(Një vështrim për përmbajtjet sakrale të poezive të librit ‘Palankin’)
Nga Murteza OSDAUTAJ
Miku im, Fahredin Shehu, njihet me shkrimin e tij jashtëdimensional, filozofik, gnostik dhe të orientuar drejt sqarimit të të pasqaruarës. Pse e them këtë?
E them ngase Fahredini dhe poezia e tij nuk sjellin aktualitetin dhe ‘botën’ në formën në të cilën e njohim ne atë. Poezia e Fahredinit dhe shprehja e tij poetike janë më një kuptimësi tjetër dhe kjo kuptimësi është e dimenzioneve që kapin hapësirën e fillimit të krijimit të jetës dhe arsyeshmërinë e ekzistimit të brenda universit.
Fahredini nuk e pranon jetën si fakt të qenë. Ai mundohet ta gjejë arsyen astronomike të lindjes së saj. Ai e mundohet të hyjë në natyrën qelizore të fillimit dhe në shtresat me subkoshiente të të menduarit të bërjes së saj. Kërkimi apo përpjekja për ta hetuar se pse na u dha, përse duhet ta jetojmë dhe si duhet ta jetojmë jetën, bazuar edhe në filozofitë më mistike të lindjes, është një qëllim, thuaja, mbitokësor dhe mbinatyror i përpjekjes së tij. Duke dashur ta njoh nga një kënd dhe dimenzion që shkenca dhe arti modern nuk e kanë shikuar dhe njohur jetën dhe krijimin e saj, Fahredini e mbishtreson shkrimin e tij me magjinë dhe me shkrimin e shenjtë kuranor dhe biblik ndonjëherë edhe budist. Në këtë formë të shkruarit e Fahredinit bëhet një zgjatim i të shenjtës dhe i të bukurës që nuk e kanë dimensionet racionale të njeriut modern dhe të menduarit e tij.
Fahredini mundohet ta tejkalojë qenësinë fizike tonën, pra të njeriut. Mundohet të dalë mbi shtresimet kuptimmbajtëse që mbijetojnë brenda nesh, ai tenton që brenda kufijve të botës sonë të të menduarit, ta instalojë një lloj metamendimi metafizik mbi njeriun dhe mbi arsyet e ekzistencës dhe të të menduarit të tij. Thjeshte me profilin e tij te poetit mendimtar, Fahredini mëton ta shpjegojë zanafillën e te tërësishmes që inkorporohet në njeriun.
Fahredini përkufizohet ne kuptimet reale dhe magjike të numrit nëntë. Ai nëntëshin e shikon si një numër përcaktues kozmik dhe jetësor. Krijimi, mbikrijimi dhe lindja përthekohet filozofikisht brenda nëntë momenteve, nëntë muajve dhe nëntë aspekteve të ekzistencës. Po qëllimi i tij është shpjegimi i të mrekullueshmes, të dashurisë, të përmbitokësores dhe të magjishmes që ndodhë brenda ciklit të nëntëshit. Në hyrjen e librit të tij ai mundohet të na shpjegojë nëntëshin e tij mistik:
Edhe njëherë do të flas nëntëshin e botës.
Këtë herë nuk do të huazoj
gojët e dritave që rrezatojnë
ndërmjet dy dritave të bojshme.
ky nur që kalon nëpër cipat
e qenies pa u penguar shqyen smirën
dhe urrejtjen. Shuan etjen për dije
dhe ngop barqet e uritura
për një kafshatë diturie në varg
Nga kjo që shohim, që në poezitë parathënëse të autorit, ai mëton që më anë të forcës së diturisë, dhe dituria te autori shpesh është kategori metafizike që qëndron mbi ne dhe jashtë nesh, të krijojë universin e tij të njohjeve lidhur me temën që mundohet ta shtjellojë në preokupimin e tij filozofiko-poetik. Autori e kuranizon dhe e kanonizon shkrimin për ta shpjeguar ‘pakundërshtueshëm’ mrekullinë e krijimit dhe të zanafillës.
