Dëshmia e poetit Xhavit Gasa për përndjekjet që Halil Driçit iu desh të përballonte në Shqipërinë komuniste. Nëpunësi i oborrit të mbretit Zog, u rikthye në Shqipëri pas 28 vitesh në Londër, por tashmë në vendin e tij mbretëronte diktatura, gjatë së cilës nuk pa një ditë të bardhë…
Nga: Xhavit Gasa
Halil Driçi ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1939 me oborrin mbretëror, të cilit i shërbeu deri në vitin 1946, kur mbreti Zog I u largua nga Londra (Angli) në drejtim të Egjiptit. Halili qëndroi në Londër. Sipas thënieve të tij punoi si punonjës farmacie. Emri dhe firma e Halil Ahmetit (Driçi) gjendet përkrah shumë emigrantësh të asaj kohe në dy promemorje. Njëra në vitin 1942, ku Komuniteti Shqiptar në Londër shpreh indinjatën e pushtimit fashist të Shqipërisë dhe tjetra në letrën e ngushëllimit që ky komunitet i shkruan për vdekjen e shkrimtares dhe humanistes së madhe mbrojtëse së të drejtave të shqiptarëve, Edit Durham.
Në një shkrim të Daut Dautit me titullin “Në shërbim të naltmadhnisë” gazeta “The Albanian” në Londër shkruhej për Halil Driçin. Dihej vetëm datëlindja dhe nuk dihej sa kohë qëndroi në Londër. As vendi dhe koha e vdekjes nuk shkruhej. Halili është kthyer në Shqipëri në vitin 1967 pas 28 vjetësh. E lexova me një frymë. Rastësi shumë e dhimbshme. Po më ringjallej kujtimi i tij në Londër e më vonë në Burrel kur miqtë e mi me mikun më të nderuar poetin, Basir Bushkashin po i gëzoheshim poezive të librit “ Jehona e dhimbjes” dhe ku Basiri kujtoi njohjen me Halil Driçin në mensën e fshatit Zenisht, përballë zyrave të kooperativës, ku çdo ditë drekonte Halili, me heshtjen dhe vetminë e një të sapodali nga burgu.
“Më kishte marrë malli për vendlindjen”-shprehej ai në çdo bisedë. Londra e madhe e zhurmshme po i dukej e vogël para Burrelit të tij me baraka që e kishte lënë që prej 20 vitesh… Kishte kaluar një kohë e gjatë dhe shumë nga të afërmit e tij nuk jetonin. Krahëhapur e priti gruaja e xhaxhit te tij, Rexhepit. Edhe ai kishte disa vjet që kishte vdekur dhe kujtohej në fshat me rahmet. Këtë grua të dashur e shumë fisnike e quanin të gjithë “Nënëmadhja” Nuk i kishte gëzuar barku me fëmijet e saj, por për çudi asnjëherë nuk ankohej, si ndodh me shumë gra që vetëm qarraviten mes shoqesh. Që kur u largua, Halili nuk kishte pasur asnjë lidhje me te afërmit e tij. Halili u strehua dhe vendosi të qëndrojë aty ku kishte lindur e rritur, te Sabri Alia, djali i kushëririt të parë Xhemalit. Edhe Xhemali, që kishte qenë edhe ai oficer në kohën e Zogut kishte disa muaj që kishte vdekur. Për këtë arsye edhe Sabriu nuk shihej me sy të mirë nga pushtetarët komunistë. Sabriu ishte elektricist edhe mekanik, por ishte edhe muzikant i talentuar. Shkruante tekste këngësh popullore dhe u bënte edhe muzikën. Emri i tij nuk përmendej asnjë herë për shkak të biografisë. Fëmijët e tij ishin më të mirët në mësime, por kurrë nuk iu dha e drejta për të vazhduar shkollat e larta. Edhe ardhja dhe strehimi i Halilit sigurisht që e rëndonin biografinë e tij.
Që në ditët e para Halili u përball me shumë takime. Po takonte me shumë njerëz të afërm, miq, shokë dhe të tjerë që vinin të pyesnin dhe interesoheshin për të afërmit e tyre që kishin emigruar prej kohësh e nuk lidheshin dot me ta, për shkak të izolimit që i kishte bërë vendit qeveria komuniste. Për të tani kishte filluar një jetë tjetër, krejt e ndryshme nga jeta në Angli. Te Halili filluan të shfaqen pakënaqësite e para. E para ishte buka skandaloze e misrit. “Këtë nuk e ha as qeni”,-kishte pas thanë një ditë Halili. -Në Angli nëse ia jep qenit, këtë bukë të dënon ligji”. “Ç’ështe ky sapun i zi?-i tha një ditë Gjures, nuses së Sabriut- Mos m’i laj rrobat me këtë.” “S’kam tjetër,-i tha ajo,-edhe këtë e përdor me kursim se nuk kam lekë për ta blerë.”
