një kulture defetiste dhe rezignuese që është instaluar në mendjen dhe sjelljet tona, të një  “ gjuhe të re” shpesh të heshtur dhe të pavetëdijshme në Oceaninë – që emërton shtetin ( imagjinar ) diktatorial të Orwellit , e krijuar për të pamundësuar çdo reflektim kritik, domethënë të pengojë mendimin e veprimin e lirë./ ObserverKult