Lindja e njeriut është një akt hyjnor, ngjizja, formësimi, përfundimi i krijimit dhe lindja e njeriut është një formë e zgajtur e universit dhe shtresave kozmike të tij. Në të vërtetë, Fahredini, mundohet ta shpjegojë dashurinë, dhe dashuria është me një formë e ekzistencës, një formë e përzgjatjes së ekzistencës së mendimit dhe një mënyrë e vazhdimit të kozmosit. Fahredini nuk vrapon pas figurës, ai mundohet ta zgjidh kodin dhe kodi që mëton ta dekodojë ai është kodi i tërë asaj që e quajmë njerëzore, të qenësishme për ta shënjuar ekzistencën dhe e domosdoshme për ta dëshmuar qenien, arsyen, mendimin. Kjo ngase pa mendimin s’mund të dëshmohet e qenësishmja, ekzistenca.
Teksti i Fahredinit është një tekst sakral. Në tërësinë e tij ai duhet të kuptohet, në rend të parë, si i tillë d.m.th. biblik e kuranor e pastaj si poezi. Fahredini lidhet pas kodeve të jetës, të jetës dhe të domethënieve të ndërmjetme, të cilat kanë për qëllim ta shpjegojnë jo vetëm krijimin e jetës si proces biologjik por edhe ekzistencën e saj si një qëllim qiellor dhe si dije.
Duke shkruar një tekst që ka dimensione të mistikës fetare, dimensione të shkencave të lashta të lindjes dhe dimensione të racionalzimit perëndimor, në të vërtetë, shkrimi i Fahredinit është një tekst universal ekzistencialist, kur e shohim në kuptimin filozofik të fjalës.
Fahredini flet për nëntëshin. Numër kod që, sipas tij, domethënien e ka në krijimin e jetës. Duke qenë një numër kod, me një fuqi magjike dhe mistike, njëkohësisht, nëntëshi i Fahredinit ka fuqinë të përmbajë informacione të fshehta edhe për dashurinë edhe qenësinë e njeriut brenda konteksteve të përkohshme kohore të tokës.
Teksti i Fahredinit është tekst mbi mrekullinë. Është tekst mbi zotin dhe është tekst mbi inkarnimin e ekzistencës së njeriut në një bashkëveprim me perënditë që qëllim ka njohjen, dijen dhe ndoshta, mbidijen që është një shtresë e dijes dhe qëllimit suprem që ekziston mbi ne dhe jashtë nesh në formë të qëllimin të Zotit. Prandaj libri ‘Palankin’ i Fahredinit nuk është një libër i zakonshëm poezish. Libri më shumë është një prodhim që ka rezultuar nga leximet mistike të autorit të bëra në librat e shenjtë apo, në ndonjë rast, nga leximi i librave mistike poetike që janë karaktersitike në kulturën e lindjes dhe sidomos atë persiane. Autori na e bën më dije pazakonshmërinë e librit të tij që në parathënien e shkruar prej tij:
‘Ky libër do të jetë libër i qartë
i fshehur në zemrat e të dashuruarve.
Këto shenja të qarta për syhapurin
nuk fshehin misteret e botës së errët.
Zhvish tunikën e injorancës o dritë
e pashuar e Universit. Shih këtë
mrekulli të shndritshme që
të bëhet manifestim dhe dhuratë
për sot dhe për njëmijë muaj tjerë’
Libri do të jetë i ‘qartë‘ për lexuesin e lexuar. Qartësia e librit mbështetet mbi zhveshjen e asaj që autori e quan ‘tunikë e injorancës’. Në këtë kuadër libri dhe teksti që përfshihet brenda tij, nuk janë ndonjë masë e leximit të atypëratyshëm. Libri është i mbushur me filozofi, me informacione të fshehura, me shenja, dhe me një mbishtresim mistik dhe transcendental. Për këtë arsye analizimi dhe, ta quaj, dekompozimi i tekstit të autorit tonë kërkon një lloj dijeje specifike për stilin sakral të shkrimit dhe për diskursin teologjik të të folurit. Autori na detyron që ta përdorim, deshëm a nuk deshëm, hermeneutikën për t’i zbuluar kuptimet e fshehta, shenjat dhe kumtet që përmbanë kjo poezi dhe libri.
