“Nervozohet” Reshat Arbana: Më kanë lodhur telenovelat, kthehuni te filmi shqiptar

Reshat Arbana, aktor i shquar i teatrit dhe kinematografisë, me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun. Rolet e tij kanë pasuruar me vlera kulturën kombëtare. Dhe edhe në filmin “Ada” ai solli një tjetër personazh të realizuar mjeshtërisht.

Në një bisedë të zhvilluar me aktorin, ai tregon se filmi trajton probleme sociale që gjenden çdo ditë në shoqërinë shqiptare. Duke shtuar se mikpritja që i bëri publiku i fali jo pak kënaqësi.

Këtë herë regjisori Spartak Pecani i besoi rolin e babait, ku aktori Reshat Arbana sërish përcolli para publikut një figurë të realizuar më së miri artistikisht. Nderuar me titullin “Nderi i Kombit”, aktori i njohur tregon se nuk i mungon dëshira për të lozur në filma.

Shprehet se në më shumë se 45 filma të karrierës së tij ka pasur jo pak momente të vështira. Por gjithçka në karrierën artistike, teatër dhe film, e ka bërë me shumë pasion.

-Filmi “Ada” me regji të Spartak Pecanit ju riktheu para publikut në ekranin e kinemasë. Si ishte këtë herë rikthimi juaj në kinema, dhe filmi para publikut?

– Kam qenë në dilemë se si do të ta dalë filmi, dhe normal që kur punon me gjithë atë angazhim kërkon dhe suksesin. Kur erdhëm për të parë premierën, me gjithë emocionet që kishim. Më duket se ajo ëndërr, ai mendim që kisha krijuar se kemi bërë një film të mirë, mu realizua.

Filmi ishte i qëlluar. Ishte një film që e bëri sallën gjatë premierës të heshte, dhe u ndoq deri në fund, për problemet që trajtonte. Për aktorët që interpretonin jashtëzakonisht mirë dhe kishin qëlluar në rolet e tyre. E gjitha kjo dhe falë të përkujdesit të madh të regjisorit dhe të tërë stafit që punuan për filmin.

Aktorët ishin në vendin e tyre dhe në film ngrihen probleme sociale që i përjetojmë dhe i shohim çdo ditë. Për mua “Ada” në këtë periudhë 20 vjeçare duhet evidentuar, ishte një film që solli diçka të re. Film thriller, por mënyra se si ishte ndërtuar pa dalë shumë në eksterier apo ambiente të krijojë atë gjendje që të mbajë të mbërthyer. Filmi doli ashtu si ne e menduam, u mirëprit dhe kjo na ngrohu si aktorë.

-Roli i babait nuk vjen për herë të parë nga ju, por në filmin “Ada” cila ishte e veçanta e tij?

– Kisha kohë që nuk luaja me role të tilla. Më parë kisha marrë një rol në filmin “Gjallë” të Artan Minarollit. Dhe kur Spartaku pa premierën e tij, më tha përgatitu se mund të kesh dhe një rol në filmin tim. Aman i them, të luajmë se po na ikën jeta. Por Spartaku më tha që e kishte pikasur rolin për mua.

Dhe më pas kur më dha skenarin, ai më pëlqeu dhe i them që do të isha në film. Edhe pse kur shkonim për xhirime të filmit ishte një rrugë shumë e keqe. Ajo lodhje na ikte kur shikonim angazhimin e tërë stafit që merrej me filmin. Kjo është kënaqësia sot, sepse kishim parasysh dhe vështirësitë për filmat vite më parë.

Ka qëlluar të loz disa role baballarësh, por nuk kanë qenë të tërë njëlloj. Dhe në filmin “Ada” përpiqesha të gjeja të veçantën e rolit. Por përgjithësisht mbetej një baba siç janë tërë baballarët, që kujdesen dhe vuajnë për fëmijët e tyre, që të ecin në një rrugë të mbarë.

Por në një rrugë të mbarë, një baba me një psikologji dhe mentalitet të malësisë, një baba malësor me një mentalitet dhe psikologji të tij që kërkonte që i biri dhe tërë familja të mos merrnin rrugë të prapë, por ama ti kundërvihej sjelljeve të djalit të tij në mënyrë siç mund ti kundërvihej një baba i malësisë, një malësor, këtu ishte dhe sikleti. Unë u përpoqa ta zhvilloj, por se sa këtë e di publiku.

