Vjedhja e së ashtuquajturës “Dhoma e Qelibarit”, nga rezidenca e carit rus në Shën Pjetërburg, është një nga misteret më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, por ndoshta një zbulim në ujërat e ftohta të Baltikut do ta zbardhë atë.
Dhoma e krijuar për carin Pjetri i Madh në shekullin e 18-të, e përbërë pikërisht nga 6 tonelata qelibar të gdhendur mjeshtërisht dhe dekorime floriri, u çmontua nga forcat naziste që kishin pushtuar vendin dhe u transportuan në Koninsberg, që sot është enklava ruse e Kaliningradit, ku u ekspozua publikisht.
Por, menjëherë pas përfundimit të luftës, elementet e dhomës u zhdukën pothuajse tërësisht, edhe pse disa copëza janë gjetur në Gjermani gjatë viteve ’90. Një kopje e “Dhomës së Qelibarit” u krijua në Shën Pjetërburg në vitin 2003, pas disa dekadash punimesh.
Hipotezat për destinacionin final të veprës artistike ndër vite kanë qenë të shumta, nga koleksionet e fshehta të një prej familjeve të pasura të botës, shkatërrimi i saj në bombardimet anglo-amerikane, ose fshehja nga ana e drejtuesve nazistë, transmeton ‘a2news.com’.
Por, për grupin e studiuesve të misionit Baltictech, vendndodhja e saj është në një anije të mbytur në detin Baltik. Bëhet fjalë për anijen ushtarake “Karlsruhe”, e fundosur nga sovjetikët në vitin 1945.
Misioni nënujor ka treguar elemente të ndryshme që ndodhen ende në anije, dhe mes të tjerave dhjetëra kasa druri dhe valixhe që mund të përmbajnë veprën e rrallë dhe të çmuar, që në kohën e carit cilësohej si “mrekullia e tetë e botës”. Pritet që misioni të vijojë me operacionin e rikuperimit të ngarkesës në prillin e vitit 2021.