Demonstratat e pranverës të vitit 1981 në Prishtinë janë një moment kyç në historinë e Kosovës dhe në këtë 40-vjetor Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka realizuar një ekspozitë.
Pas Prishtinës, saktësisht aty ku nisën demonstratat dhe çeljes së saj në disa qytete të Kosovës, ekspozita çelet në Tiranë në “Pazarin e Ri”.
Me këtë rast Ardit Bido, drejtor i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, tha se ky organizim bëri që ta sjellë edhe në Tiranë një mundësi që edhe shqiptarët e Shqipërisë të kenë një qasje ndaj dokumenteve të kohës të një prej momenteve më të rëndësishme të historisë bashkëkohore shqiptare.
“Kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme e organizuar nga ASHAK-u, që vendosi ta sjellë edhe në Tiranë si një mundësi që edhe shqiptarët të kenë një qasje ndaj dokumenteve, gazetave të kohës të një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë bashkëkohore. Ato rindezën pas aspiratën kombëtare të saj që do të realizohej pas 3 dekadash, Pavarësia e Kosovës”, citohet të ketë thënë Bido, transmeton ‘zeri.info’.
I pranishëm në këtë ceremoni çeljeje të ekspozitës, historiani Paskal Milo ndan atë që ndodhte në Tiranën e vitit 1981 lidhur me këtë moment historik.
“Kam qenë bashkëkohës në Tiranë, pedagog në universitet dhe si ligjërues i historisë së vendeve të Ballkanit, rrjedhimisht edhe historisë së Kosovës. Politikisht në atë kohë, Shqipëria u angazhua e gjitha dhe kam parasysh si opinionin publik, por edhe çdo gjë tjetër, shtypi i kohës, por edhe takimeve, mbledhjeve…për të shprehur solidaritetin me studentët e Kosovës. Është një ngjarje e madhe në historinë e Kosovës, një pikë kthese. Dhe jo vetëm për të, por edhe për ish-Jugosllavinë”, ka thënë historiani Milo.
Prej 11 marsit ekspozita që u çel në nisje në Prishtinë, nisi të rrugëtojë në disa qytete të Kosovës.
Bedri Zyberaj, kryeshef i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, tha se ekspozita nisi rrugëtimin nga mensa e studentëve në Prishtinë, aty ku edhe nisi gjithçka më 11 mars të vitit 1981.
“Në nisje kjo ekspozitë që shënon këtë jubile u hap pikërisht në mensën e studentëve, aty ku nisi gjithçka më 11 mars të vitit 1981. Protesta e studentëve në nisje kishte karakter më tepër social, por ajo brenda pak ditësh u rrit pasi më 26 mars të po atij viti studentët nga qendrat e tyre dolën rrugëve të Prishtinës dhe ftuan e më pas ju bashkuan një pjesë e mirë e rinisë shkollore të asaj kohe”, është shprehur Zyberaj.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur përgjatë 3 ditëve në vijim në hyrjen kryesore të “Pazarit të Ri” në Tiranë.