Bisedë me Sonela Piranin, themeluese dhe drejtoreshë e Festivalit të Filmit të Pavarur – Idromeno
Bisedoi: Fahredin Spahija
-Ka mbetur edhe një muaj deri te fillimi i Festivalit Idromeno, në Shkodër. Pjesëmarrësit janë bërë të ditur, tashmë. Na thuani diçka për konceptin e edicionit të parë të këtij Festivali?
-Edicioni i parë i Idromeno Independent është konceptuar nga një grup studentësh kryesisht si një përgjigje ndaj letargjisë së përgjithshme që ka kapluar botën e filmit në Shqipëri. Më tepër sesa një Festival Filmi Idromeno është një lëvizje arti, flasim gjithmonë në terma modestë, që ka për synim krijimin e kushteve për një brez të ri kineastësh të pavarur.
–Ju jeni themeluesja dhe drejtoresha e këtij Festivali të Filmit, prej nga ideja për themelimin e një Festivali filmik dhe pse pikërisht me emrin Idromeno?
-Idromeno është themeluesi i kinemasë së parë shqiptare, një personazh i keqpërdorur e pak i njohur thellësisht. Kam qenë pak përplekse për këtë emër pikërisht për këtë arsye: një Mjeshtër i Madh (mjerë ne për titujt e pavend që po japim në Shqipëri kohët e fundit) meriton të celebrohet me dinjitet dhe prandaj i gjithë stafi po punon me seriozitet për realizimin me sukses të këtij edicioni të parë.
-A mendoni se një Festival si ky i juaji, i ka munguar dhe i duhet skenës kulturore shqiptare? Cili do të jetë impakti i këtij Festivali për kineastët shqiptarë?
-Ky është një format i paeksperimentuar më parë dhe gjithçka e re vjen me një mision të veçantë: kineastët do kenë mundësinë të ndjekin Idromeno Industrial që është program i veçantë i dedikuar atyre dhe gjithashtu të krijojnë lidhje me të ftuarit tanë që do të jenë emrat më në zë të kinemasë europiane e jo vetëm.
-Në botë ka disa Festivale të profilit të IFF Idromeno, a keni krijuar kontakte me ndonjërin prej tyre dhe a e mendoni në të ardhmen bashkëpunimin me ato?
-Ne kemi kontakte me disa Festivale në Itali, Francë e Amerikë me të cilët kemi kënaqsinë të bashkëpunojmë në këtë edicion te parë dhe shpresojmë natyrisht të zgjerojmë hartën.
–Në listën e shteteve pjesëmarrëse në Festivalin që ju e drejtoni, është edhe Kosova. A mund të na zbuloni ndonjë prej filmave kosovarë që do të shfaqen në edicionin e parë të Idromeno Indipendent Film Festival 2022?
-Po kemi bashkëpunim me Kosovën por nuk më lejohet të zbuloj detaje. Për momentin mund të them vetëm se një nga anëtaret e jurisë është një regjisore nga Kosova të cilës ne ia duam shumë artin.
–Profili i juaj artistik është vërtetë impresiv. Duket se asnjëherë nuk ju mjafton pasurimi i dijes dhe përvojës në fushën e artit dhe të kulturës. Shkencat sociologjike ishin tërheqja e parë e juaj dhe pas përfundimit të tyre në Universitetin e Tiranës ju largoheni drejtë Shën Petersburgut ku do të studioni për letërsinë ruse. Pastaj rrugëtimi i juaj i radhës do t’ju çojë në Gjenovë ku do të thelloheni tek studimet mbi historinë e artit. Aventura e juaj studimore duket se merr fund në qytetin e bukur universitar belg, Ghent që në Mesjetë konsiderohej ndër qendrat më të bukura evropiane falë arkitekturës së saj mahnitëse. Aty, ju do të thelloni dituritë e juaja për teatër, kinematografi dhe muzikologji… Na thuani, pas gjithë këtyre studimeve cila fushë kulturore apo artistike, ju tërheqë më shumë? Cila është kompetenca e juaj më e theksuar?
-Kjo është pyetje të cilës ka kohë që si jap dot zgjidhje, janë vite të tëra akademi dhe unë jam munduar të studioj çdo gjë me seriozitet. Filmi është arti që bën bashkë në harmoni të jashtëzakonshme të gjitha zhanret dhe vitet e fundit jam përqendruar aty, por vetëm sepse më lejon të hulumtoj dhe ikonografinë, muzikën, letërsinë e së fundmi shkencat sociale që janë gjeneza e studimeve të mia.
–Pas gjithë këtyre përvojave studimore në qendra të ndryshme evropiane të cilat sigurisht se janë pasuruar me shumë vizita teatrove, galerive, muzeve të tyre, si e shihni skenën kulturore dhe artistike shqiptare: ka ecur përpara, ka vendnumëruar apo ka degraduar?
-Ne si publik po jetojmë një moment të vështirë dhe artistët po jetojnë një moment të vështirë: antivlerat po shiten si vlera dhe kultura frymon në dritëhije të frikshme biznesi. Në Shqipëri arti është kthyer në ‘fast food’ – produkt konsumi dhe për këtë nuk e di a është përgjegjës realiteti frenetik, media që nuk kultivon publikun me artistët e mirë apo vetë artistët e mirë që mjaftohen vetëm me statuse mllefi në rrjetet sociale. Gjithsesi ne do mundohemi të kultivojmë artin si atë filizin e njomë elegant i cili në një moment të dytë do të rritet e do shndërrohet në një pemë me rrënjë solide e të thella.
ObserverKult
Lexo edhe: