Aktorja e madhe e skenës shqiptare, Tinka Kurti festoi dje 89-vjetorin e lindjes.
Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë në një familje artdashëse. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Familja e saj shpërngulet, kur ishte pesë vjeç, drejt qytetit të Shkodrës. Këtu mbaron arsimin shtatëvjeçar dhe në vitin 1947 niset në Tiranë për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës. Rastësisht, siç do të shprehej ajo vetë vite më vonë, do të kalonte në degën e Dramës në Liceun Artistik.
Në karrierën e saj, Kurti numëron rreth 300 role në teatër dhe në kinema. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën, por dhe mënyrën e interpretimit.
Prej vitit 1949 ajo u emërua aktore në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, ku interpretoi mbi 120 role. Tinka Kurti do të shkëlqejë në rolet protagoniste në shfaqjet: “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, “Fisheku në pajë”, “Fejesa” etj. Ajo ka interpretuar mbi 35 role në kinema dhe do të mbahet mend në rolin e protagonistes, në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë ”Tana”, në vitin 1958.
Kurti ka spikatur me rolet e Nënë Pashakos tek filmi “Yjet e netëve të gjata”(1972), Nëna tek filmi “Çifti i lumtur”(1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”(1993) etj.
Për të vlerësuar rolin e saj në kinematografinë shqiptare në Festivalin e XI-të të mbajtur prej 23 deri në 27 Prill të vitit 2000 në Tiranë do ti jepet Çmimi i Madh i Karrierës. Kurti u nderua me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1961. Për meritat e saj të mëdha artistike Tinka Kurti është vlerësuar edhe me titullin e lartë “Artiste e Popullit”.
Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i madh i punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës./ATSH
ObserverKult
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
TINKA KURTI KUJTON NJOHJEN ME DRITËRO AGOLLIN: SI MË ZGJODHI TË LUAJA NËNË PASHAKON