Në radhën e parë, një prej të ftuarve të nderit në koncertin e organizuar për nder të Nënë Terezës ishte ish-kryeministri Sali Berisha. I shoqëruar nga zonja e tij Liria, Berisha dukej i buzëqeshur për pjesën dërrmuese të koncertit. Por gjithçka ndryshoi në fund, kur në përmbyllje u lexua një poezi e shkruar nga Nënë Tereza vetëm 3 javë përpara se të ndërronte jetë, në vitin 97.
Siç e ka shkruar në poezi, Nënë Tereza dukej shumë e shqetësuar për atë që qoftëlargu po i bënte atdheut të vet, Shqipërisë. Kjo poezi ka bërë që Berisha të ndjehej i fyer nga organizatorët e shtetit kosovar dhe të Vatikanit, pasi në vitin ’97 kur Nënë Tereza shkroi këtë poezi, “qoftëlargu” në Shqipëri ishte vetë Berisha që në atë periudhë ishte president dhe pas skemave piramidale në vitin 1997 Shqipëria u rebelua dhe qytetarët e saj revoltën e shprehën edhe me dhunë./javanews.al
Poezia e Nënë Terezës
Si shumë po vepron Qoftëlargu në anët tona!
12 shtatore me figura shenjtësh do të doja të kisha në Shqipëri,
patjetër dhe në Kosovë 12 të tjera,
të luteshin murgeshat e
mia për të larguar të keqen nga atdheu im.
Dua të kthehem në SHQIPËRI,
t’u shërbejmë të varfërve të gjakut tim.
Dhe në nderim të kujtimit të prindërve
dua të kthehem,
pranë tyre të mbyll sytë.
Ta dimë,
secili nga ne është
krijuar për të bërë vepra të mëdha.
*27 gusht 1997, pak ditë para vdekjes
ObserverKult
—————————
Lexo edhe:
VISAR ZHITI: SHENJTORJA NËNË TEREZA, SHQIPTARËT DHE SHTETI I TYRE PËRGJYSMË…
Vepra e saj humanitare, bëmat edhe fjala, i kanë kaluar kufijtë, nuk është thjeshtë një misionare e madhe katolike, as vetëm fituesja e Çmimit “Nobel” për Paqe, e konsideruar, me gjuhën e sotme, si “investitorja e dashurisë”, ‘Industrialiste e buzëqeshjeve”, etj, duke e quajtur si gruan më të njohur të planetit, Nënën e Botës, etj.
Pse? Sepse në fund të fundit, me gjithë zhvillimet mahnitëse, kur jeta dhe botkuptimi shkencor, vetë shkenca, artet, janë modernizuar pabesueshmërisht shumë, shekulli XX dhe XXI ka sjellë çudira edhe në përditshmëri të paimagjinuara dot më parë, njeriu eksploron atomin dhe qelizën, po kështu hapësirat qiellore dhe galaksitë, dhe vetveten të gjithë, ndërkaq e kërkon Zotin gjithandej, i duket sikur nuk e gjen, po është e thjeshtë, edhe sipas mendimit të vjetër aristetolian që s’ka pasojë pa shkak, pra dhe gjithë ky krijim universal ka dhe krijues, etj, etj, por një gjë ka mbatur e njëjtë, njerëzit më shumë se gjithçka kanë nevojë për dashuri dhe buzëqeshje, pra njerëzimi. Këtë mori si detyrë Shenjtja Nënë Terezë. Këtu mbase fillon për ne misteri shpirtëror i Krijuesit Suprem, te dashuria dhe buzëqeshja.
Edhe unë kam shkruar për Shenjten tonë Nënë Tereza: Modeste skajshmërisht, e varfër po aq skajshmërisht, nga ana materiale e kam fjalën, dinjitoze gjithmonë deri në madhështi të brendshme, Nënë Tereza, Shenjtorja moderne, pa asnjë lloj biznesi, pa shpikur asgjë, pa udhëhequr asnjë vend e, (nëse ka personalitete që futen në histori me dhunë, duke bërë plojë të madhe e dalin prej andej duke i zvarritur statuja), pra, pa zbuluar ligje të fizikës, megjithese rizbulon zjarrin e shpirtit me shkencën e mrekullisë së besimit, pa shkruar epopera, veç lutej me mërmërima, duke investuar dhëmbje, Ajo u bë e përbotëshme, u bë vetë botë.