Libri pra nuk është një shkrim normal poetik! Libri është më shumë një lloj pasqyrimi hyjnor mbi krijimin e jetës dhe mbi krijimin e njeriut mbi këtë univers dhe, po kështu, për dashurinë si koncept i të gjitha besimeve religjioze abrahamike dhe joabrahamike. Dashuria ndaj njeriut, dashuria ndaj jetës dhe përçudnimi ynë kundruall ekzistencës tonë në këtë botë janë disa nga konceptet që autori mëton t’i shpjegojë duke u bazuar në eklektizmin filozofiko-shkencor të krijuar me shekuj nga teoritë dhe besimet fetare që nga Tibeti i largët e deri te Evropa moderne.
Autori në tërë librin e manifeston besimin e tij absolut në Zotin. Zoti për autorin është gjithçka. Është drita, është gjithësia, janë të tërat që shohim e që ndjejmë. Zoti për të është fuqia e krijimit dhe është krijuesi i cili ‘zbrazë’ mbi dimensionet e njohura tonat jetën, ndjenjat, dashurinë, ujin, bërjen. Nuk është çudi pra që autori i drejtohet, që në fillim, atij dhe nuk na habitë fakti që Ai, që në fillim të librit, deklarohet si i gjithëfuqishmi dhe i patejkalueshmi, në ne, jashtë nesh dhe përmbi ne.
1. Nga të dyja anët e energjisë sate
2. dy gjithësi anësore- reale të pështjellin.
3. Si përqafim i ngrohtë fëmijësh pas mallimit
4. të gjatë, pas mungesës që zgjati me vite drite.
5. Tash klith në mes-botë. Zotin kot e kërkoje
6. në ndërtesat e punuara me dorë njeriu dhe
7. në germat e mbarsura nga alienët.
8. Zotin kot pohoje se e gjete në zemrat
9. e besimtarëve si ti. Zoti të flet me akt!
Autori tregohet ‘supersticioz’ edhe në kombinimin kompozicional të librit. Ndarja e librit në nëntë kapituj dhe duke mos i emërtuar ata me asnjë emërtim specifik por me numra romakë, shënon qëllimin e autorit që rrjedhën e ‘zanafillës’ të cilën e përshkruan në librin e tij ta bëjë ashtu siç bëhet na natyrë, e rrjedhshme, e ngadalshme, proces i përmbledhjes së pjesëve që, aty këtu, autori i quan shtatë miliardë qeliza njerëzore.
Pjesa e parë e librit të Fahredinit shënon procesin e krijimin dhe të ndërhyrjes hyjnore, nëse mund ta quajmë ashtu. Në këtë pjesë nuk flitet vetëm për fillimin e njeriut sa flet në përgjithësi me fillimin e të gjithë njerëzimit dhe, mbi tërë këtë, me fillimin e asaj që autori e quan herë dije e herë shpirt dhe herë e përkufizon si ekzistencë. Autori mundohet të na tregojë se mbi gjithçka që ekziston mbi këtë botë dhe mbi tërë universin është Zoti. Zoti jo si fuqi, por zoti si krijues, mbi të gjitha, si ‘dhënës’ apo ‘dhurues’ i të tërësishmes. Prandaj:
5. Tash klith në mes-botë. Zotin kot e kërkoje
6. në ndërtesat e punuara me dorë njeriu dhe
7. në germat e mbarsura nga alienët.
8. Zotin kot pohoje se e gjete në zemrat
9. e besimtarëve si ti. Zoti të flet me akt!
Bërja është një koncept thuaja fillestar i tërë librit. Bërja e njeriut. Bërja e pamundur e gjërave apo bërja e pamenduar e gjendjeve dhe fenomeneve. Dhe bërja e gjërave është ajo që autori e quan akt të krijimit me anë të kodit ‘bëhu’. Prandaj nuk mund të flitet këtu për çkado relative, derisa, mbi të gjitha, është supremja e gjithëpërfshirësja.:
1. Ti the: “Bëhu!” dhe u bë gjashtë herë
2. ripërsëritje e kodit të huja gjenetik.
