Shumë ngjarje të dhimbshme ndodhnin dyerve të burgjeve me familjarët e të dënuarve qe rendnin nga çdo cep i Shqipërisë për t’ju gjendur pranë të afërmve të burgosur.
Kjo është historia e një nëne të burgosuri, nga Puka në vitet ’70-të e cila bënte kilometra të tërë në këmbë, maleve për të mbërritur tek i biri, derisa një ditë kishte mbetur e ngrirë në dëborë.
Historia e saj është përjetësuar në këtë poezi të Shkëlqim Abazit, i cili e njohu këtë nënë heroinë kur ishte vetë i burgosur në Spaç.
Ja shënimi i i tij dhe poezia për nënën e Franit:
Shkëlqim Abazi:
“Gjithë të dënuarit e viteve …70 – …73 e kujtojnë nanën e Franit, atë grua kreshnike, tepër të vobektë, që nisej në këmbë nga thellësitë e Pukës për të mbërritur në Spaç pas tri ditë-netësh.
Si mbushte torbën me fruta pylli, si arra, lajthi, mollçinka, gështenja apo ç’t’i ofronte natyra, mësynte derën e burgut me rregullsi ciklike dy mujore dhe nuk largohej pa u takuar me të birin.
Ne ishim mësuar me rregullsinë e asaj nëne fisnike, sa kur mbushej dy muajshi, dilnin mbi tarracë dhe vrojtonim drejt portës. Dhe ajo s’na zhgënjeu ndonjëherë, do vinte në ditën fikse, sillte frutat e pyllit me porosi që i biri të na i ndante secilit nga një kokërr.
Por kaluan disa dymujor dhe nana s’po dukej, u merakosëm. Ç’t’i kish ndodhur vallë?
Kur nëpërmjet ca të lirëve vendas mësuam se plakën e gjorë e kishin gjetur të ngrirë mes maleve të Pukës dhe Spaçit, me strajcën e pandashme në dorë, na pllakosi zia. Humbjen e saj e përjetuam me dhimbje, si ta kishim njeriun tonë të afërm.
Lavdi nanës së Franit, që e mbiquajtëm njëzëri Ajkunë!/kujto.al
Nana e burgut.
(Ajkuna)
Nuk lindi bijë mbreti,
kamjen nuk e njohu kurrë.
Gjithë jetën bjeshkëve mbeti,
fjeti nën borë e mbi gurë.
E vobektë ish nan’e mirë,
përshtatej me ç’të gjente.
Pak bukë, pak gjizë e shëllirë,
lëpjeta, lakra dhe mente.
Supeve një zhgun të dhirtë,
mbledhur flokët nën shami…
Në dorë një strajcë të hirtë,
endej pa plang, pa shtëpi.
Çlodhej ku ta zinte ora.
Rropatur nga udha e gjatë,
shpesh e kish mbuluar bora
staneve me barkun thatë.
II
Me torbën majë kurrizi,
në terren e gjente ylli.
Gështenja dhe lënde lisi,
mblidhte ç’t’i ofronte pylli.
Dhe fanitej çdo dy muaj
si Feniks që lind prej hirit…
Si Ajkunja e tërbuar
ndehte krahët drejt të birit.
Telat ish gati t’i shqyente,
shpirtin zhurritur nga malli.
Në zemër një duf i zjente
gjer ballas t’i shfaqej djali.
Zinte portën me durim,
priste e priste tërë natën,
sa të gdhihej, në agim
birit t’i jepte uratën.
Për gjithkënd nana fisnike
blatonte paksa dashuri.
Bashkë me vizitat ciklike
na sillte një grimë liri.
Kësisoj e mira nanë
na mëkoi tërë ato vite.
Çdo lajthi, një kokërr thanë
shkërbente një rreze drite.
III
Por kaluan dy tremujor
për nanën s’mësuam gjë…
nga një thikë në kraharror
na u ngul dhe s’u shkul më.
Spaçin e pllakosi zia,
nana e burgut mungonte…
Secili si mëmën e tija
Ajkunën do ta kujtonte.
ObserverKult
—————–
Lexo edhe:
Tronditëse: E la Italinë për dashurinë e jetës, komunistët e shfrytëzuan në vend të mushkës…
ObserverKult