“Nëna e dëgjoi piskamën që e lëshoi Sabiha Kasimati para se të ndahej nga jeta”

sabiha kasimati
Sabiha Kasimati

Ajet Hysa, banor i fshatit Mënik, dëshmon rrëfimet e nënës dhe babait për natën e pushkatimit të 22 të akuzuarve për ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike

Hane Hysa ishte një grua në fshatin Mënik, në periferi të Tiranës. Gjatë ditës kur ajo po kryente punët e përditshme, i kishte ndeshur syri në një grup njerëzish në kodrën përballë shtëpisë së saj.

Shtëpia e Hanes ishte në një distancë jo fort të largët, aq sa mund të dallonte veprimet e tyre. Përballë saj ishin në fakt 22 të dënuarit me pushkatim. Të akuzuar padrejtësisht nga diktatura si të implikuar në ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike.

Mes tyre shquhej edhe një grua. Hane Hysa i kish parë ata njerëz të lidhur. Me një zinxhir që e përshkonte vargun njerëzor nga fillimi në fund. Ashtu të lidhur me zinxhir i kish parë të punonin gjatë gjtihë ditës, për të hapur një kanal.

Kur ora shënonte 12.00 pas mesnate të dënuarit i kishin vendosur në rresht anës kanalit të thellë dhe përballë tyre zinte vend skuadra e pushkatimit.

Llozat e armëve filluan të kërcisnin, më pas disa sekonda pritje plot ankth e ulërima… deri sa dëgjohet urdhri për të qëlluar mbi ta.

Pas krismave, dëgjoheshin vargonjtë e zinxhirëve që lëshoheshin përtokë bashkë me trupat e pajetë.

U dëgjuan edhe rënkimet e shpirtrave njerëzorë në grahmat e fundit. Hane Hysa kishte dëgjuar ndër këta zëra piskamën e një gruaje.

Të nesërmen në mëngjes shquhej vetëm ngjyra e dheut në gjatësinë e kanalit. Disa ditë më vonë një eskavator rrafshoi gjithë vendin, duke hedhur trupat e tyre poshtë shpatit të përroit aty pranë.

Babai i Ajetit, Faslli Hysa, i zoti i shtëpisë që ndodhej përballë vendit të ekzekutimit. I kishte lënë amanet fëmijëve të tij që të mos ndërtonin mbi tokën ku u varrosën të pushkatuarit gjatë diktaturës komuniste. U kishte thënë bijve të tij që të mbillnin vetëm pemë.

Vite më vonë, njëri prej djemve të Faslliut, Haliti po gërmonte për të mbjellë një pemë dhe gjeti kafkën e një njeriu. E vendosi përsëri aty dhe pranë saj mbolli këtë kumbull.

Më poshtë do të gjeni dokumentarin “Të zhdukurit” realizuar nga Kujto.al, ku është edhe dëshmia e Ajet Hysës./kujto.al

Lexo edhe:

FAKTET ‘FLASIN’: JA KUSH ISHTE ENVER HOXHA…

ObserverKult