3. Zarin e kuq e hodha në detin e Galilesë.
Megjithatë poezia e Shehut në ‘Palankin’ shpesh zhdirgjet nga nivelet e mistikes siqiellore dhe mbishtresohet mbi mistiken njerëzore të tokës. Megjithatë kjo ka të bëjë me atë që do ta quaja mrekullim i njeriut me qenësinë e tij në tokë dhe mrekullimin e asaj se njeriu qëndron mbi këtë bote si qenie që krijohet dhe ekziston duke ‘ditur’ për ekzistencën e tij, pra duke qenë i vetëdijshëm mbi vetveten dhe zhvillimin e tij human dhe duke u mrekulluar nga rruga e krijimit të tij si qenie nga ‘asgjëja’.
Derisa, në mënyrë ‘kronologjike’, shpengohen proceset që nga zanafilla e deri te krijimi, kapitulli i pestë, shënon njëfarë qendre të librit. Dilema e një lexuesi të pamësuar me llojin e tillë të shkrimit, do të jetë normale. Në këtë pjesë që unë do ta quaj ‘mesi’ autori na sjell një traditë të moçme persiane të shkrimit. Në këtë pjesë e cila, bazuar në përbërjen kromozomale të njërit, përbëhet nga 23 pjesë që autori i quan ‘karta’ apo ‘pllaka’, autori krijon një lloj loje fati. Këto janë pjesë që nuk mund të lexohen njëherësh dhe si tërësi. Këto pjesë janë një lloj zari që njeriu i krijuar që nga fetusi e deri në qenien e vetëdijshme, duhet t’i përzgjedh në mënyrë të rastësishme ashtu që të ‘krijojë’ një lloj ideje mbi fatin e tij dhe mbi atë që e pret.
Në këtë pjesë që në njëfarë formë krijon një lloj relaksimi nga ‘shtrëngimet’ filozofike dhe teogjenike që na shkaktojnë kapitujt tjerë, lexuesi do ta krijojë një lloj loje mbi qtë që është dhe mbi atë që do të bëhet. Shfletimi i rastësishëm i ‘pllakave’ ia shpjegon atij njëzet e tri shanse të fatit dhe të ekzistencës së jetës së tij. Po të kesh fat ‘ të mirë’ do të të bjerë ‘karta’ e parë tek e cila të dalin fëmijët për të cilët autori thotë se janë:
Lotë dhe buzëqeshje. Zemra gjak do të pikoj.
Qielli derdhet në vajin e tyre.
Lumnia të takon.
Ose në situata të ndryshme të tjera mund të kesh ‘fat’ ose ‘fatkeqësi’ të përballesh me koncepte të shumta jetëformuese siç janë martesa, suksesi, dielli, hëna, palaçoja, pafundësia, planentet, nëntë plumbat etj. Dua ta ceki këtu një moment nga kjo pjesë e cila është yshtëse. Kur autori shkruan për fatin, në definimin që i jep atij, janë tri komponentë përbërës me të cilët projektohet ky nocion. Autori fatin e koncepton si një trekëndësh që përbëhet nga gruaja, burri dhe fëmijët ndërsa që të gjitha të tjerat janë gjëra që nuk i përkasin tërësisë që ai e quan fat:
Gruaja. Burri. Fëmijët. Të gjitha të tjerat janë vegime
Zgjëndrra të matufosura.
Tronditja të zgjon. Je me fat. Tani apo më vonë, rrufeja e fatit do të të godas.
Ose interesant, gjithashtu, është mënyra se si ai e shpjegon ecejaket nëpër jetë të njeriut dhe pasjen në dorë të asaj që e quajmë fatkrijimi e që nuk mund të jetë e lehtë e drejtvizore por me plot leqe dhe me plot krajata e mundime:
Askush nuk erdhi në jetë si në pushim vjetor.
Rruga e jetës të takon vetëm ty. Vetëm përcill leqet e saja dhe të drejtat e saja
Qëndro edhe pak dhe do të arrish!
