Nëse keni pyetur ndonjëherë/ Ja 10 shenjat kryesore të përkthimeve të dobëta

Je në librari ose në Panairin e Librit. Të pëlqen një libër. Të pëlqen aroma e fletëve dhe e bojës. Pyet veten: “A ia vlen ta blej këtë libër?” Ke vetëm pak minuta të lira përpara se shoku të të thotë të shkosh në një raft ose stendë tjetër. Duhet të marrësh vendim. Ka ulje çmimi. Sa mirë! Por a ia vlen?

Këtu po jap disa këshilla, sepse kudo na mësojnë si të dallojmë kartëmonedhat falso ose makinat e manipuluara (kur duam të blejmë), por nuk ka asnjë udhëzues për përkthimet.

Megjithatë, duhet theksuar që këto këshilla nuk janë absolute, por vlejnë sidomos për librat e vetëzhvillimit, psikologjisë, biznesit dhe fushës joletrare dhe jomjekësore, edhe pse disa parime që po jap këtu vlejnë edhe për to.

Kohët e fundit është folur shpesh për përkthime të dobëta. Në fakt, aq të dobëta janë bërë, saqë shumë lexues, duke mos gjetur cilësinë që kërkojnë dhe për shkak edhe të disa pritshmërive të pabaza, u janë drejtuar librave në gjuhën burimore, kryesisht anglisht.
Mirëpo, duke mos ditur t’i përshtatin termat dhe shprehjet që kanë lexuar në libra të tillë, kanë filluar të flasin dhe shkruajnë “shqip” me sintaksë anglishteje pa qenë të vetëdijshëm për këtë.

Kjo është njëra nga pasojat e rënda të përkthimit të dobët, edhe pse lexuesit, në gjykimin tim, shpeshherë nuk dinë se çfarë quhet përkthim i dobët. Zakonisht e gjykojnë përkthimin nisur nga gabimet tipografike dhe gramatikore, të cilat fare rrallë janë shenjë e përkthimit të dobët.

Ky keqkuptim nga ana e lexuesve ka çuar në krijimin e një situate tranzicioni gjuhësor, që na e vështirëson punën së tepërmi neve magjistarëve të fjalëve që njihemi me termin “përkthyes” dhe vetë komunikimin e ideve.

Këtu po paraqes dhjetë tipare të përkthimeve të dobëta. Edhe një herë, gabimet tipografike dhe drejtshkrimore nuk konsiderohen shenja të përkthimit të dobët. Më së shumti nënkuptojnë ose që përkthimi nuk është redaktuar (botuesi ka qenë dorështrënguar), ose që redaktori ka qenë i lodhur, ka bërë gabime njerëzore ose nuk ka pasur kualifikimin e duhur (këtu nuk po flas për diplomat).
Atyre që thonë që libri duhet të mos ketë gabime drejtshkrimore për t’u quajtur përkthim i denjë, u them se ka libra që janë pothuaj pa gabime drejtshkrimore, por që, gjithsesi janë përkthime të dobëta.

  1. Mosshqipërimi i emrave të njerëzve të huaj
    Gabim: – Eja! – u përgjigj Mike.
    Saktë: – Eja! – u përgjigj Majku.

Gabim: Sapo foli me Grace.
Saktë: Sapo foli me Grejsin.

Gabim: Patrick është autori i librit “Zgjidhi armiqtë me maturi”.
Saktë: Patriku është autori i librit “Zgjidhi armiqtë me maturi”.
Shqipërimin e emrave të huaj e trajtoj më vete në “Manual”, pasi është temë që ha diskutim, por asnjë përkthyes nuk duhet t’i lërë emrat të pashqipëruar në libra.

  1. Moslakimi i emrave të njerëzve dhe kompanive
    Gabim: Më dërgoi një mesazh nga Facebook.
    Saktë: Më dërgoi një mesazh nga “Facebook”-u.

Gabim: I thashë që, po të donte të fliste me mua, duhej të instalonte Whatsapp.
Saktë: I thashë që, po të donte të fliste me mua, duhej të instalonte “Whatsapp”-in.

Gabim: Kur erdhi ai, unë isha me Majk.
Saktë: Kur erdhi ai, unë isha me Majkun.

