Në Shkup u promovuan tri libra dhe një revistë

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), në kuadër të edicionit të katërt të manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, u bë promovimi i tri veprave dhe i revistës “Drita e Gonxhës” (nr. 3). Me këtë rast, në fjalën e tij hyrëse drejtori i ITSHKSH, Prof.dr. Skender Asani, vuri në dukje rëndësinë e këtij manifestimit kulturor-shkencor dhe falenderoi autorët të cilët kanë sjellë vlera të reja në veprat e tyre që u promovuan sot.

ITSHKSH ka kohë që ka vënë në fokus të hulumtimin dhe studimit jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut,- Nënës Tereze, me ç’rast është themeluar edhe një department i posaçëm, i cili deri më tani ka zhvilluar një veprimtari të denjë në avancimin e qasjeve ndaj kësaj figure madhe të njëzimit.

Për rëndësinë dhe ndikimin e këtij e këtij departamenti,  foli Prof. dr. Anton Nikë Berisha , i cili është edhe autori i librit  “Si dhe pse lindi Departamenti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut  – Nënës Tereze”. Prof. Berisha preku disa aspekte të qenësishme të figures së Nënës Tereze, duke theksuar se ajo ende është e pastudiuar mjaftueshëm dhe për pasojë emri dhe vlera e saj ndërlidhen gabimisht me të qenurit e saj bamirëse, një epitet ky që ajo nuk e kishte, pasi që Nënë Tereza, sipas prof. Berishës, e kishte flijimin kredo të angazhimit të saj jetësor.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe stërnipi i Nënës Tereze, Gjo Antoni, me banim në Opati të Kroacisë, i cili është edhe protagonist i librit “Gjon Antoni, një thesar kujtese për Shkupin e rinisë” të autorëve Skender Asani, Emin Azemi dhe Albert Ramaj. Për të sjellur para auditoriumit disa reflekse përmbajtësore nga ky libër, Gjon Antoni përmendi telegrafikisht rrugëtimin e tij jetësor nga Shkupi në Opati, duke u shprehur me një kolorit gjuhësor, që ishte karakteristike për të folmen e Shkupit të para 70 viteve.

Për librin “Porositë e Shën Nënës Tereze për ne” e autorit Don Lush Gjergji, foli Prof. dr. Skender Asani, i cili e ka shkruar edhe parathënien e këtij lbri.

“Don Lush Gjergji kësaj radhe vjen me një botim të ri – “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, si një fryt bashkëpunimi në mes të Shtëpisë botuese “Drita” nga Prishtina dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Edhe ky libër, i ndarë në 45 cikle tematike, që përkon me 45-vjetorin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe nga Shën Nënë Tereza, është vazhdimësi e përpjekjeve të Don Lush Gjergjit, që lexuesin ta mbaj gjithmonë të rinovueshëm me njohuri e detaje të reja nga jeta dhe vepra e kësaj gruaje me vlera të papërsëritshme njerëzore e shpirtërore”, nënvizoi Asani.

Kryeredaktori i revistës “Drita e Gonxhës”, Emin Azemi, foli për aspektin informativ dhe tematik të kësaj reviste, duke vënë në dukje se nga viti në vit, nga numri në numër, kjo revistë po pasurohet me autorë dhe tema. Ai në vazhdim u ndal edhe në shkoqitjen e vlerave që ofron libri “Gjon Antoni, një thesar kujtese për Shkupin e rinisë”.

ObserverKult

———

Lexo edhe:

EMIN AZEMI KUJTON BEQIR MUSLIUN: ENDE TRAJTOHET SI HERMETIK, KA ARDHË KOHA TA NJOHIM MË TEPËR!