Kjo pjesë, të cilën autori e quan ‘qendra’ e librit të tij në të vërtetë bëhet një lloj përmbledhjeje e ideve dhe sentimenteve mistike lidhur me ‘fatin’ si koncept thuaja të pashpjegueshëm dhe në lidhje me vdekjen dhe dashurinë si dy degë, apo dy shtigje të cilat e përmbajtjesojnë të ekzistuarit njerëzor mbi këtë botë. Autori mundohet që përmes ‘kartave’ të fatit ta analizojë të tërë materien që e përmban jeta. Dhe kjo materie jetësore sipas tij ka dimensionin e vet brenda njeriut dhe dimensionin tjetër që mund ta quaj mbinjerëzor dhe hyjnor. Pjesë e njeriut është edhe xhelozia, edhe pafatësia, edhe rënia, edhe ngritja por, pjesë e jetës së njeriut janë edhe qielli, edhe yjet, edhe nëntë planetët, edhe dielli. Bashkëveprimi i të tëra këtyre pjesëve përbërëse të jetës, krijon tërësinë hyjnore të ekzistencës njerëzore dhe asaj i japin një lloj kuptimi mbibiologjik. Njeriu është mbi të tërat, është lidhje në mes natyrës dhe fuqisë supreme, është arsyeja e ekzistencës dhe e mendimit. Njeriu sipas, autorit, është dashuria dhe vdekja. Pa njeriun kuptimet nuk do të ekzistonin por edhe ekzistenca apo të qenmit si kategori filozofike nuk do të ekzistonin. Nuk do të ekzistonte bota në fund të fundit ngase s’do të kishte kush ta dëshmojë atë qenësi.
Derisa qendra e librit të Shehut sjell një lloj magjie dhe një lloj loje kozmike me fatin njerëzor, pjesët tjera janë vazhdim i katër pjesëve të para uniforme që i përmbahen numrit nëntë. Në këto pjesë që prapavijnë autori flet për të bukurën. Autori edhe të bukuren e sheh si një akt magjik që i përket veprimit madhor. E bukura, sipas Shehut, është njerëzore vetëm si shfaqje derisa si bërje është akt i lartë i qiellores. Sipas këtij koncepcioni të poetit, ai kështu e shpërfaqë konceptin e tij të të bukurës:
1. Bukuria është xhevahir në kurorën
2. e përhershmërisë dhe kafka
3. jote do të dëshmojë mbi
4. dhimbjen dhe urdhërin e Zotit.
5. Se diçka që duhet të behet
6. suhet të bëhet bukur deri në Alivanosje.
7. Deri kur esullohesh për një lot,
8. të cilin e lë pas në gjurmët e, së cilës
9. nuk kthehesh si gjarpëri tunikëhedhur
Në anën tjetër ajo që e preokupon autorin me të madhe dhe për të cilën ai mëton të jap mendim është dija e kuptuar si dije që bartë njohuri dhe fakte dhe si dije absolute krijuese. Dija sipas autorit është buruesja e të gjitha arsyeve dhe e të gjitha racionaliteteve me të cilat ne ndeshemi në jetën e përditshme por edhe të cilën e takojmë në jetë në formë të aktit të krijimit dhe në formë të një ndërhyrjeje hyjnore të cilës autori i beson fort. Prandaj autori do të thotë se:
Dija është fuqi që dridh shtyllat e botës
Filozofia e autorit i nënshtrohet një ligjësie që vetëm ai e kupton por që rrjedhë nga një sfond kulturor në të cilin është krijuar ai. Brenda këtij sfondi kulturor për të cilin po flasim, autori është krijuar si njeri, është formësuar si besimtar në të mbinatyrshmen, është pjekur si poet për ndjesinë njerëzore dhe për ndjesitë qiellore dhe ka arritur të përfundohet si një penë interesante dhe shumë ngacmuese për ta ngjallur mendimin tonë për jo konkreten dhe shpirtëroren e cila përfshinë dimensione të ndryshme të ekzistencës dhe të magjisë por edhe te transcendentes.
Dua të cek se libri është një konglomerat idesh dhe fushash. Në libër gjejmë sakralen dhe besimin në zot. Në libër gjejmë pasqyrime kuranore, biblike dhe budiste. Në libër e gjejmë filozofinë e të dashuruarit dhe të dashurisë si kategori humane dhe qiellore dhe gjejmë të dhëna shkencore nga biologjia dhe shkencat tjera të jetës. Libri gjithashtu manifestohet edhe me kategori të tjera jetësore dhe besimore. Në libër gjejmë, gjithashtu, kategorinë e së drejtës dhe disa pjesë të librit janë lloj ‘kanuni’ në lidhje me ekzistencën tonë brenda kësaj bote ku mund të mos ekzistosh po nuk pate një identitet të caktuar që ka të bëjë me dashurinë, që ka të bëjë me Zotin, me kozmosin dhe me dijen e cila, në libër konsiderohet kategori absolutisht universale.