Kur shikonte kooperativistet që punonin 10-12 orë në ditë, me kushte të vështira dhe paguheshin me një pagë qesharake, ai shqetësohej. I mësuar me drejtësinë e fjalë së lirë angleze, filloi të fliste hapur se nuk po respektoheshin të drejtat njerëzore dhe se njeriu po trajtohej si skllav. Disa herë Sabriu i kishte thenë: “O mixhë, mos fol ashtu se do të dëmtosh veten edhe neve.”
-Pse,-i përgjigjej Halili,-të vërtetën po them! Kjo është jetë skandaloze. Në Angli dhe në vende të tjera nuk jetohet kështu.
Halili filloi të punonte vetë në kooperativë. Ai bënte çdo punë që i jepnin, por pakënaqësitë e tij i shprehte kudo, në çdo bisedë. Punoi shumë vite për hapjen e disa tuneleve, që hapeshin për strehimin e popullit në rast të ndonjë agresioni të mundshëm nga jashtë. Në vitin 1978 Halili dënohet me 7 vjet burg për agjitacion dhe propogandë kundër pushtetit popullor.
Në mbyllje të Vendimit të Gjykatës së Matit, trupi gjykues “Ka parasysh personalitetin e tij, i cili ka qenë një vegël besnike e satrapit Zog, që i ka qëndruar besnik për gjithë jetën”, ndërsa më lart shkruhet se “ai ka dëshiruar dhe ka lejuar minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor”.
Kur doli nga burgu, ai qëndroi për disa kohë te Sabriu, pastaj me gjithë këmbënguljen e Sabriut për t’mos u larguar, ai u largua nga Sabriu me synimin që t’mos pengoheshin fëmijët e Sabriut për në shkolla të larta.
Afër një vit u strehua te një kushëri tjetër i tij, te Tahir Alia. Edhe nga Tahiri doli dhe u sistemua ca kohë në hotel. Tani merrte pension. Thuhej se pensioni i vinte nga Anglia. Ishte shumë pension i mirë, por atij i jepnin shumë pak.
E grabitën disa herë në rrugë duke e rrahur. Megjithëse ankohej, askush nuk u kujdes për ta mbrojtur. Filloi të bënte një jetë endacaku. Një ditë e gjetën në gjendje kome dhe e dërguan në spital. Për arsye të neglizhencës mjekësore, ai vdiq. Spitali njoftoi për vdekjen e tij këshillin e fshatit Zenisht që ta merrnin nga spitali dhe ta varrosnin. Këshilli më caktoi mua dhe disa të rinj të tjerë për të kryer varrimin e tij. Në varrimin e tij mori pjesë edhe Bajram Dobra, megjithese ishte sekretar i këshillit popullor në atë kohë. Shkuam te zdrukthtaria e kooperativës dhe me ndihmën e brigadierit Hajrulla Stafasani u bë e mundur bërja e arkivolit dhe e mjeteve të tjera që duheshin për varrimin e tij. Deri afër varrezave trupin e të ndjerit Halil Ahmeti (Driçi) e solli ambulanca e spitalit. E varrosëm veç nga varret e tjera me urdhër të organizatës së Partisë së Punës. Varrosëm njeriun që për 28 vjet jetoi në mërgim, larg atdheut, larg të afërmëve të tij. Erdhi nga Bota e Lirë dhe demokratike se kishte mall për vendlindjen, por gjeti para kohe vdekjen. Një vdekje që e solli e vërteta, që nuk duhej thënë. Sepse tha të vërtetën, kur të gjithë nuk guxonim që ta thonim. Në varrin e tij edhe bari sikur thahej më shpejt nga dhimbja e padukshme dhe mungonin lulet.
Tani pas kaq kohësh veç kujtimit për Halilin mentar më duhet të flas edhe për të vërtetën që në atë kohë vritej me një mijë plumba të dukshëm e të padukshëm.
Tani varri i tij nuk është i veçuar, atë e ka sistemuar Sabriu pranë varreve të të afërmve të tij.
…Sa herë që vij nga Anglia ku ai pat jetuar 28 vjet, shkoj te varri i tij, nuk harroj që të vë mbi të një tufë me lule të freskëta. Mos është një lloj borxhi nga vendi i mbretërve ku ai pat mësuar që të ishte i lirë dhe të jetonte si njeri??? Mos është vallë një vazhdim i atij varrimi me pak vetë në atë ditë të ftohtë dimri kur më duhej ta varrosja i urdhëruar nga të tjerët atë njeri që vdiq duke u endur në rrugët e Burelit me duar të zgjatura drejt miqve të pakët që kishte???? Mos..????/kujto.al
*Halil Driçi njihet me mbiemrin Alija, ose Ahmeti, që është emri i të atit.