Në pritje të memorialit kujtohen 1 432 fëmijët martirë, paralajmërohet padi ndaj Serbisë

Fëmijët martirë ende pa obelisk, familjarët paralajmërojnë padi për Serbinë

Në shenjë kujtimi të përjetshëm të 1.432 fëmijëve martirë, të vrarë e të masakruar nga Serbia, në periudhën e viteve 1981 -1999, u bë përurimi i billbordit me dimensione 3 metra e gjerë e 4 metra e gjatë, që u vendos në hapësirën reklamuese përballë Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, të Prishtinës.

Kjo u bë për ta njoftuar opinionin publik se pikërisht në atë vend do të ngrihet Kompleksi Memorial në formë obelisku, i gjatë 30 metra dhe i gjerë 20 metra, në një sipërfaqe prej një hektari, ku do të mbillen 1.432 pemë të tipit “bonsai” japonez dhe në secilën pemë do të jetë emri i një fëmije të vrarë, data e lindjes dhe e vrasjes së tij.

Rrezeart Galica pas vendosjes së billbordit të dizajnuar prej tij, ka thënë se po shpresojnë që vitin që vjen do të zhbllokohet ky proces dhe të realizohet ndërtimi i kompleksit për fëmijët martirë.

“ Jemi në fazën e organizimit të mbledhjes së nënshkrimeve të familjarëve dhe në emër të tyre do të ngrisim padi për vrasjen e 1432 fëmijëve sigurisht ky do të jetë proces më i gjate por do të kulmojë me padi kundrejt Serbisë”, tha Galica.

Përmes portreteve të disa prej fëmijëve të vrarë janë krijuar fjalët “drejtësi” dhe “justice”. Poshtë tyre është edhe imazhi i maketit të projektit që, sipas tyre, nuk gjeti përkrahje nga shteti. Billbordi do të qëndrojë aty derisa të bëhet realitet ajo që është nismuar.

“Po shpresoj që ky do të ishte një monument përkujtimor i dinjitetshëm për ata dhe familjet e tyre”, ka thënë Galica.

Sipas tij, Këshilli organizativ i familjeve të fëmijëve martirë të Kosovës është në fazën e organizimit të mbledhjes së nënshkrimeve të familjarëve dhe në emër të tyre do të ngrenë padi ndaj Serbisë për vrasjen e 1 mijë e 432 fëmijëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Padia, siç ka thënë Galica, do të adresohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndryshe para dy ditëve  u bë promovimi i librit “Fëmijët martirë të Kosovës 1981 – 1999”, nga autorët Nusret Pllana dhe Hanëmshahe Ilazi.

Image