Nesër do të festonte 70-vjetorin e lindjes/ Pëllumb Kulla i dërgon letër bashkëshortes se poetit të ndjerë, Petrit Ruka

Petrit Ruka

Regjisori, komediografi, satiristi dhe diplomati shqiptar, Pëllumb Kulla, i ka dërguar një letër bashkëshortes së poetit të ndjerë Petrit Ruka, i cili ditën e nesërme më 21 gusht do të festonte 70-vjetorin e lindjes.

LETRA

“E dashur Zhani
Sot yt shoq, i shtrenjti Petriti Ruka, do të ishte 70 vjeç!
E ne do të trokisnim gotat me të e do t’i uronim atë të stërthënën “U BËFSH 100!”
Por Petjan nuk e kemi më. As sot e as vitin që vjen. Nuk do ta përdorim më për të atë formulë. Do të jemi të lumtur, ama, se atij burri të shquar i kemi uruar PËRJETËSINË!
E urimi ynë e atë e ka zënë! Njerëzit nuk presin ditët e shënuara si kjo e sotmja që ta kujtojnë poetin e tyre, se e kujtojnë atë për ditë, në rrugë, në parqe, në pllaja, fusha e lugina, në libra e gazeta, në miljona mjete elektronike që kanë nëpër duar.
Unë sot urimin e kam për ty, moj zonjë e mirë, për fëmijët tuaj për vëllazërinë Ruka e përtej jush: për tërë adhuruesit e panumurt të vargut të tij magjepsës!
Unë të veçoj ty, moj nuse, se ti je më shumë se grua dhe mëmë. Ti, moj Zhani, je shumë më tepër. Ne të jemi mirënjohës se ti u bëre simbol! Ti ishe femra, ti ishe bukuria, ti ishe pasioni, frymëzimi, përfytyrimi, ëndrra! Mijëra e dhjetëra mijëra vargje gjeneroi frymëzimi i tij për ty. Strofa të tëra shkruar për ty u këndoheshin, pëshpëriteshin, cicëroheshin vajzave, nuseve të reja që i shijonin dhe pastaj edhe pa të njohur ndjenin për ty një zili që afrohej me urejtjen.
Por për të zbutur këtë do të them se ndër vite, ti moj ti, ti Zhani e dashur, do kesh mirënjohjen e antologjive, librave të këndimit që do t’i bëjnë vend poetit tonë të shquar.
Në këtë faqe unë do të përfshij ca vargje të gëzueshme, nga ata që thashë, ata të shkruarit nga Petrit Ruka, për ty.
ËNDËRR ME NUSE
“Do të të gjej një nuse,” tha gruaja ime,
“u plake, o i shkretë dhe unë u plaka,
të duhet kujdes, pa shih si je mbledhur
si iriqi i mrrolur nën cfaka.”
****
Dhe ec e ec të dy nëpër ëndërr,
një ëndërr e gjatë, mesnatë e mëngjes,…
unë i gëzuar, doemos si çdo dhëndër,
ajo e gëzuar si mblesë
.……………………
Në Tepelenë më çoi, aty tek linda,
«uh, me një labe,… kjo prapë!”
Jorganin me këmbë tutje e shtyva;
më ik, moj ëndërr me vapë!
****
Dhe hyjmë në gjimnazin, ku erdha riosh,
në një nga klasat, ku jepja mësim,
“pa shihe atë vajzën në bankën e tretë,
sa kripë i ka kurmi që ndrin…”
****
Unë buzët lëpij dhe bie në mëkat
(nga ta di në ëndërr që dreqin jam plak?”)
…………………………………………..
“Po kjo je ti”, thashë i habitur,
që gjumin ma mbushi dikur me driza,
kur shkumën e gjakut kënaqësia ma frynte,
sa më zgjidhej kërthiza…
****
Kur me bukurinë e rrallë dhe eshtrat m’i ktheve
në fyej që qanin si brymë,
ti shkolla ime e parë e vjershërimit
Akademia me frymë!”
………………………………………………………..
“Po pse, ç’kujtove, do të jepja një tjetër,
tani që u plake, je bërë një dorë,
shiko sa nuse të bukur të gjeta,
sa gjaku në borë.”
****
“Ç’të them, ç’të them, as zgjuar, as ëndërr ?”
“Nuk ke ç’të thuash, poet i pabesë?
Tërë jetën ke dashur të jesh një dhëndër
në dasmë të zezë…
****
Tani që nusen ta gjeta, (pa fli!)
Dhe prit të të mbuloj, se ngricë është jashtë,
me mendje kullot, se kujt i prish punë!
Ti kau plak,… në kashtë!

ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT RUKA: SHKOLLA MAGJIKE E FOLKLORIT PËR POEZINË