Shënim: Trajtat e tipit “me + emër në emërore, në trajtë të pashquar” janë të gabuara sepse nënkuptojnë, ndër të tjera:
I) që po përdorim emrin në fjalë: “Hapi një kanal me lopatë”.
II) që po hedhim gjënë që shënon emri në një gjë tjetër: “Ai e pi kafen me sheqer”.
Vihet re se shembujt “gabim” më sipër nuk kanë kuptim dhe përbëjnë shkelje të rëndë të dy prej tipareve thelbësore të gramatikës së shqipes: lakimi dhe parimi fonetik.

Emrat e kompanive vihen në thonjëza dhe shoqërohen me një vizë pas së cilës vihet mbaresa e lakimit ashtu siç kam bërë unë më sipër. Disa i shkruajnë emrat me shkronja të pjerrëta. Nuk është gabim si praktikë, por, në përputhje me “Drejtshkrimin”, është më e saktë të përdoren thonjëzat.

Njëra prej teknikave të shqipërimit të tyre është të shkruhen kështu:
U njohëm nga “Facebook”-u (shqipto: fejsbuk).
Nëse ka më shumë se tre emra kompanish brenda një dhe 3 rreshtash, sugjeroj të lihen siç janë, por në një shtojcë në fund të materialit (librit) të jepen edhe mënyra e shqiptimit të tyre. Kjo listë duhet të jetë pak a shumë kështu:
Facebook – fejsbuk
Gmail – xhi-mejll
Google – gugëll

Në përkthimet e mia, jap edhe një përshkrim të shkurtër të kompanisë në kllapa të rrumbullakëta, ndërsa emrat e shqipëruar i pajis me shenja theksi për theksim të saktë.

  1. Mospërkthimi i referencave të papërkthyera të autorit në libër
    Gabim: Dy javë më herët kisha shkruar esenë me titull “The future of civilization”.
    Saktë: Dy javë më herët kisha shkruar esenë me titull “E ardhmja e qytetërimit”.

Referenca të tilla e bëjnë leximin të pakuptueshëm për lexuesin që nuk e njeh gjuhën nga e cila është përkthyer vepra. Po të imagjinojmë që ky tekst përkthehet nga një gjuhë e rrallë, e kuptojmë se sa rëndësi ka përkthimi, qoftë edhe sa për të dhënë një ide, i veprës së cituar.

Përkthimet që kanë gabime të tilla si ky më sipër, janë përkthime që ose janë bërë shkel e shko, ose kryhen për shkak të dembelizmit, që shpesh justifikohet duke thënë: “Nuk është përgjegjësia e përkthyesit të përkthejë titujt e veprave të cituara që nuk janë përkthyer ende”. Ky justifikim nuk ka vend në mendjen e përkthyesit që ndjek parimet që parashtroj në “Manual”.

  1. Përdorimi i pasaktë i fjalëve “apo”, “ose”, “për”, “mbi” dhe “dhe”
    Gabim: Miti mbi hakmarrjen.
    Saktë: Miti i hakmarrjes.

Gabim: Desha të diskutojmë mbi këtë problem.
Saktë: Desha të diskutojmë për këtë problem.

Gabim: Mbi autorin
Saktë: Për autorin

Është i pavend përdorimi i parafjalës “mbi” për të nënkuptuar temën që trajtohet ose një njeri për të cilin flitet. Kjo parafjalë përdoret për të treguar pozicionin e sendeve (gota është mbi tavolinë) ose për qëllime orientimi (shtëpinë e ke mbi rrugën dytësore, në rrëzë të malit).

Gabim: Majku dhe unë pimë kafe për gjysmë ore.
Saktë (1): Piva kafe me Majkun për gjysmë ore. S
Saktë (2): Kalova gjysmë ore duke pirë kafe me Majkun.

Gabim: Mund të na vizitosh sot apo nesër.
Saktë: Mund të na vizitosh sot ose nesër.
(“Apo” ka natyrë pyetëse, ndërsa “ose” natyrë pohuese.)

  1. Përdorimi i pasaktë dhe i dendur i fjalës “një”
    Gabim: Ai është një profesor.
    Saktë: Ai është profesor.

Gabim: Kjo është një ide e keqe.
Saktë: Kjo është ide e keqe.

Gabim: Një qen ka katër këmbë.
Saktë: Qeni ka katër këmbë.
Nëse bëhet fjalë për qenin si specie dhe jo si anëtar specifik i species.

