Në Shqipëri ishte thjesht një student më shumë i Universitetit të Arteve.
Jeta e të riut nga Durrësi, Klei Prifti, ndryshoi kur udhëtoi drejt Norvegjisë për të studiuar muzikë klasike.
“Pjesa e universitetit ka qenë shumë e vështirë për mua, sepse në vendin tonë ka mungesë në aspektin e rritjes artistike. Mungonte inspirimi tek mësuesit, pedagogët dhe u gjenda në një kryqëzim të vështirë. Kështu vendosa të marr rrugën drejt vendeve skandinave,” – tregoi ai.
Siç ndodh kudo, edhe atje Klei do të përballej me shuplakat që të jep arti, konkurencën, por edhe në fund, sukseset e pashmangshme për atë që punon.
“Ka qenë diçka fantastike, por edhe e vështirë doemos. Kur shkova atje u bëra pjesë e disa orkestrave simfonike dhe në çdo kohë kam patur gjithë mbështetjen nga profesori im. Atje gjeta një shtëpi të dytë,” – u shpreh Klei.
“Është një miksim ndjesish, edhe trishtim, por edhe gëzim. Trishtim, sepse lë familjen, miqtë për të shkuar në një vend që nuk e do, por kur familjarizohesh jashtë është një ndjesi e jashtëzakonshme, sidomos ndjesia e vlerësimit,” – shtoi ai.
Ky vlerësim e largoi Klein nga Shqipëria, të cilën e sheh shumë ndryshe nga vendet skandinave.
“Këtu ka qenë disi e vështirë të inspirohesha dhe të kisha lidhje me aktivitete dhe orkestra. Atje mundësitë për t’u rritur artistikisht dhe për të patur një lidhje me profesionin në shumë projekte është shumë i madh, sepse kultura është e tillë dhe arti klasik vlerësohet jashtë mase,” – tha ai.
Klei na tregon se lidhja e tij me Shqipërinë është e fortë, por jo aq sa ta kthejë pas disa vitesh në atdhe.
“Për t’u kthyer do jetë shumë e vështirë, sepse Shqipëria nuk e ka ende atë nivel artistik e pedagogjik në muzikën klasike. Planet e mia janë që të arsimohem atje, të kem një karrierë në vendet skandinave, pse jo edhe në vende të tjera të botës dhe të kthehem në Shqipëri vetëm për ndonjë projekt. Më dhemb në shpirt, sepse kam familjen këtu, por nuk e besoj të kthehem përgjithmonë,” – u shpreh ai.
Ky është një ndër qindra rastet e të rinjve, që largohen çdo vit nga Shqipëria në kërkim të një arsimi më të mirë, pune më të mirë, jetese më të mirë./gazetatema
ObserverKult
Lexo edhe: