“Në pijetore unë jam ulur”, historia e dhimbshme e këngës së krijuar në burgun e Spaçit

në pijetore unë jam ulur

Serenata e krijuar mes telave me gjëmba: NË PIJETORE UN JAM UL’

Nga Xhimi Begeja

Jam në një mbrëmje me familjen e z. Bujar Bakallit, disident e patriot dhe një ish i dënuar politikish i Spaçit.
Mes gëzimit në darkën familjare, dëgjojmë e këndojmë këngën “Në pijetore unë jam ulur” të kënduar nga vëllezërit Prifti.
Mbas mbarimit të këngës, Bujari më thotë,

– Kjo këngë është kompozuar në burgun e Spaçit.
Më erdhi habi, dhe e pyes.
– Kush janë autorët?
Dhe ai vazhdon me një dhembje, që vinte nga shpirti i tij.

– Muzikën e bëri Andon Vanko, korçar i dënuar me 20 vite burg, tekstin e saj poetët Astrit Delvina dhe Gëzim Medolli, edhe këta të dënuar politikisht me nga 21 vite burg.
Ndez një cigare e vazhdon me nostalgji nën tingujt e bukur të serenatës:

– Orkestrimin e bëri Ali Hoxha, me epitetin Li Trompa, kish mbaruar konservatorin në Pragë, Çekosllavi, për vegla frymore, i dënuar politikisht dhe ka berë mbi 17 vite burg.
Origjinali i kësaj kënge është kënduar nga të burgosurit e Spaçit e përshtatur nga maestro Lluk Kaçaj, një bas i kalibrit botëror, ku mes “këngëtareve të Spaçit ” ishte Stavri Rafaeli, një nga tenorët më te shquar lirik të kohës, i dënuar me 25 vite burg dhe mes tjerëve isha dhe unë- thotë Bujari (i arrestuar në vitin e tretë në Liceun e Tiranës ku studionte për violinë dhe bëri 15 vite burg).

Habitem që Vëllezërit Prifti, o nuk e dinë, o nuk e përmendin këtë të vërtetë, duke i marrë atributet e krijimit të kësaj perle. Serenatë e krijuar në vendin e telave me gjemba, në ferrin shqiptar, për t’i dhënë frymën e jetes dhe të shpresës bashkëvuajtësve të tyre.

Mësojëni të vërtetën, nga ata që kanë sakrifikuar me jetë për të drejtën njerëzore.
Mirënjohje dhe shpirti të ju ndrijë autorëve të kësaj perle të muzikës shqiptare.

ObserverKult

Në vazhdim ju ftojmë të ndiqni këngën “Në pijetore unë jam ulur” e kënduar nga Stefi & Endri

Teksti i këngës “Në pijetore unë jam ulur” me autorë: Astrit Delvina dhe Gëzim Medolli

Në pijetore unë jam ulur
Dhe po pija vetëm
Për ata dy sytë e bukur moj
Që s’më lanë të qetë.

Se ti vetëm qaje
S’pranoje të qeshje
Por thërrisje si e marre moj
Hajde, hajde.

Dashurova sytë e bukur
Sytë e djallëzisë
Se m’harrove më shkatërrove moj
Ma humbë rininë.

Se ti vetëm qaje
S’pranoje të qeshje
Por thërrisje si e marrë moj
Hajde hajde.

ObserverKult

lexo edhe:

MOJ E VOGLA SI FLORINI”, JA CILA ËSHTË HISTORIA E BUKUR E DASHURISË QË FSHIHET PAS KËNGËS