Në përgjithësi, nuk përdoret kur jepen përkufizime, si p.sh.:
Gabim: “Jon”-i, një kompani konsulence, e ka selinë në Tiranë.

Saktë: “Jon”-i, kompani konsulence, e ka selinë në Tiranë.

“Një”-ja (në anglishte është “a” ose “an”) përdoret më pak në gjuhën shqipe sesa në atë angleze. Në gjuhën angleze dhe ato latine në përgjithësi, përdoret për të shprehur të pashquarën e emrit. Në gjuhën shqipe, kjo trajtë shprehet me vetë emrin, pa qenë nevoja të përdoret “një”-ja që del si pykë.

  1. Përdorimi i tepërt i përemrave vetorë (unë, ti, ai etj.)
    Gabim: Unë erdha dje.
    Saktë: Erdha dje.

Gabim: Ku është Xhoni? U bë kohë që ai nuk më ka shkruar.
Saktë: Ku është Xhoni? U bë kohë që nuk më ka shkruar.

Gabim: Unë mendoj se nuk ia vlen të merremi me këtë projekt.
Saktë: Mendoj se nuk ia vlen të merremi me këtë projekt.

Lejohet përdorimi i përemrave nëse bëhet fjalë për të theksuar një ide dhe, sidomos, për vetën e dytë dhe të tretë njëjës [ti dhe ai/ajo] për foljet që marrin të njëjtën trajtë kur përdoren për këto veta:

Saktë: Ai mendon se nuk duhet të shkosh, ndërsa ti mendon se do t’ia vlente të shkoje.

  1. Përdorimi i tepërt i përemrave pronorë (im, yt etj.) sidomos me emra të pjesëtarëve të familjes edhe në rastet kur konteksti është i qartë
    Gabim: Gruaja erdhi me vajzën e saj.
    Saktë: Gruaja erdhi me të bijën.

Gabim: Kjo është nëna ime.
Saktë: Kjo është ime më.

Gabim: Erdhi me motrën e tij.
Saktë: Erdhi me të motrën.

  1. Përkthimi i gabuar i emrave foljorë (xherundit)
    Gabim: Të përdorurit e këtij aplikacioni nuk më ka ndihmuar.
    Saktë: Përdorimi i këtij aplikacioni nuk më ka ndihmuar.

Gabim: Më pëlqen të lexuarit.
Saktë: Më pëlqen të lexoj.

Emri foljor (ose xherundi) përbën temë shumë të gjerë. Përshtatet me vështirësi në gjuhën shqipe. Në përgjithësi, ka të paktën 5-6 teknika për përkthimin e tij, por përdorimi i emrave të tipave të mësipërm, në shumicën e rasteve, është i gabuar.

  1. Vënia e shenjave të valutës para numrit në libra
    Gabim: Më pagoi $10.
    Saktë: Më pagoi 10 dollarë.
  1. Mosvënia e shënimeve shpjeguese
    Ka raste kur autori përmend terma që mund të mos njihen nga audienca. P.sh., nuk mund të presësh që nënat shtatzënë, që mund të jenë edhe pa arsim, të kuptojnë fletëpalosjet ku flitet me terma të mjekësisë si “post natal” dhe “ante natal”. Këta terma duhen përshtatur që të kuptohen. Teknika ime është që këta terma t’i lë siç janë dhe të vë shpjegimin e tyre në kllapa:
    kujdes “post natal” (pas lindjes);
    kujdes “ante natal” (para lindjes) etj.

Shënimet shpjeguese vihen edhe kur kemi të bëjmë me referenca kulturore që nuk pritet të kuptohen nga audienca. P.sh. nëse në libër përmendet emisioni i “Dr. Phil”-it (shqipto: doktor fil), këtu paraqitet nevoja për shënime përkthyesi, me qëllim që lexuesi të kuptojë pse po e përmend autori. Këto shënime e pasurojnë tekstin dhe e bëjnë leximin edhe informues, edhe të këndshëm. Megjithatë, nuk duhen vënë pa karar.

*[Marrë me shënime nga “Manuali i Jonisit për përkthimin”.]

ObserverKult


Lexo edhe:

TREGIMI “URA” I FRANZ KAFKËS NË TRI VARIANTE PËRKTHIMI/ LEXOJENI TË SHQIPËRUAR NGA KLOSI, LIKA DHE VLASHI