-Në kaq vite karrierë, si e shikoni aktivitetin tuaj artistik, karrierën tuaj në kinema?

– Unë në karrierën tim artistike afro 50 vjeçare shikoj që kam bërë shumë punë. Në mbi 300 filma që ka realizuar ish-Kinostudio, mendoj se 150 filma meritojnë të nderohen dhe respektohen. Ata të tjerët janë filma mesatarë apo nënmesatare, por janë filma që secili ka të veçantën e tij.

Le të bëjmë dhe sot 4 apo 5 filma në vit nëse ka mundësi, nëse mbeten 2 prej tyre që janë të mirë duhet të jemi të lumtur. Edhe në botë jo të gjithë filmat janë të mirë. Edhe në karrierë në time unë mendoj se si i kam bërë mbi 45 filma, si janë realizuar.

Udhëtonin në Vermosh me kamionë, por ishte ajo dëshira e madhe për të lozur në film, për të lënë diçka. Ndaj them kur i hyn rrugës së artit, të luftosh për të lënë shenjë. Nëse jo më mirë të marrësh një rrugë tjetër. Unë jam i lumtur që kam lozur në aq filma, dhe akoma më i lumtur do të isha nëse këtij populli tim të nderuar i kanë mbetur në mendje disa nga ata filma ku luan dhe Reshat Arbana.

-Në teatër roli juaj më i fundit ka qenë në një vepër me regji të Spiro Dunit. Çfarë na thoni mbi eksperiencën tuja në skenën teatrore?

-Teatri për aktorin është shkolla. Teatri për mua ka qenë si një trampolinë e fuqishme, ku aktori shfaq ato çfarë ka nëse i ka thënë vetes aktor. E veçanta është kontakti që ka aktori me spektatorin, i cili është ndihmesë e madhe për tërë ecurinë e rolit që ke në një dramë.

Ndërsa fatkeqësia në film është se ai xhirohet me role të vogla, dhe në fund e merr rezultatin, por ama atë që ndjen aktori në teatër nuk mund ta marrë në film. Kur del në fund të shfaqjes dhe publiku të duartroket, brohoret nuk ka gjë më të kënaqshme.

Këtë ne e ndjejmë si aktorë dhe i përulem me respektin më të madh popullit tim. Kur eci dhe dal në Pazar, të tërë duan të më takojnë, është një kënaqësi e madhe. Kujtoj dhe filmat dikur, sot filmi është kthyer në teknikë, por unë kam qejf që ai të jetë i gjallë.

-Gjatë këtyre viteve jo pak kineastë kanë pohuar vështirësitë në filma. Nga kjo mosvëmendje sa i takon financimeve nga shteti, çfarë ka humbur filmi shqiptar?

-Ka humbur shumë, sepse këto 20 vjet ne kemi humbur dhe figura të mëdha të filmit shqiptar, që i kanë dhënë artit tonë dramatik.

U shkoi jeta dhe në këto 20 vite, a bënë apo nuk bënë nga dy role. Në një kohë që duhej të mobilizoheshin skenaristët për të shkruar skenare, për ti angazhuar me punë këta njerëz që dhanë mbi filmin, dhe ende duhet të jepnin më shumë për popullin. Kryesisht është shteti ai që duhet të japë fonde për filmin.

Shteti në radhë të parë duhet të caktojë një fond që ti shërbejë për së mbari kulturës, sidomos artit kinematografik shqiptar. Është art që të impresionon, të ngacmon dhe të tërheq shumë. Atë që mund të thotë një krijues në film apo në teatër nuk mund ta thuash në gazeta, radio, apo televizion. Arti godet fuqishëm, forca e artit është e fuqishme.

-Ajo pak prodhimtari në kinema gjatë 23 viteve, sipas jush çfarë kanë sjellë për publikun, çfarë vlerash kanë prezantuar?