Natyra e këtij punimi është e tillë që nuk mund të analizojmë të tërë spektrin e ideve dhe të vizioneve mistike të autorit. Libri është një dokument sakral modern i cili nuk është i shkruar për ta përjetuar që në leximin e parë dhe si i tillë nuk është i shkruar për t’u lexuar në mënyrë uniforme. Libri kërkon lexim dhe rilexim, kërkon qasje dhe riqasje, kërkon nga lexuesi që ai t’i kthehet përsëri atij për ta nxjerr thelbin dhe tërësinë nga ai. Dhe tërësia e librit të Shehut është tërësia e të menduarit mbi thelbin e ekzistencës. Tërësia e autorit është jeta, është rruga e krjimit të jetës, është dashuria tokësore dhe dashuria si predikim deist mbi amshueshmërinë dhe metafiziken e ekzistencës së saj. Për t’i jetuar këto aspekte të librit dhe për ta nxjerr bërthamën e kuptimeve dhe të dijeve që inkarnohet brenda tekstit, librit duhet për t’iu kthyer dhe rikthyer. E kuptueshme pra që për një lexues të zakonshëm përjetimi nuk është i menjëhershëm dhe ndoshta është i pazbulueshëm. Lexuesi i devotshëm dhe i dhënë pas një akti, ta quaj, të meta leximit, në tërësinë e librit do ta gjejë një univers shumë interesant dhe me ngjyra të pafundme të kuptimeve dhe të shfaqjes së të shenjtës.
Dua të flas dy tri fjalë edhe për gjuhën e librit.
Shehu në librin ‘Palankin’ shfaqet në letrat shqipe me një gjuhë përfundimisht të gdhendur mjeshtërisht. Stili dhe diskursi janë kuranor ndërsa që mund të gjesh edhe konstrukte gjuhësore që janë tradicionale poetike. Autori e përzgjedh gjuhën dhe e përzgjedh edhe dialektin sa herë që ka nevojë që kuptimet dhe domethëniet e tekstit të tij të marrin ngjyrime të veçanta. Përmbajtjet lirike të Shehut janë shkruar me një gjuhë dhe me një fjalor bazuar në standardet e lirikës spiritualiste, ndërsa që kuptimet dhe domethëniet që janë më ‘të ashpra’ shpesh përshkruhen me dialektin gegë dhe me një stil gati epik.
Autori dallohet me një fond të pasur fjalëve. Ai, kur ka nevojë, e përdor fjalorin e pastër shqip qoftë në versionin standard, qoftë në versionin e gegnishtes letrare, por, kur i duhet për shkaqe të konteksti filozofik, ai di të përdorë edhe fjalë dhe shprehje që i instalon në gjuhën e tij të marra nga gjuhët e huaja apo të vjela nga bibla dhe kurani por edhe nga filozofia tibetiane apo nga ndonjë kulturë tjetër.
Për të mos e quajtur të përfunduar diskutimin për librin e Shehut, mund të themi se kemi para vetes një libër aspak të zakonshëm dhe një libër që aspak nuk bazohet në traditën dhe në medernitetin poetik. Libri është i veçantë temamtikisht, filozofikisht, si doktrinë dhe si përmbajtje. Të tëra këto veçori e bëjnë ‘Palankinin’ libër të veçantë, libër ndryshe dhe libër që kërkon rikthim dhe rilexim.
Ta përfundoj këtë shkrim me poezinë e fundit të saj:
1. Kështu është kur nga dashuria lindin
2. të dashurit, të dashuruar përjetësisht
3. Të lindin dike, i cili do të dashuroj për
4. Përhershmëri dhe një ditë më shumë,
5. pa u bezdisur për dhimbjet në kryqe dhe
6. sinuziti kronik. Ne ndjejmë aromat
7. e ilaçit nga distancat kozmike, përtej
8. rrugës së qumështit. Ne regjenerohemi si gjallesat
9. e Oqeanit të madh dhe navigojmë në ujët e palcës kurrizore.
ObserverKult