Nerimane Kamberi: Me librin “The Lil’s Poem”, Halili e ndërkombëtarizon kalvarin tonë

halil matoshi the lil's poem

(Recension për librin e Halil Matoshit “The Lil’s Poem”, Littera, Prishtinë, 2023)

nerimane kamberi the lils poem halil matoshi

Nga Nerimane Kamberi

“Poezia për vrasjen potenciale
Nuk munet me pasë një titull t’mirë
Po e quej thjesht poema e Lilit

Me 21 maj 1999 nji dyzinë serbë
Me uniforma blu…

E nisa me poezinë që ma shpjegoi titullin. Por, sa kisha nevojë ta kuptoj titullin, sepse poezia nuk do kuptim, por do përjetim. E me këto vargje e ripërjetova pranverën e vitit 1999, dhe  shtangimin tonë kur e morëm ne si refugjatë në Shkup lajmin për Halilin, mikun tonë të përjetshëm. Po e them këtë sepse kur e njeh poetin me vite të tana, ia ke njohur babën e nanën, e i sheh si dridhen në poezi në çastin tragjik të marrjes nga milicia të birit të tyre, ia njeh gruan… vargu i Halilit e ngjiz atë në lëvizjet e saja për t’i marrë fëmijtë ngat veti e për t’i shpëtuar, e di, se ajo përgjatë një viti do të shkoj në Serbi ta vizitoj Halilin.

Poezia e Halilit ka këtë fuqi, të të kthej në një kohë pa kohë, duke të mashtruar me një titull kaq të thjeshtë, Poema e Lilit. Me këtë titull mund të kishte qenë një përmbledhje  poezi për fëmijë, një poezi për dashni; është titull i mirë. Nuk mendoj si poeti kur thotë Nuk munet me pasë një titull t’mirë,  por ky  titull infantil do t’i shkonte një skenës me më shumë butësi,  një baladës soft rock , ato që i dëgjonim te ”gramafoni Aiwa i vjetit 1988”,  siç e përmend te poema “Grueja që zhduket”.

Halili ka zgjedhur një titull në anglisht për përmbledhjen e tij, sikur do ta çoj përtej kufijve kombëtarë historinë e tij dhe atë të shqiptarëve, ta ndërkombëtarizoj “kalvarin e tij”, fundja, të thotë se lufta është univerzale, se dhimbja e përshkrume në vargjet e tij nuk i përket vetëm atij, nuk e prek vetëm atë, por ka prekë dhe do të prek secilin, herët a vonë. Dhe pastaj do të mbetet poezia, ca vargje e shumë rrëfime trishtuese. Po u shkrueka poezi edhe pas asaj që i ndodhi Kosovës, që i ndodhi poetit.

Poezitë e tij lexohen shpejt e shpejt, sepse Halili ashtu ka dashur, që lexuesin e tij ta hedh sa andej e sa këndej, me “energeia aristoteliane”.
Poezia e tij është ritmike,  gjeometrike dhe  filozofike,  e na bën ta rikujtojnë se dikur Halili kishte studiuar filozofinë e bashkë me Kierkergardin të dëshironte të “kthehet melankolia.” 


Këtu ka një galeri personazhesh të vërtetë, nga familja e  farefisi tek liderët, personazhe  letrare si Ago Ymeri e Hamleti. Një poezi që të përpinë me gjithë ato emra e gjithë ato vende, sa katundi e sa Albi Mall, për të ardhur në një të vërtetë, robi po u plaka e poezia po mbetka.

“Në rend për pagesë në Albi Mall
Nigue kam një djalë që i tha
Në telefon akëcilit “vetëm një plak e kam përpara”.

Kjo përmbledhje flet për luftën, por jo veç për të, sepse poeti ka nevojë të fut në vallen e tij personazhe të pafund, të vegjël e të mëdhenj, të rëndësishëm e të parëndësishëm, t’i vendos në vendet e rrugëtimit të tij të poetit “të urbanizuar”, këtu, te Kino Rinia apo atje te Stacioni i trenit të Frankfurtit. Sikur i thotë lexuesit të vargjeve të tij “eja pas meje, do të humbësh në labirinthin e jetës sime si poet.”

E si mos ta përmendi gjuhën e shkrimtarisë së Halilit, gjuhën e artiti të tij. Gegërishtja, në variantën haliliane, e njejta si e folur, si e shkruar,  autoktone dhe  origjinale, e përzierë me ca fjalë që i përkasin më shumë kodit gjuhësor të të rinjve të këtij kryeqyteti ku erdhi të jetojë  poeti një ditë si fëmijë  dhe i shkroi këto vargje si dëshmi.

« të kujtohet kur i bijshim ziles
Së fqijve n’mahallë e disa ikshim
E bash ai që i binte ziles qindronte para deresi hu
cool demek nuk isha unë
me dëshmu… »

Do ta përfundoja me poezinë, ndoshta më të bukurën e kësaj përmbledhje.

Sygjestion

Lshoe pllakën e Vangjelis
Në gramafonin e vjetër Aiwa, product of 1988
Vallëzo me mu
Vno kambët në qërpikët e mi
Derisa m’randohen e i mbyll sytë.

Kjo është The Lil’s Poem, product of 2023.

ObserverKult

Kliko edhe:

PROMOVIMI I LIBRIT TË HALIL MATOSHIT “THE LIL’S POEM” (VIDEO)