-Jo të gjithë filmat që janë bërë gjatë kësaj periudhe kanë qenë nga ata që kanë paraqitur interes dhe kanë përcjellë diçka të veçantë. Kanë bërë punën e tyre, por në filmat e këtyre viteve ka dhe filma për të cilët kanë shkuar paratë dëm.

Nëse do të veçoja disa filma të kësaj periudhe, si filma të mirë, do të veçoj dhe filma të atij niveli që nuk kanë ngacmuar shijet e publikut. Duhet një punë e madhe. Pa lënë mënjanë regjisorët e rinj, duhet të angazhohen dhe të vjetrit, që kanë një eksperiencë të madhe. Duhet të angazhohen me filmat se dinë sekretet e tyre, dinë të zgjedhin aktorët, dhe kryesorja është zgjedhja e aktorit me personazhin.

Unë nuk di se sa filma janë bërë në 23 vjet, por e di që nuk janë bërë shumë. Edhe para ndërrimit të sistemeve kur Kinostudio bënte rreth 14 filma në vit, jo të gjithë ishin të mirë, por katër prej tyre mbeteshin. Por sot shteti duhet të angazhohet seriozisht, tre filma në vit nuk mund ti kushtojnë shumë. Na lodhën telenovelat e huaja, por edhe ne mund të bëjmë telenovela të mira, megjithatë gjithçka kërkon profesionalizmin dhe fondet.

-Larg filmit dhe teatrit, si kalojnë ditët e aktorit të njohur Reshat Arbana?

-Nuk dua të dëgjoj për politikën, jemi lodhur shumë si popull. Edhe gazetat kur ka ndonjë rubrikë mbi artin dhe kulturën e lexoj me vëmendje. Ka ardhur koha që të shohim njerëzit që të na sjellin vepra. Ditët e mia janë të zakonshme, me miqtë, kafet me ata, nuk mungoj dhe në aktivitete kur jam i ftuar.

-Thatë 50 vite karrierë me filmin dhe teatrin. Ka ndonjë merak në jetën artistike aktori Reshat Arbana?

-Më ka mbetur merak që nuk kam mundur të luajë një figurë historike, që tek ne nuk janë të paktë. U bë filmi “Nëntori i Dytë” dhe shumë mirë që u realizua në 1982. Pata një rol interesat të figurës së Isa Boletinit që njerëzit e kanë vlerësuar. Por për fatin e keq edhe ai pësoi goditjen e kohës.

U shkurtua një episod prej 12 minutash, që ka qenë ndër më të qëlluarit, më të goditurit në film. E kam peng këtë episod në këtë film. Unë nuk jam në moshën e Isës. Pasi sot jam 10 vjet më i madh se sa ai, më duket ai u ekzekutua tek 60-tat. Por sikur të bëhej një film mbi Isën e kam dëshirë që ta luaja sërish.

Edhe pse nuk kam moshën dhe fuqinë, do ta luaja me dëshirë të madhe. Ashtu si kam dëshirë që të luaja edhe ndonjë hero. Ndonjë luftëtar të luftës për çlirim kombëtar që nuk janë të paktë tek ne dhe ne i jemi shumë borxhli.

-Cili nga rolet ju ka lodhur më shumë?

-Kam pasur fatin të kem rolet kryesore dhe kanë qenë dramatikisht shumë të rëndë, të vështirë, por do të veçoja dramën “Familja e peshkatarit” me rolin e Selim Bruka, dramën “Vd ek ja e komisionarit” një rol të fuqishëm. Në “Intrigë dhe dashur” rolin e presidentit, Pilo Shpiragu më ka lodhur tek “Lumi i vdekur”, etj. Dhe në gjithë këto filma dhe drama unë veçoj disa role, që unë i kam të zemrës dhe them që nuk i bëj dot më mirë, tranmseton “preferenca-al.com”.

-A do të ketë të tjera projekte në vijim për aktorin Reshat Arbana?

– Në dramë nuk kam më fuqi të loz, jam pak i lodhur në teatër, por në film do të shkoja me kënaqësi. Janë të tjera kushte sot dhe kanë ndryshuar shumë gjëra për xhirimin e filmave./ Intervistoi Julia Vrapi

*Intervista u realizua kohë më parë.

LEXO EDHE: RESHAT ARBANA, AKTORI QË E DUAN TË GJITHË