Në kuadër të panairit akademik të radhës të organizuar nga qendrat akademike shqiptare që sivjet u organizua në Tiranë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u promovuan tri vepra të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve “Historia e trevave lindore” (Ipeshkvia Shkup-Prizren) nga Gaspër Gjini dhe “Zhvillimet kulturore dhe historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shek. XIX-XX” e përgatitur nga grup autorësh dhe “Dialektologjia shqiptare – Të folmet shqipe të Maqedonisë së Veriut IV”, po ashtu nga grup autorësh.
Në fillim të pranishmit i përshëndeti drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore, Dr. Skender Asani i cili tha: “Këto dy vepra janë uverturë në shkrimin e historisë së shqiptarëve të Maqedonisë, e cila në të ardhmen do të jetë edhe pjesë e teksteve shkollore të shkollës shqipe në këtë shtet.”.
Me këtë rast ai e paralajmëroi edhe projektin e ri të shkrimit të historisë së shtetformësisë së shqiptarëve të Maqedonisë.
Në emër të Akademisë së Shkencave foli kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skender Gjinushi i cili duke e përgëzuar Institutin për punën që po e bën, uroi që sa më shpejt ky institucion të kalojë në akademi të shkencave për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, gjithë kjo në frymë të zhvillimit të shkencës dhe integrimit ndër shqiptar dhe evropian.
Për veprën dyvëllimëshe “Historia e trevave lindore” folën dy nga autorët e kësaj vepre, historianët Dr. Sevdail Demiri dhe Dr. Besnik Rameti të cilët e vunë në pah rëndësinë e kësaj vepre në kuadër të shkrimit të historisë së shqiptarëve të Maqedonisë.
Për vëllimin e katërt të serisë “Dialektologjia shqiptare – Të folmet shqipe të Maqedonisë së Veriut” foli hulumtuesi i Institutit, gjuhëtari Dr. Zeqirija Ibrahimi, i cili u ndal në rëndësinë e madhe që ka ky vëllim për përmbylljen e serisë së studimeve të të folmeve shqipe në Maqedoninë e Veriut me të cilat, siç tha ai, “vizatohet harta e kufijve gjuhësorë të shqipes”.
Promovimin e moderoi hulumtuesi i Institutit, Dr. Sefer Tahiri./ Flaka.com.mk
ObserverKult
Lexo edhe:
AKADEMIA E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË PËRGËNJESHTRON ARTAN FUGËN: DEKLARATA TË PAVËRTETA…
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përgënjeshtroi pohimet e një prej anëtarëve të saj, akademikut Artan Fuga.
Akademia e Shkencave publikoi qëndrimin e saj lidhur me deklaratat e Fugës, si vijon: “Në respektim të etikës akademike dhe të opinionit publik, ndihemi të detyruar të distancohemi e të përgënjeshtrojmë gjithçka që thuhet nga një anëtar i Asamblesë në adresë të saj.
Veçanërisht të deputetëve të nderuar, vetëm për faktin se ata kanë mbështetur e mbështesin reformimin e Akademisë nëpërmjet ligjit të ri dhe jo përmes deklarimeve me sharje, fyerje, denigrime e të pavërteta.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
RIKTHEHET PANAIRI I LIBRIT PAS DY VJETËSH MUNGESË
Me moton “Libri mbron mendjen”, vjen edicioni i 22-të i kryengjarjes së librit në Kosovë.
Panairi i 22-të i Librit do të mbahet nga 7-12 qershor 2022, në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë dhe organizohet nga Shoqata e Botuesve e Kosovës.
Ceremonia e hapjes do të bëhet më 7 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Panairi do të mbyllet më 12 qershor në orën 18:00 dhe ky panair do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00. Hyrja për vizitorë do të jetë pa pagesë, bëjnë të ditur nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult