Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit është shfaqur komedia me titullin “Në shtëpi në orën 7”.
Kjo është shfaqja e gjashtëmbëdhjetë e këtij kompeticioni që edhe pak ditë përmbyllet duke vlerësuar edhe shfaqjen më të mirë së bashku me çmimet që do të jepen për kategori të ndryshme.
Këtë komedi e solli me profesionalizëm trupa e teatrit “Petro Marko” e qytetit të Vlorës. Regjisor i veprës është Roland Minga, skenografi dhe kostumografi Drini Shehu, formulimi muzikor Artur Dhamo. Ndërsa personazhet interpretohen nga aktorët e njohur Preston -Astrit Mamaj, znj. Preston – Matilda Avduli, Doktori – Margent Çaushi, Majori – Jorgaq Tushe, Pegi – Eliona Thomaraj, Komisari – Lavdimir Abilaliaj.
Prestoni kthehet në shtëpi në orën shtatë, si zakonisht dhe nga një shpërthim gome makine që i sjell ndërmend atij situatën e luftës (shpërthim i një bombe, e ndodhur vërtet), e fut atë në një rreth vicioz, të pashpjegueshëm. E gjithë kjo i shkakton atij një psikozë të rëndë e cila është sjell me mjeshtëri nga R.S. Sherif. Në mënyrën më të vështirë të mundshme për një dramaturg, në komedi, por njëkohësisht edhe më e kuptuar nga publiku.
Përpëlitja që ndodh brenda ndërgjegjes së tij midis së vërtetës së ndodhur dhe asaj të nënkuptuar, e ushqejnë psikozën e rëndë të trashëguar nga lufta të Prestonit… Kush e ka bërë vjedhjen? Ç’lidhje ka Prestoni me të… dhe, a ka vërtet lidhje?/ATSH
LEXO EDHE: “NË DET”, SHFAQJA E TEATRIT TË KUMANOVËS NË FESTIVALIN MBARËKOMBËTAR TË TEATRIT