
Nëse shkruan poezi dashurie, gratë të dashurojnë. Dhe do të jetë njëra, mes shumë grave që të dashurojnë, sepse ti shkruan poezi dashurie, që bën sikur ti nuk i intereson.
Që i lexon poezitë e tua, ndërsa merret me gjëra të tjera, me një shprehje fytyre pak të pakënaqur, duke tundur kokën me zhgënjim të beftë. Ja! Ajo të dashuron tinëz!
Nëse shkruan poezi dashurie, gratë të vështrojnë. Të soditin dhe mendojnë: kushedi çfarë do të jetë duke menduar tani. Ndoshta një poezi të re për mua. Apo ndoshta, thjesht, po më vështron gjinjtë. Punë e madhe! Po e bën në mënyrë poetike!
Nëse shkruan poezi dashurie, gratë ekzaltohen. Fillojnë të lexojnë libra, të cilëve një ditë më parë ua kishin mohuar plotësisht ekzistencën si: Emily Dickinson, Sylvia Plath, Julio Cortazar, Wislawa Szymborska. Kësaj të fundit i shqiptojnë vetëm emrin me një lëvizje dore sikur mbiemri nuk ka rëndësi. Fillojnë të dëgjojnë muzikë të ngrohtë. E mrekullueshme “Storia di un impegniato” e Francesco di Greg…, Guccini, Francesco Guccini!
Unë e dëgjoj gjithmonë ndërsa kthehem, ose…jo. Kur shkoj të vrapoj.
Nëse shkruan poezi dashurie, grave u dukesh trup elegant, ose e shumta elegant i rremë.
Të thonë shprehje të tipit: “Do të doja të bëja dashuri me trurin tënd.”
Tashmë, këtu hapen dy perspektiva.
Vetëkënaqësia boshe, ardhur si pasojë e drejtpërdrejtë e ekzaltimit të egos së protagonizmit të tejkaluar dhe relativizmit në dukje të lirë nga çdo mendim i flaktë.
Ose një mësim krahasues i anatomisë me shtojcën e edukimit seksual.
Nëse shkruan poezi dashurie, futesh me ligj në regjistrin e vetëm kombëtar të Urdhërit të Psikologëve dhe bëhesh këshillues në çdo orë të ditës dhe natës duke përfituar dhuratën e kudogjendësisë.
Por, ju e dini, poetët janë individë të çuditshëm, qenie mitologjike, krijesa mizantrope në kërkim të historisë së tyre.
Pajisur me durim proverbial, shkruajnë poezi dashurie për qejf të vet dhe e rigjejnë veten sa herë që u duhet të rindërtojnë copat e zemrës.
“Poetët, këto krijesa të çuditshme,
sa herë që flasin është një mashtrim.”
Nga : Andrea Faber
Ujdisi shqip Rielna Paja
ObserverKult
lexo edhe:
Akademiku, Rexhep Qosja, fiton çmimin “Lumo Skëndo”
Tom Hanks: Duhet të dish çfarë të lësh pas, për të mos humbur veten!