Aktori Nelson Sejdija njihet për rolet në serialin e famshmëm turk “Grand Family” (2015 – 2021) dhe serialin e Netflix “Ertugrul” (2014 – 2019), një prej serialeve më të shikuara në Evropë. Ka lindur në Shkup, Maqedonia e Veriut në vitin 1994 me prindër shqiptarë nga Kosova (Fehmi dhe Dashurie Sejdija). Në vitin 2004 Nelson dhe familja e tij u zhvendosën në Prishtinë, ku jetojnë aktualisht. Në vitin 2017 kreu studimet për aktrim te Akademia e Arteve në Shkup.
Nga Artemisa Kastrioti, Nju Jork
Nelson krenohet se është shqiptar. Në projektet dhe intervistat e tij ndërkombëtare ai gjithmonë tregon për origjinën shqiptare dhe pasionin për botën e aktrimit. Karriera e tij artistike i ka dhënë emër përtej trevave shqiptare, në Itali, Turqi, dhe Gjermani.
Nelson Sejdija e ka treguar veten të suksesshmëm në fusha të ndryshme, si në teatër, film, dhe modë. Në aktrim ai cilësohet si aktor profesionist i shkëlqyer dhe i fortë. Ai mund të portretizojë çdo karakter që i është dhënë me besueshmëri dhe sinqeritet. Përveç karrierës së tij në aktrim, ai modelon edhe veshje, kostume klasike për gentlemen.
Cili është projekti juaj i fundit filmik?
Nelson Sejdija: Projekti im i fundit quhet “Familja e Madhe” (Grand Family), një serial turk me pesë sezone, me regji të Onur Tan. Grand Family është një serial shumë i njohur i zhanrit aksion-krim-dramë që flet për jetën e një të riu që bëhet pjesë e mafias. Historia shpalos një komplot të ndërlikuar rreth familjes, pushtetit dhe botës së krimit.
A mund të na tregoni për personazhin tuaj në serialin Grand Family?
Nelson Sejdija: Seriali është xhiruar në Stamboll. Kam luajtur rolin e një gangsteri, i cili ishte një vrasës me pagesë.
Si ishte të punoje me regjisorin e mirënjohur Onur Tan?
Nelson Sejdija: Kam qenë pjesë e xhirimeve gjatë sezonit 2019-2020 dhe kam respekt të lartë për regjisorin Onur Tan. Regjisori Onur kishte një vizion të qartë për serialin “Familja e Madhe”, dhe e komunikoi lehtësisht me ekipin. Ai i dha drejtim projektit, ishte shumë pozitiv dhe motivues gjatë gjithë xhirimit. Më pëlqeu puna me regjisorin Tan dhe respektoj profesionalizmin dhe etikën e tij të punës.
Në cilat projekte të tjera keni qenë pjesë?
Nelson Sejdija: Në vitin 2019 kam marrë pjesë në sezonin e fundit të serialit të njohur “Ertugrul”, me regji të Metin Günay. Ertugrul është një dramë historike mjaft e vlerësuar dhe e përfolur me gjashtë seri, ku unë luaj rolin e rojes së mbretit.
Sa ndryshon kinemaja evropiane nga industria e filmit amerikan?
Nelson Sejdija: Filmat amerikanë krenohen për xhirimet në destinacione të famshme evropiane dhe filmat evropianë njihen për skenaret e tyre të forta dhe kreative. Hollywood-i ofron përfitimet e tij duke pasur parasysh madhësinë e buxhetit organizativ dhe numrin e madh të producentëve.
Çfarë hobi të tjera keni?
Nelson Sejdija: Aktrimi është pasioni im kryesor por gjithashtu më pëlqen të modeloj për kostume të stilit klasik.
Për cilat arritje jeni krenar?
Nelson Sejdija: Punoj shumë për të arritur qëllimet që i kam vënë synim vetes. Të gjitha arritjet dhe sukseset e mia ia kushtoj familjes sime. I jam shumë mirënjohës familjes për dashurinë dhe mbështetjen dhe gjithçka që bëj është për ta.
Vitin e kaluar në 2021 humba të dy prindërit e mi dhe kam kaluar një periudhë shumë të vështirë gjatë kësaj kohe. Humba dy njerëzit më të çmuar në jetën time, por vendosa të mos dorëzohem. Dua t’i bëj prindërit e mi krenarë me punën time duke realizuar ëndrrat të mia. E vlerësoj mirësinë e prindërve të mi dhe i kujtoj gjithmonë ata duke u treguar dashamirës me të tjerët.
Çfarë mësimesh të jetës ju ka dhënë aktrimi? Cila është këshilla juaj për aktorët aspirantë?
Nelson Sejdija: Aktrimi është një fushë e vështirë në një industri tepër të vështirë. Nëse nuk e keni pasion si profesion dhe nuk e bëni me mund dhe zemër, do jetë e pamundur të përballoni presionet e industrisë. Shumë aktorë të rinj humbasin besimin ose vetëbesimin kur përballen me refuzimin dhe pasiguri.
Vetëbesimi është mjeti më i fortë për njeriun për të luftuar pasiguritë që ju hedh jeta. Kontrolli i ndjenjave dhe të menduarit pozitiv ju ndihmon të qëndroni të motivuar drejt qëllimeve tuaja. Mësimi kryesor për mua është se shqetësimi nuk të ndihmon në planin afatgjatë; nuk të bën aktor më të mirë, thjesht të pengon në arritjen e ëndrrave të tua. Sa më shumë të shqetësoheni dhe të mendoni për aftësitë tuaja, aq më pak fokus do të keni dhe kjo do të reflektohet në performancën tuaj. Suksesi varet nga ju nëse i kapërceni pengesat.
Gjithmonë i them vetes se një karrierë në aktrim do të jetë e mbushur me shumë ulje-ngritje dhe sfida, por përmes gjithë kësaj, ti je e vetmja gjë që mund të kontrollosh. Nëse vendosni energjinë tuaj në pasionet tuaja në vend të frikës tuaj, atëherë mundësitë janë të pafundme!/telegraf.al