Në shqip romani “Nën hijen e kodrës së gjelave”, fitues i Çmimit Europian për Letërsinë 2017

Lexuesi shqiptar do të ketë tashmë në duar një roman historik, që sjell një paralele mes historisë letone dhe asaj shqiptare. Vepra e Osvalds Zebris vjene  përkthyer nga Anxhela Cikopano.

“Nën hijen e Kodrës së gjelave” është një roman historik, i cili rrëfen lindjen e ndërgjegjes kombëtare të kombit leton, në kohën kur vendi ishte ende pjesë e Perandorisë Ruse. Jemi në Rigë, në vitin 1905: pushteti i carit rus në perandorinë e tij të madhe po kërcënohet dhe qyteti baltik po tronditet nga revoltat punëtore, dhuna dhe pogromet.
Revolucioni do të vërë kundër njëri-tjetrit edhe dy shokë fëmijërie dhe kodra ku janë rritur shndërrohet në skenën e një tragjedie. Një vit më pas, rrëmbimi i tre fëmijëve e shtyn policinë sekrete të carit të hetojë në rrethet revolucionare.
Kush e ka kryer krimin? Për çfarë arsyeje? Përgjigjja do të presë në mes jetën e dy familjeve në një revolucion, ku të gjitha palët shndërrohen në viktima. Në roman, ndodhitë e protagonistëve gërshetohen me historinë e vendit, Letonisë, në kërkim të lirisë, në sfondin e revolucionit rus të 1905-s.
Ngjarjet e asaj periudhe marrin një rëndësi të madhe në formimin e kombit leton, duke hedhur kështu bazat për formimin e shtetit të ardhshëm të Letonisë. “Nën hijen e Kodrës së gjelave” është fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, në vitin 2017./ ObserverKult