Nëntë muaj pas sulmit, Salman Rushdie, vjen me një paralajmërim

Shkrimtari i njohur Salman Rushdie mbajti një fjalim publik, nëntë muaj pas sulmit me thikë.

Rushdie paralajmëroi se liria e shprehjes në Perëndim është nën kërcënimin më të rëndë ndonjëherë. Ruzhdie foli përmes një mesazhi me video gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të librit britanik, ku ai mori çmimin “Freedom to Publish”.

Organizatorët thanë se çmimet vlerësojnë vendosmërinë dhe qëndrimin e autorëve, botuesve dhe librashitësve kundër intolerancës, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme me të cilat përballen.

75-vjeçari Rushdie dukej më i dobësuar se para sulmit dhe mbante syze me një xham me ngjyrë.

Pas sulmit me thikë në qytetin e Nju-Jorkut në muajin gusht, Rushdie humbi shikimin në syrin e djathtë. Po ashtu pësoi dëmtime nervore në dorë.

I dyshuari për sulmin, Hadi Matar, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për sulm dhe tentativë për vrasje.

“Ne jetojmë në një moment, mendoj unë, në të cilin liria e shprehjes, liria e botimit në Perëndim nuk ka qenë nën një kërcënim të tillë në jetën time”, tha Rushdie.

“Ndërsa jam në Shtetet e Bashkuara, kemi një sulm të jashtëzakonshëm ndaj bibliotekave dhe librave për fëmijët. Vetë ideja ndaj sulmit të bibliotekave është jashtëzakonisht alarmante. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe të luftojmë fuqishëm kundër këtij fenomeni”.

Rushdie kaloi vite të tëra në fshehtësi nën mbrojtjen e policisë.

Kjo pasi që Ajatollahu Ruhollah Khomeini i Iranit lëshoi një dekret në vitin 1989 me thirrjen për eleminimin e tij lidhur me publikimin e romanit “Vargjet Satanike”.

Gradualisht ai iu rikthye jetës publike pasi qeveria iraniane u distancua nga urdhri në vitin 1998, duke thënë se nuk do të mbështeste asnjë përpjekje për të vrarë zotin Rushdie.

Megjithatë dekreti nuk u shfuqizua kurrë zyrtarisht.

Rushdie fitoi çmimin Booker në vitin 1981 me romanin “Midnight’s Children” (Fëmijët e Mesnatës).

Në vitin 2008 u votua si fituesi më i mirë ndonjëherë i çmimit prestigjioz të letërsisë artistike.

Romani i tij më i fundit, “Victory City” (Qyteti i Fitores), i përfunduar një muaj para sulmit, u botua në shkurt./VOA

ObserverKult


Lexo edhe:

U SULMUA DISA MUAJ MË PARË, SHKRIMTARI SALMAN RUSHDIE HUMB NJËRIN SY…

Viktima e një sulmi me thikë në Shtetet e Bashkuara në gusht, shkrimtari Salman Rushdie ka humbur shikimin në njërin sy.

Po ashtu përdorimin e njërës dorë, ndër pasoja të tjera të rënda. Kështu tha menaxheri i tij për gazetën El Pais.

“Ai ka humbur shikimin në njërin sy. Ai kishte tre plagë të rënda në qafë. Rushdie është invalid në njërin nga krahët e tij.

Kjo sepse i janë prerë nervat në krah.

Ai ka rreth 15 plagë në gjoks dhe në bust”, tha Andrew Wiley.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult